Drejtësia

Vrau për gjakmarrje, dënohet me 8 vite burg 17-vjeçari Florian Përvathi

Gazeta Si - Gjykata e Lezhës ka dënuar me 8 vite burg 17-vjeçarin Florian Përvathi, i cili në muajin janar 2022 vrau me armë për gjakmarrje Lek Lekgjonajn në fshatin Manati të Lezhës.

Përvathi akuzohet për vrasje për gjakmarrje dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykata e dënoi me 12 vite burg Florian Përvathin, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai do të vuajë 8 vite burgim pasi i ulet 1/3 e dënimit.

Vëllai i viktimës Lek Lekgjonaj, kishte vrarë disa vite më parë babain e Florian Përvathit dhe u largua nga Shqipëria për shkak të frikës së gjakmarrjes.

Por në janar të këtij viti, Florian i shkoi në banesë vëllait të vrasësit të babait të tij duke e ekzekutuar për gjakmarrje, edhe pse i ndjeri nuk ishte i përfshirë në krimin e disa viteve më parë.

Saga e familjes së Lekgjonaj dhe Përvathi filloi shume vite më parë për çështje pronësie.

Në nëntorin e vitit 2009, kur autori i krimit të sotëm ishte vetëm 4 vjeç, Gjon Përvathi, babai i autorit të sotëm, është qëlluar për vdekje nga Ndue Lekgjonaj.

Në momentin që autori i krimit po largohej nga vendngjarja, është përplasur me të afërmin e viktimës, ku e ka lënë të plagosur këtë të fundit.

Më pas ka përplasur me makinë djalin 14-vjeçar të Gjon Përvathit, i cili është vëllai i autorit, Florianit.

Atë ditë nëna e Florit piu fostoksinë duke i dhënë fund jetës. Djaloshi mbeti jetim që në moshën 4-vjeçare.

Floriani u rrit me idenë për të çuar nderin në vend dhe për t’i marrë gjakun babait. Ai gjeti momentin në janarin e këtij vitit duke ekzekutuar Lek Lekgjonajn.

I rritur pa të dy prindërit, duket se 17-vjeçari e ka pasur një plan të fshehtë për të vënë në vend sipas tij drejtësinë e munguar.

Për këtë ngjarje ka reaguar dhe misionari i pajtimit të gjaqeve, Pjetër Gjoka. Ai tha se është befasuar, pasi prej vitesh nuk kishte konflikte mes palëve.

Gjoka është shprehur se në 2009-ën, nga vetë viktima ka pasur një tentativë për pajtim.

Gjithashtu ai theksoi se dhe nga fisi i Pervathëve u është thënë se ka një pajtim të momentit, por jo një zgjidhje të përhershme të situatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë