Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tashmë i caktuar si i dërguari i posaçëm i Ramës, që është edhe kryetari i radhës i Zyrës së OSBE-së, ka marrë pjesë në forumin e Selanikut ku janë trajtuar çështjet e integrimit dhe gjendjes në udhëkryq të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në një prononcim për mediat për ish-kryediplomatin tre janë sfidat kryesore që do të përcaktojnë raportet mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. “BE është në një moment kritik për sa i përket arkitekturës së sigurisë europiane dhe diferencave në qëndrime, qoftë me SHBA, por edhe me qasjen që vende të ndryshme europiane kanë në raport me Rusinë dhe arkitekturën e sigurisë europiane. Së dyti është çështja e BREXIT që imponon aleanca të reja brenda vetë BE-së dhe duket paska si e vështirë që në një moment divorci me Britaninë e Madhe të flitet për një “martesë” me vendet e Ballkanit Perëndimor apo dhe vendet kandidate”, deklaroi Bushati.
Për ish-kryediplomatin thekson se nevoja për një aleancë të re është vënë re dhe në vizitat e presidentit francez Macron ditët e fundit në Poloni dhe për krijimin e një diagonaleje me tre pika Berlin, Paris, Varshavë. “Së treti është vetë roli i BE se si dëshiron të jetë në 5 – 10 apo 15 vitet e ardhshme në kushtet kur po zhvillohet një konkurrencë edhe gjeoteknologjike tani, debat me 5 G, debatet për ndryshimet klimaterike, revolucionin teknologjik dhe duket se Ballkani Perëndimor nuk duket një nga çështjet shumë prioritare për vendet e BE-së. Dhe kjo është arsyeja për fat të keq se debatet për zgjerimin shihet si një barrë për BE se sa një përgjegjësi historike që i ka fillesat në rrëzimin e murit të Berlinit”, theksoi ai. Dokumentin e ri të BE-së, Bushati e sheh si një përpjekje për të zbutur disi qëndrimet e vendeve qe kanë kërkuar reformimin e këtij procesi. “Natyrisht, procesi do të bëhet më kërkues, më politik dhe me mundësi më të mëdha për vendet anëtare për ta pezulluar apo pushuar në momentin që këto vende besojnë që vendi qe dëshiron të bëhet anëtar nuk po ecën siç duhet me reformat, por nga ana tjetër dua të besoj që në 2020 ne do të kemi mundësinë për fillimet e bisedimeve me ne, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha ai më tej.Ish-kryediplomati është ndaluar edhe te raportet mes Greqisë dhe Shqipërisë, dy vendet që ende nuk i kanë konkretizuar marrëveshjet ndërmjet tyre. Duke iu referuar edhe vendimit të fundit të Parlamentit Grek për t’i hapur rrugën jeshile marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit mes dy vendeve, Bushati u shpreh se “ekziston potenciali që dokumentet qe janë shkëmbyer nga dy palët të përmirësohen dhe të pasurohen më tej dhe të merren vendime të cilat kërkojnë një lloj kurajoje politike për t’i hequr nga tryeza e bisedimeve dypalëshe. Çështje të cilat janë aty ende dhe kanë një relevancë në kuptimin historik dhe duhen adresuar nga të dyja palët”, theksoi ish-kryediplomati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.