Drejtësia

Mori hak për vrasjen e babait, prokuroria kërkon 8 vite burg për 17-vjeçarin në Lezhë

Gazeta Si - Prokuroria e Lezhës ka kërkuar 8 vite burg për 17-vjeçarin Florian Përvathi, i cili në muajin janar të këtij viti vrau me armë bashkëfshatarin Lek Lekgjonaj.

Prokurori ka ngritur akuzat e vrasjes për gjakmarrje dhe armëmbajtjes pa leje për adoleshentin.

Sipas organit të akuzës, Florian Përvathi e ka kryer krimin me paramendim, pasi vëllai i viktimës i kishte vrarë babain kur Floriani ishte 4 vjeç.

Pistoletën e krimit, prokuroria dyshon se 17-vjeçari e gjeti në Shkodër 1 vit më parë.

Lek Lekgjonaj u ekzekutua me armë mesditën e 24 janarit 2022 në fshatin Manati të Lezhës.

Autori 17-vjeçar nuk u largua nga vendngjarja pas krimit. Aktualisht ai është në burgun e të miturve në Kavajë.

Që prej vrasjes së babait të Florjanit, familja e Lekgjonajt ishin larguar nga fshati.

Ndue Lekgjonaj, vëllai i Lekës, ishte ai që i mori jetën të atit të adoleshentit në vitin 2009.

Atë ditë nëna e Florit piu fostoksinë duke i dhënë fund jetës. Djaloshi mbeti jetim që në moshën 4-vjeçare.

Floriani u rrit me idenë për të çuar nderin në vend dhe për t’i marrë gjakun babait. Ai gjeti momentin në janarin e këtij vitit duke ekzekutuar Lek Lekgjonajn.

I rritur pa të dy prindërit, duket se 17-vjeçari e ka pasur një plan të fshehtë për të vënë në vend sipas tij drejtësinë e munguar.

Për këtë ngjarje ka reaguar dhe misionari i pajtimit të gjaqeve, Pjetër Gjoka. Ai tha se është befasuar, pasi prej vitesh nuk kishte konflikte mes palëve.

Gjoka është shprehur se në 2009-ën, nga vetë viktima ka pasur një tentativë për pajtim.

Gjithashtu ai theksoi se dhe nga fisi i Pervathëve u është thënë se ka një pajtim të momentit, por jo një zgjidhje të përhershme të situatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë