Ne rrjet

Bylykbashi: Amendamentet e PS minojnë reformën zgjedhore

Thirrjes së PS-së për të miratuar draftin e hartuar për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, opozita i kthen përgjigje refuzuese. Bashkëkryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore, demokrati Oerd Bylykbashi reagoi ndaj ftesës së Ballës, duke deklaruar se amendamentet e mazhorancës janë të njëanshme dhe minojnë reformën zgjedhore.

“Me paraqitjen e draftit të njëanshëm të amendamenteve të Kodit Zgjedhor, PS në mënyrë të përsëritur po minon reformën zgjedhore. Ky akt tregon qartë se i vetmi qëllim i PS-së është të sabotojë reformën zgjedhore. Parlamenti mund te votoje vetëm amendamente që miratohen nga Komisioni i Reformës Zgjedhore. Veprimi i sotëm i Partisë Socialiste ka si qëllim vetëm prishjen e urave të konsensusit për rregulla loje që pamundësojnë ripërsëritjen e shkeljeve dhe manipulimeve të zgjedhjeve që konstatoi raporti i OSBE/ODIHR në 2017”, deklaron Bylykbashi.   

Më tej ai thekson se reforma zgjedhore ka konstatuar se problemet kryesore të zgjedhjeve janë pasojë dhe përgjegjësi e qeverisë. Demokrati rendit edhe mos plotësimin e kushteve të paraqitura nga ndërkombëtarët sa i përket realizimit në kohë të reformës zgjedhore.

“Asnjë përpjekje nuk është bërë nga qeveria për të zgjidhur problemin e 1,4 milion letërnjoftimeve që u skadon vlefshmëria deri në ‎datën e zgjedhjeve 30 qershor 2019, që përbën shumicën dërrmuese të zgjedhësve aktivë. Asnjë përpjekje reale nuk është bërë nga qeveria për të vënë ene jetë projektin pilot të votimit elektronik, si një mjet kundër mashtrimeve zgjedhore. Asnjë përpjekje nuk ka në plan qeveria kundër presionit mbi administratën dhe abuzimit me burimet shtetërore siç rekomandon ODIHR. Asnjë përpjekje nuk është bëre për sistemin e plotë dhe të sakte të adresave, mungesa e të cilit vazhdon të lejojë manipulimin e listave të zgjedhuesve, duke importuar zgjedhësit nga neje qytet në tjetrin. Asnjë mase nuk është marrë që policia e shtetit të garantoje që kriminelët të mos prishin procesin, në të njëjtën kohë të mos bëhet vetë ajo palë e manipulimit dhe presionit”, thekson më tej bashkëkryetari i komisionit të posaçëm.

Më tej ai thekson se “për problemin numër një, atë të shitblerjes së votës, Edi Rama dhe drejtësia e kapur prej tij vazhdojnë të mbrojnë Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin dhe dhjetëra funksionarë të tjerë të lartë të PS te interceptuar edhe ligjërisht nga përgjimet e prokurorisë në pazare me kriminelët për të blere vota dhe kërcënuar votuesit”.

“Nga njëra anë edhe vetë përfaqësuesit e qeverisë kanë pranuar se këto probleme thelbësore nuk zgjidhen me Kodin Zgjedhor, por janë detyrë e qeverisë dhe çështje e vullnetit politik. Minat që PS po i vë sot reformës zgjedhore, synojnë te fshehin mosveprimin e qëllimshëm të saj për këto probleme. Synimi është i qartë, pa një reformë konsensuale, qeveria fsheh përgjegjësitë e saj dhe mbron vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve”, përfundon Bylykbashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë