Drejtësia

Burg për bashkëpunëtorin në vrasjen e Stiven Toshkëzit, avokati i Enso Mazes: S’ka lidhje me ngjarjen

Gazeta Si - Adoleshenti Enso Maze, i cili akuzohet si bashkëpunëtor i Axel Hoxhajt në lidhje me vrasjen me thikë të 20-vjeçarit Stiven Toshkëzi, është lënë në burg.

Edhe pse ka mohuar të ketë pasur dijeni për qëllimin e shokut të tij Hoxhaj, i cili u dorëzua dje në polici, Gjykata e Tiranës vendosi të mos e ndryshojë masën e sigurisë për 18-vjeçarin.

LEXO EDHE:
Tiranë, 20-vjeçari vritet me thikë nga dy të rinj. Shkak dyshohet sherri për një vajzë

Maze ka thënë në gjykatë se nuk ka pasur dijeni për konfliktin mes viktimës dhe Axel Hoxhës, 19 vjeç, personi që qëlloi me thikë Toshkëzin.

Maze ka pohuar se ishte duke lëvizur me autorin dhe në ato momente ka mbërritur një automjet me dy persona, me të cilët kanë nisur një konflikt verbal dhe më pas fizik.

I riu ka thënë se ai është afruar në automjet dhe ka penguar pasagjerin për të shuar konfliktin. Të njëjtën gjë ka thënë edhe avokati i tij, i cili është shprehur se masa ndaj klientit të tij është i padrejtë.

Tonin Prendi, avokati i 18-vjeçarit Maze, ka folur për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Tiranë mbrëmjen e 19 prillit, ku mbeti i vdekur Stiven Toshkëzi.

Ai tha se klienti i tij nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen dhe se ashtu siç shfaqet në pamjet filmike, është munduar të shuajë sherrin duke mbyllur derën e makinës ku ndodhej viktima së bashku me shokun e tij pasagjer, i cili e sulmoi Mazen fizikisht.

“Nga pamjet filmike del që Ensi Maze nuk ka bërë asnjë veprim ndaj pasagjerit. Ishte shoku i viktimës, pasagjeri që sulmonte Ensi Mazen. Më pas ka ndodhur ajo që ka ndodhur. Si Ensi maze edhe familjarët e tij janë të lehtësuar pas publikimit të pamjeve sepse e shohin se nuk ka kryer asnjë veprim të dhunshëm”, - u shpreh avokati i të akuzuarit.

Në dëshminë e dhënë në polici, Maze ka thënë se shoku i tij ishte rrahur nga viktima.

18-vjeçari ka thënë para grupit hetimor se shkak i sherrit mes dy të rinjve ishte bërë një vajzë që i pëlqente Axelit, e cila mësohet se ishte e dashura e 20-vjeçarit.

Maze ka qenë i pari që është vetëdorëzuar në komisariat pas ngjarjes së rëndë. Ky i fundit ishte student në fushën e ekonomisë në Holandë dhe kishte vetëm dy ditë që ishte kthyer në Shqipëri. Në datë 19 i duhej të kthehej në vendin ku studionte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë