Financa Personale

BSH: Klientët që marrin pagën në bankë përfitojnë hua më të lirë

Qytetarët që paguhen me pagë në bankë do të mund të përfitojnë hua më të lira, duke u cilësuar si klientë me rrezik të ulët.

Sipas ndryshimeve nga Banka e Shqipërisë, në rregulloren “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”, thuhet se kësti i huasë mbahet direkt nga paga. 

Kjo rregullore llogarit shkallën e mbulimit me kapital që bankat duhet të aplikojnë për kreditë, instrumentet financiare dhe të gjithë format e tjera të ekspozimit financiar.

Kredimarrja do të lehtësohet edhe për pensionistët, por bankat mund të caktojnë masën e rrezikut deri në 35% të vlerës së dhënë. Sa më i ulët është koeficienti i ponderimit, aq më pak mbulim me kapital rregullator kërkohet për kredinë në fjalë. Në rastin konkret, ulja e këtij koeficienti nga 75% në 35% redukton koston e bankës për të kredituar tek segmenti i klientëve paga marrës dhe e lehtëson huadhënien. Pesha e rrezikut është koeficienti me të cilin shuma e kredisë shumëzohet për të ndërtuar raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit.

Megjithatë, rregullorja përcakton disa kushte për të mundësuar një klasifikim të tillë. Së pari, duhet që kredimarrësi të autorizojë pa kushte fondin e pensionit ose punëdhënësin për të bërë pagesa të drejtpërdrejta në bankë, duke zbritur pagesat mujore të kredisë nga pensioni ose paga mujore e tij. Gjithashtu, rreziqet e vdekjes, paaftësisë për të punuar, papunësisë ose reduktimit të pensionit ose pagës mujore neto të kredimarrësit, mbulohen në mënyrën e duhur nga një policë sigurimi e nënshkruar nga kredimarrësi në përfitim të bankës. Pagesat mujore që duhet të bëhen nga kredimarrësi për kredinë nuk duhet të tejkalojnë 20% të pensionit ose pagës mujore neto të kredimarrësit. Maturiteti origjinal maksimal i kredisë duhet të jetë i barabartë ose më i vogël se dhjetë vjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë