Treg

Bujqësia e kërcënuar-Hordhitë e insekteve nga Azia dhe Afrika po sulmojnë Shqipërinë

Nga Gazeta ‘Si’-Grerëza aziatike që po kërcënon masivin më të madh të gështenjave në Tropojë dhë karkaleci që po dëmton të mbjellat në jug të vendit, janë dy këmbanat e reja të alarmit për bujqësinë.

Sipas ekspertëve të fushës, nëse nuk do të ndërhyhet në kohë, dëmi në Tropojë do të jetë aq kolosal sa në dy vitet e ardhshme mund të mos kemi më gështenja.

Shpend Nikoçi, drejtues i Shoqatës “Gështenja e Tropojës” thotë se grerëza aziatike, ka reduktuar ndjeshëm rendimentin e frutave dhe prodhimin e lëndës drusore deri në 80%.

Gjithashtu ai thekson se në disa rajone ajo ka shkaktuar edhe tharjen e plotë të pemëve të gështenjës pasi shkakton rënie progresive të fuqisë ekologjike.

“Grerëza aziatike shkakton dëmtimin më të rëndë nga të gjithë insektet që prekin gështenjën sipas Organizatës Europiane dhe Mesdhetare për Mbrojtjen e Bimëve.

Sapo shfaqet në pemën e gështenjës ajo ndërton guaskën që i siguron mbrojtje të garantuar nga të gjitha metodat e njohura të luftimit të insekteve.

Kjo po ndodh kryesisht për shkak të ndryshimeve klimaterike dhe ngrohjes globale të cilat po krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e tyre”, deklaron Nikoçi duke shtuar që fillimisht u përhapën në rajon dhe më pas erdhën në Shqipëri.

Masivi i gështenjave në Tropojë është burimi kryesor i të ardhurave për 3000 familje por pas kësaj “lufte biologjike” siç e konsiderojnë ekspertët e bujqësisë, xhepat e tyre do të varfërohen.

Nikoçi thotë se fermerëve pas shfaqjes së këtij insekti do t’u mungojnë të paktën 6.5 mln dollarë të ardhura si pasojë e mungesës së realizimit të prodhimit të mjaltit nga lulet e gështenjës dhe të frutit.

“Gështenja është pema rekord e prodhimit të mjaltit. Është e vetmja që arrin të prodhojë deri 200 gramë mjaltë për pemë. Referuar këtij dëmi ekonomik gjendja bëhet shumë emergjente dhe duhet të merren menjëherë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës së jashtëzakonshme”, tha ai.

Ai vëren se deri tani metoda më e efektshme për të luftuar këtë insekt shkatërrues të gështenjës është importi i insektit ‘Torymus sinensis’.

“Por për t’u realizuar importi i disa kolonive të këtij insekti kërkohet përveç fondeve financiare, bazës materiale e mjeteve të nevojshme edhe informacion në lidhje me plotësimin e kushteve deri sa të takojë grerëzën kineze që e ka ushqim të preferuar. Ndryshe jemi të humbur në çdo anë”, thotë ai.

‘Karkaleci maroken po dëmton ndjeshëm të mbjellat’

Ndërkohë, nga ana tjetër, fermerët e Myzeqesë, kanë paralajmëruar se do të ndalojnë së punuari tokën për shkak të kolonive të karkalecit, një problem në fakt që është shfaqur prej do kohësh.

Sipas vrojtimit fushor të Autoritetit Kombëtar të Mbrojtjes së Bimëve struktura e popullatës së karkalecave është e përbërë nga karkaleci italian dhe maroken.

Fermerët shprehen se nëse nuk merren masa do t'i lënë tokat djerrë

Deri tani dëmet më të mëdha janë bërë në sipërfaqet e mbjella me foragjere dhe shalqi.

Fermerët thonë për Gazetasi.al se e kanë të pamundur të luftojnë karkalecin që rrezikon bujqësinë për shkak të kostove të larta të kimikateve bujqësore.

“Ata janë në fazën e çeljes së larvës tani dhe eksperienca me vitet e tjera ka treguar se është momenti i duhur ku duhet ndërhyrë për t’i asgjësuar por është bërë shumë pak.  Ka vatra masive të tyre kudo sidomos në tokat djerrë por pasi çelin zhvendosen në tokat me të mbjella. Kam 5 HA tokë por më shumë po më dëmton jonxhën dhe bishtajoret”, thotë për Gazetasi.al Altin Muça, fermer në zonën e Lushnjes.

Ai shton mandej se nëse nuk do të ketë ndërhyrje nga qeveria vitin tjetër do t’i lërë tokat e tij djerrë.

“Dhe si unë, janë shumë fermerë të tjerë në Fier, Myzeqe e Vlorë. Vjet ishte problem karkaleci i kuq, këtë vit është ky lloji tjetër. Me këto ritme dhe ndërhyrje të avashta bujqësia në Shqipëri do të marrë fund”, mbyll ai fjalinë për Gazetasi.al.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë