Ne rrjet

Buxheti, fushëbeteja e re e Italisë dhe BE-së

Ndërkohë që Italia planifikon t’u futet betejave financiare me BE-në, mesazhi që dërgoi Brukseli duke refuzuar buxhetin e ri të vendit fqinj ishte i qartë: Roma mund të ketë fituar betejën, por jo luftën!

Qeveria e re italiane, e përbërë nga Lëvizja Pesë Yjet  (M5S) dhe partia Lega Nord u përplas sërish me Bashkimin Europian pasi Brukseli refuzoi projekt-buxhetin e ri duke arsyetuar se ai shkelte rregullat e unionit. Propozimi buxhetor i populistëve italianë planifikonte rritjen e shpenzimeve dhe zvogëlimin e taksave, duke rritur për pasojë edhe borxhin e vendit. Roma premtonte të rriste huamarrjen për të financuar një deficit prej 2.4% të PBB-s së përgjithshme. Edhe pse ai nuk e kalon kufirin prej 3% , të vendosur nga BE-ja mbi deficitet buxhetore, është shumë më tepër se përqindja e premtuar jozyrtarisht nga ministri italian i financave, gjatë verës. Përplasja e fundit ka ngjallur frikën mes shumë prej anëtarëve të BE-së se po përballeshin më një “Greqi të dytë”.

“Pas vështirësive ekstreme që solli kriza greke, ne duhet të bëjmë gjithçka për të shmangur një krizë të tillë brenda Eurozonës”, tha presidenti i Komisionit Jean-Claude Juncker. ” Në këtë drejtim, Italia duhet të trajtohet në mënyrë strikte dhe të drejtë”, shtoi ai.

Valdis Dombrovskis, zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, u tha gazetarëve të martën se Italia është vendi që ka përfituar më shumë “nga fleksibiliteti” i BE-së. Ky argument u përsërit edhe nga Gjykata Europiane, e cila paralajmëroi se Komisioni Europian është treguar shumë tolerant në zbatimin e rregullave fiskale, duke e bërë të pamundur reduktimin e borxhit në vende të tilla si Italia.

Komisioneri Europian Valdis Dombrovskis 

Arsyeja e kësaj “tolerante të tepërt”, sipas zyrtarëve të BE-së, vjen për shkak se Italia është një anëtare themeluese e BE-së dhe për shkak se borxhi prej 2.2 trilion eurosh e bën Romën “një bombë me sahat”. Sipas zyrtarëve europianë, ekonomia e ngadaltë italiane ka nevojë për ndihmë dhe pa një mekanizëm efektiv solidariteti, Italia ishte e vetme në trajtimin e emigrantëve. Matteo Salvini, kreu i Legas dhe politikani më i fuqishëm i Italisë, shkroi në autobiografinë e tij të vitit 2016 se kur ishte deputet, ishte “i frikësuar nga injoranca” e ligjvënësve dhe gazetarëve rreth mënyrës se si funksionon BE.

Por siç tregoi përplasja e fundit, Salvni mund të ketë llogaritur keq rrezikun e armiqësisë me BE-në.

Qëkur qeveria e re mori detyrën në qershor, Italia është përplasur edhe me aleatin e saj më të afërt, Maltën, duke e akuzuar se nuk është treguar e dobishme në lehtësimin e barrës së emigrantëve. Roma ka sulmuar gjithashtu edhe shumë vende të tjera të BE për emigracionin. Vendimi i Italisë për të mbyllur portet e Mesdheut ka detyruar krerët e BE-së të gjejnë zgjidhje emergjente për problemet e emigracionit. Në gusht, kur Italia nuk pranoi të ankoronte një anije me emigrantë, i vetmi vend i BE-së që ofroi ndihmë ishte Irlanda, ndërsa i vetmi vend fqinj ishte Shqipëria.

Situata financiare e Italisë

Për fat të keq, ekonomia e Italisë është ende një ndër më të rrezikuarat në Europë dhe më e vogël sesa ishte në vitin 2008. Rimëkëmbja e ekonomisë italiane varet kryesisht nga fuqitë e huaja. Eksportet kanë qenë një nga nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike italiane, por një krizë e madhe ekonomike në Evropë ose SHBA, do ta hidhte Italinë “në det të hapur”. Sipas statistikave, rritja ekonomike do të vazhdojë afërsisht në këtë nivel përgjatë këtij viti, përpara se të pësojë një rënie të lehtë në vitin 2019.

Matteo Salvini

Sidoqoftë, për fat të keq, jeta po bëhet gjithnjë e më e vështirë për shumë italianë pavarësisht nga fakti se në nivel makro, rimëkëmbja ekonomike e vendit ka vazhduar me ritme të qëndrueshme që nga viti 2014. Produkti i brendshëm bruto i Italisë u rrit në 1.5 përqind në 2017, suksesi më i madh i vendit që nga viti 2010. Si rezultat, papunësia ka vazhduar të shënojë rënie duke arritur në 13 për qind. Sipas të dhënave të publikuara në fund të vitit të kaluar, të ardhurat mesatare të familjeve në fakt ishin rritur me 1.8 për qind, ose e thënë ndryshe me 29,988 euro në vit dhe fuqia blerëse u rrit me 1,7 për qind vitin e kaluar krahasuar me dy vjet më parë. Të ardhurat mesatare u rritën 2.8 për qind në po të njëjtën periudhë.

E gjithë kjo, natyrisht, krijon një farë arsyeje për optimizëm në mesin e qytetarëve. Megjithatë, rritja ekonomike nuk ndjehet njësoj në të gjitha shtresat e shoqërisë. Segmentet më të varfëra të shoqërisë në përgjithësi janë të fundit që shijojnë fitimet. Por nga ana tjetër, Italia ka bërë disa përparime në çështjet që kërcënojnë kolapsin e ekonomisë.

Në Itali, si në shumë vende të tjera, problemet e papunësisë, të krijuara nga tregtia e lirë dhe pabarazia sociale, kanë krijuar në një armiqësi të frikshme ndaj emigracionit. Megjithatë, varfëria është më e lartë në mesin e familjeve të emigrantëve se sa atyre italiane.  Më shumë se 29 përqind e familjeve të emigrantëve jetojnë në varfëri absolute, krahasuar me vetëm 5 përqind të familjeve italiane. Nga ana tjetër, statistikat e reja mbi varfërinë kanë theksuar edhe më shumë dallimet rajonale të Italisë. Varfëria është më e pranishme në rajonet jugore, ku në zgjedhjet e përgjithshme të marsit u votua me shumicë dërrmuese për Lëvizjen Pesë Yjet.

Sipas shifrave zyrtare, 11.4 për qind e italianëve të Jugut (duke përfshirë Sicilinë dhe Sardenjën) jetojnë në varfëri absolute, ndërkohë që shifër ishte vetëm, 9.8 për qind në 2016. Por në Italinë e Veriut, vetëm rreth 7 për qind e italianëve jetojnë në varfëri. Në mënyrë të ngjashme, shkalla e varfërisë ishte më e lartë në mesin e italianëve nën moshën 35 vjeç (9.6 për qind) dhe papunësia e të rinjve mbetet mbi 30 për qind. Siç mund të pritej, si Lega Norda ashtu edhe Pesë Yjet u votuan kryesisht nga italianët e moshës 18 deri në 34-vjeç. Dhe kur një lëvizje politike fiton falë sulmeve ndaj emigrantëve dhe institucioneve të jashtme, implikimet e saj kanë shumë gjasa të përhapen përtej kufijve, duke tronditur kështu edhe themelet e Bashkimit Europian.

Burimet: “Politico”, “La Republica”

 

Më Shumë