Ne rrjet

Brexit, rrëzohet për herë të dytë plani i kryeministres May

Parlamenti britanik ka hedhur poshtë marrëveshjen e Brexit, e iniciuar me këmbëngulje nga kryeministrja Theresa May për herë të dytë. Deputetët në favor ishin 242, ata kundër 391. Hendeku ishte 149 vota, më i ulët nga 230 qe ishte përpjekja e parë e dështuar në janar, me humbjen më të madhe të pësuar ndonjëherë nga një qeveri e Madhërisë së saj në historinë moderne të Britanisë së Madhe.

Votimi me rezultatin 391 kundër dhe 242 pro, ka gjasa ta vonojë procesin Brexit ose ta çojë në dështim të plotë. Votimi i së martës ishte një goditje e fortë për Zonjën May dhe kërcënon pozitën e saj si kryeministre.

Votimi e lë vendin pa ndonjë rrugë të qartë, vetëm 17 ditë përpara afatit përfundimtar për largimin nga Bashkimi Evropian.

Parlamenti është thellësisht i ndarë për çështjen se si do të veprohet me procesin Brexit dhe nëse do të thirren zgjedhje të reja apo një referendum i dytë.

Kryeministrja Theresa May tha se qeveria e saj do të dërgojë një mocion në parlament, nëse ligjvënësit do të mbështesin braktisjen e BE-së më 29 mars me ose pa marrëveshje. Bashkimi Evropian paralajmëroi gjatë ditës se nëse marrëveshja për Brexit hidhet poshtë, “nuk do të ketë shans të tretë”.

Kryeministrja britanike iu tha më herët ligjvënësve se ndarja e Britanisë nga Bashkimi Evropian mund të rezultojë në humbje, nëse ata nuk votojnë për marrëveshjen e re të shkëputjes që ajo negocioi me Bashkimin Evropian.

Për opsionin e shkëputjes "pa marrëveshje” votohet ditën e mërkurë, e nëse edhe ky opsion refuzohej, atëherë të enjten do të vendoste nëse do t’i kërkonte BE-së të shtyje procesin e “Brexit”-it.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë