Teknologji dhe Inovacion

Brenda tri viteve, bota do të mund të rezervojë një taksi fluturuese

Për shumë njerëz, ideja e taksive fluturuese është e pamundur por duket se me zhvillimin e teknologjisë, kjo ide është më afër se kurrë.

Me Uber dhe Boeing që krijojnë taksi fluturuese eVTOL (ngritje dhe ulje elektrike vertikale), një raport parashikon që deri në vitin 2040 do të ketë 430,000 automjete të tilla në veprim në të gjithë botën.

Kjo vjen pasi gjithnjë e më shumë po testohen dronët, me tregun global për këto që vlerësohet të jetë me vlerë 5.6 miliardë dollarë deri në vitin 2028, sipas një vlerësimi.

Për të trajtuar kërkesat e një të ardhmeje, në të cilën dronët dhe taksitë fluturuese ndajnë hapësirën ajrore, do të jetë nevoja dhe që qytetet të ndërtojnë shumë mini-aeroporte, të quajtur “Skyports”.

Këto mini aeroporte do të nevojiten në mënyrë që taksitë fluturuese të mund të ulen në vendet ku njerëzit duan të shkojnë.

Firma Joby Aviation në Kaliforni është në proces krijimi të këtyre taksive dhe deri tani ka kryer më shumë se 1000 fluturime provë të mjetit të saj eVTOL.

Firma shpreson të marrë miratimin e Administratës Federale të Aviacionit (FAA) për të filluar punën në 2024.

Automjeti i Joby mund të mbajë katër pasagjerë, të udhëtojë me shpejtësi deri në 322 km/ph dhe ka një rreze veprimi prej më shumë se 241 km.

"Ne parashikojmë të ofrojmë shërbimin tonë për njerëzit që duan të lëvizin shpejt, shumë shpejt për në një destinacion të caktuar”, thotë Oliver Walker-Jones, zëdhënës i Joby.

Joby tashmë ka filluar dhe bashkëpunimin me disa kompani që të përdorë hapësirat e tyre si mini aeroporte.

Gjithë ideja e taksive fluturuese ka marrë një vëmendje të madhe nga shumë administrata të qyteteve amerikane.

Houston, Los Angeles dhe Orlando kanë njoftuar tashmë planet për të krijuar infrastrukturë për taksitë fluturuese dhe automjete të tjera të ngjashme.

Kryebashkiaku i Los Angeles, Eric Garcetti thotë se të gjitha vendet duhet ta shohin këtë mundësi dhe ta çojnë këtë shpikje në nivel ndërkombëtar.

Në Britaninë e Madhe, po bëhen planet për ndërtimin e mini aeroportit të vendit në Coventry.

Duke u bërë qendra e parë operacionale në botë për taksitë ajrore dhe dronët e ngarkesave, ai është duke u projektuar nga një kompani në Mbretërinë e Bashkuar e mbështetur nga Hyundai e quajtur Urban Air Port.

Quajtur si "aeroporti më i vogël në botë", kompania shpreson që kjo gjë të përsëritet në të gjithë botën për të zvogëluar bllokimet e rrugëve dhe ndotjen e ajrit nga makinat dhe kamionët.

"Aeroportet ekzistuese në të gjithë botën janë të mëdha dhe “të uritura” për karbon, me pista 1.2 km", thotë themeluesi dhe kryetari ekzekutiv i Urban Air Port, Ricky Sandhu.

Kjo është për shkak të teknologjisë dhe mënyrës se si avionët ngrihen dhe ulen.

Sadhu shton se Urban Air port, i cili pritet të hapet në fillim të vitit 2022, do të shërbejë si një "demonstrim logjistik".

Gjithsesi, ekspertët tregojnë se ka disa sfida që qëndrojnë në rrugën e ngritjes së taksive fluturuese.

Këtu përfshihen pranimi publik, prodhimi me vëllim të lartë, investimet dixhitale, energjinë dhe infrastrukturën fizike dhe zhvillimin e një sistemi të menaxhimit të trafikut ajror.

Sadhu thotë se pavarësisht sfidave, tashmë ekziston një kërkesë dhe interes i madh për Skyports nga qytetet në të gjithë Amerikën, Evropë dhe Azi.

"Ne mendojmë se do të shohim 200 porte urbane ajrore në të gjithë botën në pesë vitet e ardhshme, ndoshta dhe më shumë sepse vendet e mëdha do të kenë nevojë për më shumë”.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë