Muzike

Carla Bruni – Një prekje franceze për shqiptarët

Në moshën 51-vjeçare, këngëtarja Carla Bruni ka pasur padyshim një ekzistencë magjepsëse. Në fund të adoleshencës,  nisi karrierën si modele për marka prestigjioze si Dior, Chanel, Versace, Givenchy dhe Yves Saint-Laurent e ndërkohë pati lidhje romantike me yje të rrokut botëror si Mick Jagger dhe  Eric Clapton. Nga ’97, do ta këmbente modën për muzikën me një ambicie paralele në aktrim dhe pas një sërë albumesh në gjuhën frënge, u martua me presidentin e vendit, Nicholas Sarkozy  dhe u shpërngul në Pallatin Elysee – me një zyrë të sajën – për pesë vjet. Pa i hequr meritat çdo arritjeje të saj si modele, si nënë dhe si Zonjë e Parë, talenti më mbresëlënës i Carla Brunit është padyshim zëri. Nuk është edhe aq  befasuese, pasi ka punuar si këngëtare dhe kantautorë më gjatë se në çdo rol tjetër.

Tani që nuk është më zonjë e parë, i është kthyer koncerteve nëpër botë, me këngët e albumit “French Touch”.  Ka zgjedhur të udhëtojë drejt Butrintit – trashëgimisë kulturore të mbrojtur nga UNESCO, ku edhe do të mbajë koncertin e parë për publikun shqiptar në Fête de la Musique, Ditën  Botërore të  Muzikës, që kremtohet në më shumë se 700 qytete, në 120 shtete të botës, prej vitit 1982.  Lajmin, zonja Bruni e ka bërë të ditur vetë, përmes një video-mesazhi, ku shfaqet me kitarën e saj të pandarë.

https://www.facebook.com/AlEmbParis/videos/1382375091911179/

Muzika ka qenë një element i pandashëm nga jeta e Carla Brunit. I ati, ishte industrialisti dhe kompozitori klasik Alberto Bruni Tedeschi, ndërsa e ëma Marisa Borini ishte pianiste koncertesh. “Mund të them se dashuria e parë muzikore ishte muzika klasike sepse e kisha dëgjuar prej punës së prindërve të mi”, do të zbulonte  Bruni. “Dashuroja Chopin, Nokturnet që luhen vetëm në piano, shumë thjesht.”  E ndjen se muzika është një nga format më të askesueshme të artit dhe natyrshëm lënë gjurmë në vetëdijen fëminore.

“Muzika është art i ndryshëm, sepse pjesën më të madhe të artit e mëson përpara se të prekesh prej tij. Duhet të mësosh sesi të lexosh që të çmosh një poezi apo letërsinë në përgjithësi. Por mendoj se muzika dhe kinemaja janë jashtëzakonisht të aksesueshme.  Mbaj  mend që kam qenë shumë e vogël kur u dashurova me Chopin-in dhe Mozart-in. Është e lehtë për muzikën të të mbërrijë në veshë dhe në zemër”. Ka në të vërtetë një anë shumë romantike të punës së saj. Ajo këndon dhe interpreton  në kitarë, sipas stilit francez të baladave dhe evokon  tingujt e   George Brassens  dhe Georges Moustaki. Vetë Bruni do të thoshte se ishte frymëzuar nga shumë këngëtarë të viteve ’60, veçanërisht Francoise Hardy.

https://www.youtube.com/watch?v=QAlo_1zQDuo

E nisi me pianon, shpalosjen e dashurisë për muzikën, por shpejt ndryshoi tastat për telat. “Të gjithë ne fëmijët luanim në piano, ngaqë prindërit  luanin aq shumë në piano, kishim piano në shtëpi dhe mund të këndonim e luanim  në to”, kujton ajo.  “Por kur më dhanë një kitarë –do të kem qenë ndoshta nëntë vjeç dhe në çastin që e preka, gjithçka ndryshoi për mua. Pianoja nuk është aq e aksesueshme. Duhet të njohësh solfezhin dhe duhet të praktikohesh çdo ditë. Kitara është më mbërthyese dhe më e lehtë për t’u mësuar. Është shumë e vështirë të luash mirë në kitarë, por është më e lehtë të luash kitarë nëse nuk di të luash edhe aq mirë e nëse nuk do të jesh legjendë e kitarës si Paco de Lucia. Por nëse je si unë, merr shumë kënaqësi nga kitara, fare shpejt.”

Bruni u shpërngul me familjen e saj nga Italia në Francë në fillim të viteve ’70 për t’i ikur rrezikut të terroristëve të Brigadave të Kuqe, që kishin kërcënuar se do  të ekzekutonin babain e saj. Duke trashëguar dashurinë e së ëmës për muzikën, e reja Carla ishte e zhdërvjellët në piano dhe në kitarë që në moshë të re dhe gjithashtu zhvilloi pasion për letërsinë, që e çuan tek përpjekjet rinore si kantautore. “Kur isha modele, gjatë kohës që bëja flokët dhe grimin, lexoja Dostojevskin të fshehur brenda një reviste Vogue”, ka zbuluar ajo. 

Nisi të studiojë arkitekturë në universitet, por hoqi dorë për të ndjekur karrierën e modelimit që do ta shndërronte në një multimilionerë në të njëzetat e saj, përpara se të këmbente pasarelat për skenat e koncerteve, në fund të viteve ’90. Po modeloja dhe isha në të tridhjetat. Dhe moda të lë – ka pa diskutim një datë skadimi, megjithëse gjenerata ime duroi më gjatë në kohë. Të gjithë fëmijërinë time, e kam jetuar me muzikën”, do të shprehej Bruni, kur e pyesnin se pse e këmbeu modën me muzikën.

“Dashuria”, do të thoshte ajo “zgjat për një kohë të gjatë, por dëshira përvëluese, dy deri në tri javë.” Ish-kryeministri Laurent Fabius ishte trofeu i parë politik i saj, përpara se të njihej me Sarkozy në një darkë. Ajo nuk do të votonte për të, u tha hapur miqve, por ndjeu tërheqje të thellë seksuale për të, duke përdorur frazën,  “Dua një burrë me fuqi bërthamore”. Doli më pas që darka nuk ishte lidhje aksidentale, por i organizuar në emër të Sakorzy-së nga një spin-doctor mes të njohurve të tij; aspak i pamend, në fakt. Interesi erotik i Brunit për burrin e ri është një nga subjektet e një prej albumeve të saj, që shkaktoi debate mes establishmentit zakonisht të patrazuar francez për termat thuajse provokues në të cilat ajo përshkruan dashurinë e tyre.

Zhurmnaja e parë nisi me këngën “Tu es ma came” (Ti je droga ime), në të cilën e sheh dashurinë obsesive si një lloj varësie, në vargje si “Mashkulli im, e dredh dhe e tymos”.  Megjithëse me gjasë ishte shkruar përpara se të njihte Sarkozy-në, kënga solli një ankesë zyrtare nga qeveria kolumbiane për krahasimin e euforisë romantike me efektet e kokainës kolumbiane – opinionet për zonjën e parë franceze erdhën në një kohë kur forcat kolumbiane po përpiqeshin të shpëtonin një politikan franko-kolumbian nga guerrilasit Farc.  “Ti je droga ime. Më vdekjeprurëse se heroina nga Afganistani dhe më e rrezikshme sesa kokaina kolumbiane”, këndon Bruni.

Megjithëse gjatë kohës kur ishte Zonjë e Parë e Francës, i ngadalësoi turnetë dhe koncertet,  karriera e saj muzikore nuk u ndal. “ Nxora një album gjatë asaj periudhe. Dhe të gjithë u inatosën.  Por  hej, nuk mund të ndalem së punuari ,së qeni ajo që jam. Por nuk mund të bëja turne, sepse nga ana e sigurisë do të kishte qenë një makth. Udhëtova pak për një turne reklamimi. Por sigurisht, të gjithë donin të më pyesnin rreth bashkëshortit tim.” Me më shumë se 5 milionë kopje albumesh të shitura  gjatë karrierës, Carla Bruni është shpallur nga revista Forbes më 2010-n, si një nga gratë më të fuqishme në të gjithë botën.

Gjatë koncertit në amfiteatrin e Butrintit, Carla Bruni do të performojë 11 këngë nga albumi i saj i fundit, “French Touch”, si edhe hite të tjerë më të vjetër. Ky është albumi i pestë i këngëtares italo-franceze, ku ajo ka risjellë disa nga hitet më të famshme të muzikës botërore, në gjuhën angleze. “Kurrë nuk kam menduar se do të këndoja këngë cover, jam kantautore së pari, por  David Foster e shpiku këtë për mua. Erdhi në një koncert timin dhe më tha: “Më pëlqen zëri yt. Pse të mos bëjmë diçka në gjuhën angleze?!” I thashë e kam provuar, por nuk mundem.”

https://www.youtube.com/watch?v=pm3bPZ6W5fw

"French Touch” është delikat. Bruni e çel albumin me një mënyrë të errët dhe të mistershme chanteuse  me këngën e Depeche Mode “Enjoy the Silence”.  Më pas lëviz drejt xhazit kabare me Rolling Stones “Miss You” dhe soul-in e flaktë të “Highway to Hell”,  të AC/DC. Falë zërit të Bruni-t, çdo pjesë është joshëse. “ “Miss You” nuk është këngë ime e preferuar nga Stones, por funksionon. “Jimmy Jazz” nuk është favoritja ime nga Clash, por funksionon”, thotë ajo.

“Kishim një listë të gjatë, disa pre tyre të parapëlqyera, disa që i kisha luajtur për një kohë të gjtë. Por na u desh të zgjidhnin atë që funksiononte. Dhe ishte argëtuese. AC/DC mund të ketë qenë më argëtuesja, por kënga e ABBA-s,  “The Winner Takes It All” është më udhëzuese. Është këngë tragjike, por mënyra sesi e prodhuan në vitet ’70, duket  pothuajse si një këngë për vallëzim ka shumë ritëm dhe energji, por është tragjike dhe doja ta shfaqja këtë”.

I pari kremtim gjithëditor muzikor në ditën e solsticit veror u organizua nga ministri francez i Kulturës Jack Lang dhe nga  Maurice Fleuret dhe u kremtua për herë të parë në Paris, më 1982-shin. Më 2019 –n, festën e muzikës për shqiptarët e sjell që rrëmbeu zemrën e një presidenti të Francës e të të gjithë francezëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë