Ne rrjet

Brexit po shuan shkëlqimin e futbollit anglez

Qeveria britanike njeh disa pasoja negative të Brexit deri në këtë fazë të negociatave të divorcit me Brukselin, por thotë që këto janë efekte anësore të përkohshme dhe se në përfundim të të gjithë procesit, situata do të ndryshojë krejtësisht në mënyrë pozitive.

Por, gjasat janë që kur Britania e Madhe të ketë mbyllur hesapet e shkëputjes me Bashkimin Europian, futbolli të jetë pjesa më e dëmtuar dhe ajo që rrezikon më shumë është Premier League angleze.

Klubet e kësaj lige kanë paralajmëruar qysh prej fillimit pasojat, ndërkohë që tani thotë se këto pasoja të paralajmëruara kanë nisur të shfaqen.

“Rruga e ndjekur nga qeveria në procesin Brexit është duke shkaktuar një kaos dhe po na dëmton shumë. Po na dëmton sidomos në pjesën e merkatos. Lojtarët po refuzojnë gjithnjë e më shumë që të luajnë në Angli për shkak të pasigurisë dhe frikës se mund të kufizohet leja e lëvizjes në të ardhmen”, thotë Presidenti i klubit Burnley, Mike Garlick.

Garlick udhëheq një skuadër surprizë, që në sezonin e kaluar arriti që të zerë një vend në Ligën e Europës. Por, përpjekjet e tij për të fuqizuar skuadrën dhe rritur cilësinë e grupit në kuadër të fushatës europiane kanë hasur shpesh refuzimin e lojtarëve që kanë qenë objektivë të merkatos verore.

Pjesëmarrja në arenën europiane e bën Burnleyn një mjedis joshës për lojtarët mesatarë, ndërsa për skuadrat e tjera më të dobta situata është akoma më shumë e vështirë.

“Brexit po zgjeron dhe do të zgjerojë akoma më shumë hendekun mes skuadrave të mëdha dhe atyre të vogla në Angli. Rënia e vlerës së paundit karshi euros, e shkaktuar kryesisht si pasojë e Brexit po e bën shumë më të vështirë për klubet që të nënshkruajnë me lojtarë që luajnë në kampionatet e tjera cilësore europiane”, deklaron Presidenti i Stokes, Peter Coates.

Garlick dhe Coates janë në një mendje ku flasin për masën e parë që duhet ndërmarrë për të lehthësuar disi situatën.

“Qeveria duhet të lehtësojë lëvizjen e lirë dhe sidomos vizat e punës për futbollistët. Nëse vazhdojnë kufizimet e nisura deri më tani, talentet e mundshëm që ne kërkojmë nga Europa kushtëzohen që të na zgjedhin si pasojë e këtë”, thonë ata.

Fajin për këtë situatë e kanë edhe tifozët e Burnley-t dhe Stokes. Në të dy këta qytete, vota ‘pro’ shkëputjes mori një shumicë të konsiderueshme, përkatësisht 67 për qind në Burlney dhe 69 për qind në Stoke.

Qeveria britanike nga ana tjetër zotohet që të vazhdojë të ruajë “shkëlqimin” dhe “lulëzimin” e sportit britanik.

“Qeveria njeh vlerat e sportit në Britani dhe është e vendosur që të ruajë shkëlqimin e këtij sektori”, thuhet në një deklaratë të shkurtër publike të ministres së Sportit, Tracey Crouch, si përgjigje e shqetësimeve të ngritura nga disa klube futbolli dhe sporteve të tjera.

Aktualisht, lojtarët e të gjitha sporteve nga vendet e Bashkimit Europian mund të luajnë si profesionistë në Britaninë e Madhe si pjesë e rregullave të lëvizjes së lirë, ndërsa atyre jashtë BE-së u nevojitet një vizë punësimi.

Londra dhe Brukseli janë angazhuar në bisedime të ethshme sa u takon kushteve të divorcit. Bisedimet janë të vështira, sidomos për ishullorët, që kanë lëshuar ndjeshëm nga kërkesat fillestare në këtë proces, ndërkohë që Bashkimit Europian mbetet i vendosur dhe i qartë në kërkesat e tij.

Në gjithë këtë panoramë ka parashikime, edhe pse të pakta, që procesi të mbyllet pa një marrëveshje përfundimtare, që do të përkthehej në një izolim të pashembullt ekonomik, kulturor dhe sportiv për Britaninë e Madhe.

“Një shkëputje e vrullshme dhe pa një marrëveshje të zbutur do të minonte suksesin, jo vetëm të futbollit britanik, por edhe të ekonomisë dhe gjithë fushave të tjera të shoqërisë sonë”, thotë Peter Coates.

Peter Coates është pjesë e familjes që zotëron grupin Bet365, një kompani bastesh dhe lojërash sportive që kontribuoi me rreth 300 mijë euro pro qëndrimin në Bashkimin Europian gjatë fushatës për referendumin në vitin 2016.

Burimi: BBC, The Guardian, The Independent

 

Më Shumë