Menaxhim

Ministria e Bujqësisë e humbi betejën edhe me karkalecin

Situata me kolonitë e karkalecit maroken sipas fermerëve ishte paralajmëruar që në dimër por dezinfektimi nga Ministria e Bujqësisë(që ndodhi në qershor) u bë vonë sipas tyre duke sjellë në këtë agravim të situatës.

Nga Gazeta ‘Si’ - Bujqësia shqiptare vijon të jetë e rrezikuar nga kolonitë e karkalecit maroken që po dëmtojnë masivisht të mbjellat, edhe pas ndërhyrjes së bërë në qershor nga Ministria e Bujqësisë.

Për fermerët, masat e marra ishin krejtësisht të pamjaftueshme pasi dezinfektimi nuk u bë në kohën e duhur. Tani situata sipas tyre ka agravuar më tej dhe pesimistë deklarojnë se po mbledhin “çfarë të munden” nga kulturat që kanë mbetur pa u prekur.

Sipas të dhënave, zonat më të infektuara janë ajo e Divjakës dhe e Belshit, përkatësisht me një sipërfaqe prej 1000-1100HA ku dëmet më të mëdha janë bërë në sipërfaqet e mbjella me foragjere dhe shalqi.

Rreth 10% e kësaj siperfaqeje totale, ka vatra të fazave larvare të ndryshme, nga stadi i parë deri në të katërtin.

Alban Çakalli, një prej fermerëve, ndërsa flet për seriozitetin e situatës, i konsideron kolonitë e karkalecave si “një bombë” që do të shpërthejë në murtajë vitin tjetër.

“Karkaleci maroken është një polifag që konsumon mbi 150 lloje bimësh të ndryshme. Reshjet e shpeshta të shiut kanë ndikuar që ata të lëshojnë miliona vezë dhe të ketë mbi tre çiftëzime. Vezët janë lëshuar në brigje kanalesh që kanë vite pas u pastruar dhe punimi i tokave në muajin gusht do të zhdukte pjesën më të madhe të vezëve”, ka deklaruar ai.

Më tej Çakalli shton se me 450 mijë euro insekticid që Ministria hodhi në zonat e infektuara, zgjidhja mund të kishte qenë tjetërsoj.

“Me ato para po të bliheshin pula deti dhe t’iu dhuroheshin fshatarëve në vatrat e infektuara, do të kishim jo vetëm një luftë biologjike perfekte por edhe pula deti plot”, deklaron ai ndërsa thekson se Shqipëria krahas Afganistanit janë dy nga vendet që janë prekur më së shumti në botë këtë vit.

“Afganistani humbi një të katërtën e prodhimit bujqësor nga karkaleci në vitin 1981. Vitin e ardhshëm Shqipëria dhe Afganistani do të kenë të njëjtin dëmtim”, thekson mandej ai.

Fermerët gjithashtu thonë për Gazetasi.al se e kanë të pamundur vetë të luftojnë karkalecin për shkak të kostove të larta të kimikateve bujqësore.

“Në qershor ata ishin në fazën e çeljes së larvës dhe eksperienca me vitet e tjera ka treguar se është momenti i duhur ku duhet ndërhyrë për t’i asgjësuar por u bë shumë pak.  Për pasojë kishte vatra masive të tyre kudo sidomos në tokat djerrë. Pasi çelin zhvendosen në tokat me të mbjella.

Kam 5 HA tokë por më shumë po më dëmton jonxhën dhe bishtajoret”, thotë për Gazetasi.al Altin Muça, fermer në zonën e Lushnjes i cili thotë se tani po futet dhe te pemët.

“Duhet një luftë masive”, deklaron ai ndërsa vëren se nëse nuk do të ketë ndërhyrje nga qeveria vitin tjetër, do t’i lërë tokat e tij djerrë.

Karkaleci po dëmton ndjeshëm fushat e mbjella me shalqi

Një fermer tjetër shton se nga 25 HA tokë të mbjellë, gati 6 HA shalqi vitin e shkuar iu dëmtua nga karkaleci, kolonitë e të cilit nuk ishin aq masive sa këtë vit.

“Pothuajse në çdo cep janë vatrat me miliarda”, deklaroi ai.

Sipas vrojtimit fushor të Autoritetit Kombëtar të Mbrojtjes së Bimëve struktura e popullatës së karkalecave është e përbërë nga karkaleci italian dhe maroken.

Gazetasi.al pyeti Ministrinë e Bujqësisë nëse do të ndëmarrë masa të tjera të cilat në këtë fazë duhet të përkojnë me asgjesimin e vezëve por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, nuk ka marrë ende një përgjigje.

“Është një dëmtues i zakonshëm dhe në kushte të veçanta mund të marrë formën e një pandemie, duke shkaktuar dëme në parcelat bujqësore. Është viti i dytë që ky insekt shfaqet në të njëjtat zona, duke krijuar kështu një habitat të tij.

Për të marrë masat në kohë, Autoriteti i Mbrojtjes së Bimëve që prej vjeshtës së kaluar, ka njoftuar fermerët për masat që duhet të merren për të ulur infeksionin në zonat e identifikuara një vit më parë. Kultivuesit janë këshilluar që të bëjnë punime të thella të tokës dhe trajtimin e anëve të kanaleve, ku ky dëmtues vendos vezët”, deklaroi më herët në një njoftim të thatë për shtyp ministria.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë