Ngjarje

Vrasja për gjakmarrje në Lezhë, adoleshenti nuk ka shprehur pendesë

Gazeta Si - Një ditë pas krimit për gjakmarrje në fshatin Manati të Lezhës, Florian Pervathi nuk ka shfaqur pendesë për vrasjen e 65-vjeçarit Lek Lekgjonaj.

Adoleshenti, i cili mori hak për babain e tij, që 13 vite më parë ishte vrarë nga vëllai i viktimës së djeshme, është marrë në pyetje nga grupi hetimor.

Sipas informacioneve paraprake, Pervathi është në gjendje të rënduar psikologjike. Në dëshminë e tij para prokurorëve, ai ka pranuar që e vrau ish-fqinjin për hakmarrje dhe nuk ka shprehur pendesë.

Kjo pasi në 2009-n vëllai i Lek Lekgjonaj, Ndue Lekgjonaj vrau me armë zjarri babain e 17-vjeçarit. E tronditur nga ngjarja, të njëjtën ditë nëna e të miturit i dha fund jetës.

Së bashku me vëllezërit dhe motrën e tij, Floriani mbeti jetim. Një tragjedi që fatkeqësisht, 13 vjet më vonë solli një tjetër humbje jete, atë të 65-vjeçarit Lek Lekgjonaj.

Ky i fundit kishte shkuar për t’u marrë me punë të hënën tek shtëpia e tij e vjetër kur 17-vjeçari e qëlloi për vdekje me pistoletë dy herë në kraharor. Pas krimit, adolehenti është dorëzuar në polici, ku para punonjësit të policisë pranoi se kishte vrarë fqinjin e tij.

I rritur pa të dy prindërit, duket se 17-vjeçari e ka pasur një plan të fshehtë për të vënë në vend sipas tij drejtësinë e munguar.

Për këtë ngjarje ka reaguar dhe misionari i pajtimit të gjaqeve, Pjetër Gjoka. Ai tha se është befasuar, pasi prej vitesh nuk kishte konflikte mes palëve.

Gjoka është shprehur se në 2009-ën, nga vetë viktima ka pasur një tentativë për pajtim.

Gjithashtu ai theksoi se dhe nga fisi i Pervathëve u është thënë se ka një pajtim të momentit, por jo një zgjidhje të përhershme të situatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë