Ne rrjet

Britanikët i japin Boris Xhonsonit një mandat të “plotfuqishëm”

I njëjti kryeministër, por një ndarje e re pushtetesh. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Britaninë e Madhe rezultuan të ishin fitore shumë më e madhe nga sa konservatorët e kishin ëndërruar.

Partia kryeministrit Boris Xhonson ka triumfuar bindshëm me 364 deputetë , duke fituar kështu 36 ligjvenës më shumë se shumica e nevojshme për të formuar qeverinë.
Sipas rezultateve, Partia Laburiste siguroi 213 deputetë, (47 deputetë më pak së në zgjedhjet e kaluara), Partia Kombëtare e Skocisë 48 dhe Liberal-Demokratët 11.
Analistët janë të bindur se fitorja e Boris Xhonson do ta vërë Brexitin në rrugën e duhur, pasi me fitoren e fuqishme në zgjedhjet e 12 dhjetorit, ai rikthehet si kryeministër me kapital shumë më të madh politik.

Në fjalimin e tij të fitores, Xhonson deklaroi se rezultati i jep fund edhe debatit për mbajtjen e një referendumi të dytë për daljen nga Bashkimi Europian.

"Kjo zgjedhje do të thotë Brexit, është vendimi i pakundërshtueshëm dhe i paharueshëm i popullit britanik. Dhe se me këto zgjedhje unë mendoj se ne i japim fund të gjitha kërcënimeve të mjerueshme për një referendum të dytë", tha ai.

Duke këmbëngulur që të gjithë kandidatët konservatorë të mbështetin marrëveshjen e Brexit që ai arriti me Brukselin në tetor, Xhonson tha kjo ajo duhet të kalojë në parlamentin britanik pa vonesa të mëtejshme.

Krahasimi i rezultateve zgjedhore mes zgjedhjeve te vitit 2019 dhe atyre te vitit 2017. Gazeta Si, 2019

Në fjalimin e tij të fitores, Xhonson u tha aktivistëve se ishte një "agim i ri" për vendin, duke i bërë jehonë komenteve të Toni Bler kur fitoi në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1997.

Ai falënderoi votuesit e partisë Laburiste, shumë prej të cilëve, sipas tij e kishin mbështetur për herë të parë Konservatorët, duke u zotuar të mos i zhgënjente për "besimin e shenjtë" që i kishin dhënë.

"Ju mund të vendosni të votoni për Partinë Laburiste herën tjetër, por sot unë jam i përulur që kemi vendosur të besoni tek unë, dhe nuk do ta marr kurrë mbështetjen tuaj si të mirëqenë," tha ai. " Misioni im sot do të jetë të punoj natë e ditën, për t’ju dëshmuar se bëtë zgjedhjen e duhur që votuar për mua, por edhe për të fituar mbështetjen tuaj në të ardhmen”, shtoi Xhonson.

Laburistët kanë pësuar humbjen më të madhe që nga viti 1935, sidomos në Anglinë Veriore, Midlands dhe Uells, zona që mbështetën fuqishëm Brexitin në referendumin e 2016-ës. Disa zona elektorale që njihen si bastione të laburistëve, si Darlington, Sedgefield do të kenë një deputet konservator për herë të parë pas shumë dekadash.

Por çfarë do të thotë kjo fitore për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja dhe a do të mund të arrijë Xhonson një marrëveshje përpara 31 janarit, i cili është edhe afati i ri i divorcit nga unioni?

Pa u shpallur ende rezultatet përfundimtare, partia Konservatore deklaroi të se ishte gati për të filluar fazën tjetër të negociatave me Bashkimin Europian.

Boris Xhonson, Gazeta Si, 2019

"Tani do të kemi shumë më të lehtë të diskutojmë me parlamentin" tha një këshilltar i lartë i Xhonsonit. "Për sa i përket afatit të Brexit, pas zgjedhjeve të përgjithshme, miratimi i marrëveshje do të jetë një proces shumë i drejtpërdrejtë, sepse në parlamentin e ri shumica e deputetëve duan të arrihet sa më parë pakti për daljen nga BE-ja", tha ai.

Dhoma e Komunëve pritet të votojë pro ose kundër marrëveshjen e re të Brexit përpara Krishtlindjeve. Më pas ajo do të kalojë në Dhomën e Lordëve dhe pasi të ratifikohet nga Parlamenti Britanik, do të duhet të miratohet edhe nga Parlamenti Europian. Tani që ka shumicën, ky proces pritet të kalojë pa probleme, duke i dhënë mundësi Xhonsonit të mos e kalojë afatin e datës 31 janar për daljen zyrtare nga BE-ja.

“Thembra e Akilit” në negociatat mes BE-së dhe Britanisë ka qënë arritja e një marrëveshjeje se është tregu i vetëm. Britania do të mund të bëjë tregti me vendet anëtare në kushtet ekzistuese deri në fund të dhjetorit të vitit 2020. Gjatë kësaj periudhe tranzicioni, Xhonson do të duhet të vendosë se çfarë lloj marrëdhënieje tregtare do të vendosë me BE-në pas Brexitit. Kjo marrëveshje është parë si një pikë kyçe për të gjitha rregulla te reja që do vendosën mes Mbretërisë së Bashkuar dhe unionin europian pas divorcit, për gjithçka, duke filluar siguria, mbrojtja, peshkimi, mbrojtja të të dhënave apo shkenca.
Konservatorët presin një riorganizim të qeverisë së shpejti, për të përgatitur Londrën për fazën e dytë të negociatave.

Analisti John Foster thotë se shumica konservatore duhet të mundësojë një "tërheqje të qetë dhe të rregullt" nga Bashkimi Europian, e cila me shumë mundësi do të çojë në një marrëveshje tregtare që do ta mbajë Britaninë e Madhe të përafruar me Brukselin.

Por nëse Xhonson nuk do të mund të arrijë një marrëveshje tregtare gjatë fazës të tranzicionit, ai do të detyrohet të dalë BE-në pa marrëveshje paraprake, një hap që është kundërshtuar jo vetëm nga laburistët, por edhe konservatorët.

Boris Xhonson, Gazeta Si, 2019

Megjithatë, gjatë fushatës zgjedhore, konservatorët premtuan të mos zgjasin periudhën e tranzicionit të Brexit, edhe me një shumicë kaq të madhe, Johnson mund të kërkonjë akoma më shumë kohë për të arritur një marrëveshje sa më gjithëpërfshirëse me BE-në.

“Ditën që marrëveshja e Brexit do të kalojë nëpër parlament, do të jetë dita që do fillojnë të gjitha problemet" tha Richard Whitman, një analist i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Kentit. "Duke vendosur një afat të shkurtër për arritjen e kësaj marrëveshjeje, pa artikuluar qartë të gjitha aspektet e saj, qeveria britanike ka krijuar tanimë një skenar përplasjesh si me BE-në ashtu dhe me opozitën në parlament”, thotë ai.

Sipas analistëve, tani që ka marrë shumicën, hapi i parë i qeverisë së Xhonson do të jetë ri-përcaktimi i përparësive të Britanisë së Madhe në këtë raund të dytë të negociatave.

Gjatë fazës së parë të negociatave për Brexit, BE ishte ajo që vendoste për temat që do të diskutoheshin në rendin e ditës. Kjo u pranua nga ish-kryeministrja Theresa May, duke bërë që Britania të humbiste fuqitë negociuese dhe u kritikua ashpër nga vetë Xhonson. Por pasi erdhi në pushtet, edhe vetë kreu i Partisë Konservatore i kishte “duart e lidhura” për shkak të pozicionit të dobët të partisë së tij në parlament dhe presionit të BE-së nga njëra anë.

Por ashtu siç tha dhe vëtë Xhonson, këto zgjedhje duket se i kanë ofruar “një agim të ri” qeverisë së tij për të çuar deri në fund daljen e Britanisë nga BE-ja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë