Ka ndodhur

Burg për 17-vjeçarin që vrau fqinjin për gjakmarrje, avokati: Fajtorë jemi të gjithë

Gjykata e Lezhës ka vendosur të lërë në burg këtë të enjte 17-vjeçarin Florian Pervathi, i cili vrau për gjakmarrje bashkëfshatarin e tij, Lek Lekgjonaj.

I mituri e ka vrarë para shtëpisë së tij 62-vjeçarin në shenjë hakmarrjeje, pasi ishte dhe vëllai i autorit, i cili në vitin 2009 i kishte vrarë me armë babain pas konflikteve të vhdueshme.

Avokati i të miturit, Andi Durra, në një deklaratë për mediat, është shprehur se kjo është një ndër ngjarjet më të rënda që i ka tronditur të gjithë, pasi viktimë sipas tij nuk ishte vetëm 62-vjeçari, por dhe klienti i tij.

Ndër të tjera, avokati ka theksuar se faj në lidhje me këtë ngjarje, “ka i gjithë opinioni publik, me nxitjen që bëhet për të marrë hak dhe mbi të gjitha kujdesi i munguar që duhej të kishte 17-vjeçari që në momentin që ai ka ngelur jetim”.

Sipas avokatit, “klienti im është i mitur dhe ishte shumë i tronditur, deklaratën e ka dhënë në polici në prani të psikologut”, - tha Durra.

Ngjarja ka ndodhur të hënën në fshatin Manati të Lezhës, ku menjëherë adoleshenti, i cili akuzohet për “Vrasja për gjakmarrje”, “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve te gjuetisë dhe sportive”, është vetëdorëzuar.

Policia dyshon se i riu ishte fshehur pranë vendit të ngjarjes dhe pasi ka parë shënjestrën e tij, e ka qëlluar dy herë në kraharor, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Pasi ka kryer krimin, Florjan Pervathi është larguar nga vendi i ngjarjes duke shkuar në polici për t’u dorëzuar.

Pervathi edhe në deklaratën e tij në polici nuk ka shprehur pendesë dhe ka deklaruar se krimin e kishte kryer për gjakmarrje për vrasjen e babait te tij në vitin 2009 nga vëllai i Lek Lekgjonajt


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë