Ka ndodhur

Lezhë, adoleshenti vret për gjakmarrje 65-vjeçarin për vrasjen e babait 13 vite më parë

Një 65-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri për hakmarrje mesditën e të hënës në fshatin Manati të Lezhës nga një 17-vjeçar, i cili nuk e kishte harruar vrasjen e babait të tij.

Autor i vrasjes është 17-vjeçari Florian Pervathi, i arrestuar tashmë nga policia, i cili ka vrarë në oborrin e shtëpisë Lek Lekgjonajn, 65-vjeç. Vëllai i 65-vjeçarit, Ndue Lekgjonaj, ka vrarë në vitin 2009, babain e të miturit, Gjon Pervathin me motivin se i kishte bllokuar rrugën, gjë që ka çuar në konflikt dy familjet.

Por ngjarja është bërë edhe më dramatike, pasi pas vrasjes së kryefamiljarit Gjon Përvathi, mamaja e të miturit ka vrarë veten duke pirë helm për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike. Çifti Përvathi la 4 fëmijë jetimë.

Policia në banesën e viktimës në fshatin Manati, Lezhë

Dy familjet e kishin pushuar si çështje mes tyre, por duket se djali i viktimës nuk e kishte harruar vrasjen e babait të ndodhur 13 vite më parë. Autori i krimit të sotëm, ishte vetëm 4 vjeç kur i vranë babanë.

Familjet mësohet se kishin qenë dikur fqinj me njëri-tjetrin, por pas ngjarjes së vitit 2009, Lek Lekgjonaj ishte zhvendosur me banesë. Këtë të hënë ai mësohet se kishte shkuar pikërisht tek shtëpia e vjetër ku po merrej me disa punime.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00, ku adoleshenti duket se ka pritur sa të dalë Lekgjonaj nga shtëpia për ta ekzekutuar pikërisht në oborr. Pas ngjarjes, policia ka sekuestruar edhe armën e zjarrit të 17-vjeçarit.

Tragjedia e dyfishtë në familjen Pervathi

17-vjeçari Florian Pervathi ishte vetëm 4 vjeç kur humbi të dy prindërit në një ditë. Ngjarja tragjike ndodhi më 22 Nëntor të vitit 2009. Babai i adoleshentit, Gjon Përvathi, ishte vetëm 42-vjeç kur u vra nga Ndue Lekgjonaj po në të njëjtin fshat. Nga ngjarja mbeti i plagosur edhe vëllai i Florianit, në atë kohë 14-vjeç.

Kur mori lajmin për vdekjen e të shoqit, nëna e Florianit, Martine Përvathi u vetëhelmua, duke i dhënë fund jetës. 4 fëmijë mbetën jetimë, 3 vëllezër dhe motra e tyre e vogël. Një tragjedi që fatkeqësisht, 13 vjet më vonë solli një tjetër humbje jete, atë të 65-vjeçarit Lek Lekgjonaj.

Duke iu referuar të dhënave të ngjarjes së vitit 2009, konflikti mes dy familjeve kishte qenë i hershëm. Për policinë e asaj kohe, ishin të njohura konfliktet e pronësisë dhe kanosja me armë që Gjon Përvathi i kishte bërë fqinjëve, prandaj ai ishte burgosur e dënuar. Në kohën kur ai u vra, kishte vetëm pak ditë që kishte dalë nga burgu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë