Futboll

Buffon konfirmon largimin…nga Juvja: Po shqyrtoj disa oferta

Kishte paralajmëruar një konferencë për shtyp këtë të enjte, ku të gjithë prisnin që të deklaronte tërheqjen nga futbolli i luajtur. Por, Gigi Buffon ka habitur të gjithë.

Portieri veteran do të mbrojë për herë të fundit kuadratin në fushën e blertë me Juventusin këtë të shtunë, por jo domosdoshmërisht për herë të fundit në karrierën si lojtar.

“15 ditë më parë isha i sigurt që do t’i jepja fund karrierës si futbollist, por tani po shoh se më kanë ardhur oferta shumë interesante”, tha ai.

Me fjalën interesante, Buffon nënkupton oferta jashtë Italisë, ndërsa shton se vendimin përfundimtar do ta marrë me qetësi javën e ardhshme.

“Janë oferta nga klube jashtë Italisë. Javën e ardhshme do të vendos se çfarë do të bëj”, shprehet 40-vjeçari.

Largimin nga Juventusi e konfirmon, vetëm nëse po javën e ardhshme nuk do të pranojë propozimin e Andrea Agnellit.

“Kam edhe propozime si drejtues dhe më interesanti më është bërë nga Presidenti i Juventusit. Javën tjetër, pasi të kem pushuar, do të reflektoj e do të marr një vendim përfundimtar se çfarë do të bëj”, shton kapiteni i Juventusit.

Buffon në kohën kur luante për Parmën

Buffon debutoi me fanelën e Juventusit në vitin 2001, i blerë nga Parma për 35 milionë euro, një shifër rekord për një portier. Këtë rekord do ta mbante deri në qershorin e vitit 2017, kur Manchester City shpenzon rreth 38 milionë euro për portierin brazilian, Ederson.

Në palmaresin e tij numëron një Kupë Bote, nëntë tituj kampion i Italisë, pesë Kupa të Italisë dhe gjashtë Superkupa të Italisë.

Pengu më i madh për të mbetet Champions League, një trofe të cilit i shkoi 3 herë pranë, por humbi në të trija finalet, përkatësisht ndaj Milanit me penallti në 2003, ndaj Barcelonës në 2015 dhe vitin e kaluar ndaj Realit të Madridit.

Buffon i drejtohet gjyqtarit Oliver pasi ky i fundit dha një 11-metërsh në favor të Realit, në çerekfinalen e dytë të Champions League të këtij sezoni

Në këtë kompeticion karrierën e mbyll jo ashtu siç do dëshironte. Ndaj tij, UEFA ka nisur një hetim në lidhje me sjelljet dhe reagimet e bëra në fund të ndeshjes ndaj gjyqtarit Oliver, pasi ky i fundit dha një 11-metërsh për Realin në minutën e 94 të takimit.

Në këtë minutë sfida ishte 0-3 për bardhezinjtë, që e dërgonte ndeshjen në shtesë, falë fitores po 0-3 të Realit në Torino. Por, penalltia e shndërruar në gol më minutën e fundit eleminoi torinezët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë