Art dhe Kulture

Bypass-i i Gjirokastrës, Margariti: UNESCO nuk kërkoi pezullim, do të sjellin ekspertë

UNESCO nuk ka kërkuar pezullim të punimeve në Bypass-in e Gjirokastrës, por do të sjellin ekspertë.

Kështu është shprehur ministrja e Kulturës, Elva Margariti ditën e djeshme nga Gjirokastra, teksa ka ndjekur së bashku me kryeministrin Edi Rama, ecurinë e punimeve në një sërë kantieresh në qytetin e gurtë.

Margariti tha se është abuzuar mediatikisht për shkak të informacioneve të pjesshme.

“Në këtë rast në fillim të qershorit kemi pasur një komunikim për të gjithë planin e menaxhimit që dërgojmë në UNESCO si për Beratin, por edhe për Gjirokastrën. Ata nuk janë shprehur se donin pezullimin e punimeve sepse bie ndesh me vlerat e shtuara, por duan të sjellin ekspertë të tyre për monitorim të punimeve të cilat po kryhen. Zgjidhja që ne kemi propozuar në UNESCO lidhet me shumë problematika të tjera të qytetarëve, në rastin konkret me përroin e Nanxës, i cili ka probleme me pjesën e erozionit. Po ashtu kemi integruar një tjetër projekt, atë të restaurimit të urave të vjetra për të lidhur një tjetër unazë pedonale që kemi menduar t’i shtohet qytetit”, është shprehur ministrja Margariti nga Gjirokastra.

Ndër të tjera, ministrja është shprehur se në fokusin e tyre së bashku me UNESCO-n është që qendra e qytetit të bëhet një hapësirë e çliruar nga makinat.

“Në fokusin tonë dhe nga rekomandimet e lëna nga UNESCO ne duhet të bëjmë të mundur që qendra historike të mos jetë më një hapësirë ku të kalohen makina.

Ndaj edhe rasti i parkimit të sheshit të Çerçizit shkon pikërisht në vijim të rekomandimeve të tyre. Faza në të cilën ne jemi është totalisht emergjente dhe është një fazë përgatitore për projektin që do të vijë më pas dhe patjetër ne do të presim edhe rekomandimet nga UNESCO”, ka thënë Margariti.

Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s me anë të një vendimi në projekt-rezolutën e botuar para Sesionit të 44-të të takimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, që zhvillohet midis 16 dhe 31 korrikut në Kinë, ka sugjeruar që Shqipëria të ftojë një mision monitorimi për të parë nëse ndërtimi ka shkaktuar dëm ose mund të sjellë dëme.

Aty thuhet se qeveria shqiptare kishte paraqitur fillimisht projektin për shqyrtim në 2016. UNESCO rekomandoi që ai të rishikohej. Në vitin 2019, qeveria i njoftoi ata se projekti ishte pezulluar, ku në janar 2021, qeveria paraqiti një kërkesë për rishikimin e një propozimi të rizhvilluar për projektin e Bypass. UNESCO kërkoi informacion shtesë, por qeveria shqiptare nuk u përgjigj lidhur me këtë. Rezoluta vë në dukje se një informacion i dërguar nga një palë e tretë “skicon një situatë shumë shqetësuese të projektit”, pasi duket se tashmë është në ndërtim e sipër. Ata vunë në dukje se sipas dëshmive, se projekti do të ketë një “ndikim të mundshëm negativ në vlerat e zonës”. UNESCO i rekomandon Shqipërisë “të ndalojë këtë projekt derisa një mision të vlerësojë ndikimin e tij në vlerat universale të zonës dhe të bëjë rekomandimet e duhura”.

Për më tepër, UNESCO kërkoi informacion mbi planet zhvillimore të vazhdueshme dhe të ardhshme, si dhe raportet kundërshtuese nga qeveria dhe palë të tjera mbi gjendjen e ruajtjes së kësaj zone. Si rezultat, ata kërkojnë që Shqipëria të presë një mision zyrtar monitorimi në Gjirokastër për të vlerësuar jo vetëm Bypassin, por dhe projekte të tjera. Komiteti i Trashëgimisë Botërore pritet të votojë mbi rezolutën në ditët në vijim.

Projekti për Bypass-in e Gjirokastrës u bë publik në 2016, synimi i të cilit ishte devijimi i qarkullimit të automjeteve nga zona muzeale dhe kryesisht nga qendra e Qafës së Pazarit, si destinacioni kryesor turistik i turistëve që mbërrijnë në qytetin e gurtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë