Ngjarje

Burri që të rreh në shtëpi… të rreh edhe në Suedi

Afrim Sulku jetonte në rrugën “Paqësori” (Kamëz), por vetë nuk ishte aspak paqësor. 38-vjeçari u dërgua si i pandehur në Gjykatën e kryeqytetit për akuzën e dhunës në familje. Martesa e tij me Ildën ishte problematike që në fillesat e saj, dhe siç raportoi në polici bashkëshortja, ai e shante shpesh atë dhe familjarët e saj duke e etiketuar si “k..rvë” apo duke e sharë nga motrat dhe nga nëna me shprehjen tipike “motrën… e nënën…”
Gruaja tregoi se në vitin 2016 i shoqi udhëtoi drejt Suedisë me vizë pune. Dy vjet më vonë iu bashkua edhe ajo.
Ndonëse në marrëdhënien e tyre nuk kishte munguar dhuna me të gjitha format e saj, ajo mendoi se do ta shpëtonte familjen.
“Por gjendja zgjati vetëm dy javë, më tej nisi sërish dhuna filloi me kërcënime dhe fjalët e tij… k.rvë, do.. mamin.. motrën.. do të hedh nga ballkoni”, tregon ajo. Gruaja menjëherë u ofrua pranë autoriteteve policore që e ndihmuan me shërbimin social të grave të dhunuara në atë vend. Pasi qëndroi pak kohë atje, e reja u kthye sërish në shtëpi tek i shoqi dhe fëmijët dhe siç kujton ajo, marrëdhënia paraqitej e qetë dhe e paqtë. Gruaja u lumturua dhe mendoi se burri kishte vënë gishtin në kokë.
Siç rezulton në dosjen që Gazeta “Si” disponon dhe që u dorëzua në gjykatë, “çifti i lumtur”, disa muaj pas këtij incidenti vendosi të udhëtojë për pushime në Shqipëri. Më 31 maj 2018 shpjegohet në dosje, çifti hyri në Shqipëri përmes pikës kufitare të Podgoricës dhe në drekë u ulën në një lokal në Shkodër për të ngrënë. Pikërisht në lokal, i akuzuari i cili siç kuptohet nga veprimet e mëpasshme “kishte duruar shumë sa të hynte në Shqipëri”. I tha gruas që të kthehej te prindërit e saj në Fushë Krujë dhe se nuk kishin më punë bashkë. Burri vendosi ultimatumin: “Fëmijët do t’i mbaj unë, s’ke punë me ta”.
“I thashë të drekojmë njëherë, pastaj diskutojmë. Përgjigjja e bashkëshortit ka qenë e menjëhershme “do të vras, në shtëpinë time nuk ke më punë, nuk je më bashkëshortja ime”, kujton Ilda.
Siç kuptohet nga veprimet e mëvonshme hetimore, sapo ka mbërritur në Kamëz, gruaja ka dorëzuar kallëzim dhe ka kërkuar ndihmën e policisë.
Prokuroria shprehet se gruaja nga Dibra kishte denoncuar edhe më herët shqetësimet e dhunës , por çështja ishte pushuar, në një kohë që gjykata kishte shpallur urdhër mbrojtje për 29-vjeçaren me afat njëvjeçar. Prokuroria i thotë gjykatës se pas këtij debati, Afrim Sulku është larguar sërish jashtë dhe gruaja me fëmijët ka qëndruar në shtëpinë e tyre në rrugën “Paqësori”. 29-vjeçarja duke qenë se nuk kishte asnjë komunikim me bashkëshortin është përpjekur të rrisë e vetme fëmijët, ka gjetur një punë në fabrikën e këpucëve dhe ka vazhduar përpara. Deri ditën kur ai është rikthyer…
Kthimi
Në janar 2019 i akuzuari kthehet në Shqipëri, dhe filloi sërish të njëjtën sjellje. Pasi e ka dhunuar, thuhet në dosjen që prokuroria dorëzoi në gjykatë dhe që Gazeta “Si” e disponon, burri është “zhdukur sërish”. E dhunuara me shenja ka denoncuar sërish në polici, ndërkohë që në korrik të këtij viti skena është ripërsëritur.
“Po kaloja para një lokali në datën 5 korrik për të shkuar në shtëpi. Im shoq pështyu në tokë dhe tha “erdhi bushtra”, tregon ajo. Ai e ka ndjekur pas dhe u ka premtuar familjarëve të tjerë: “Pa e vrarë atë bashkë me fëmijët nuk bëj asgjë tjetër”.
Në dosjen që Gazeta “Si” disponon, gruaja thotë në polici se kërcënimet kanë vijuar edhe një ditë më pas. “Hyri te shtëpia e të vëllait dhe ndërkohë m’u drejtua duke më thënë “do të vras… do të djeg bashkë me fëmijët”, shton Ilda.
Gruaja i tha prokurorisë se ajo e dashuronte të shoqin dhe kishte duruar me shpresën se ai do rregullohej, por tashmë frika për vajzat e vogla e ka shtyrë t’u vendosë një gur ndjenjave të saj dhe dëshirës për të shpëtuar familjen.
Në dobi të hetimeve ka dëshmuar edhe njëra nga vajzat e mitura të çiftit që ka treguar se dhuna kishte qenë prezente në familjen e tyre jo vetëm në Suedi, por edhe gjatë kohës kur jetonin në Greqi.
“Kam parë babanë ta qëllojë nënën me grushte dhe shkelma jo vetëm në Shqipëri, por edhe Greqi e Suedi. Në disa raste ai e ka qëlluar edhe me thikë e pirunë”, ka treguar e mitura.
Gazeta “Si” u interesua për situatën e dhunës ndaj grave dhe mori statistika zyrtare nga Policia e Shtetit. Ndonëse sociologët nuk e shpjegojnë dot nëse bëhet fjalë për rritje të sensibilizimit të grave që denoncojnë dhunën, apo të dhunës ndaj grave, ata thonë se çështja e dhunës është një histori ajsbergu. Sidoqoftë për vitin 2019 me shenja dhune i janë drejtuar policisë për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje nga bashkëshortët 1829 gra, të cilat kanë marrë mbrojtje nga gjykata për afat 1-vjeçar me kushtin që dhunuesi të qëndrojë 500 metra larg vendbanimit të tyre dhe jo vetëm të mos u flasë, por as mos t’i kontaktojë në telefon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë