Menaxhim

Braçe: Të ndryshohet skema e fermerëve, hiqni TVSH-në. Ministria e Bujqësisë ka ‘ekspertë’ që shtojnë numrin e lopëve

Nga Gazeta 'SI' - Deputeti i PS-së, Erion Braçe ka propozuar një ndryshim total të skemës së subvencioneve për fermerët dhe TVSH-në.

Në komisionin e Ekonomisë, Braçe tha se skema e TVSH-së për fermerët është e padrejtë dhe vetëm ky sektor e ka të tillë, 0% në hyrje dhe 20% në dalje. Sipas tij, skema duhet të jetë 20 me 20 dhe duhen subvencionuar çdo kilogram e litër që në grumbullim, por të mos rimbursohet TVSH-ja.

Deputeti propozoi dhe heqjen e TVSH-së për bagëtitë e mbarsura, duke nxitur rritjen e numrit të lopëve dhe viçave në Shqipëri.

“Kam dy gjëra për këtë projektligj, referuar propozimeve që ka bërë Këshilli i Agrobiznesit, por dhe ato që kemi diskutuar, vazhdoj të insistoj te skema e TVSH-së për bujqësinë. Është skemë që siç edhe thonë grupet e interesit, shoqata që mbledh biznesin, ka dëmtuar rëndë sektorin e përpunimit. Çfarë propozohet aty që vjen e propozuar vit për vit, se pari; të rikthehet skema e autofaturimit, të kreditohet TVSH, dhe mos të rimbursohet TVSH. Është një gjë që i ofron grumbulluesve që të jenë të interesuar për të grumbulluar dhe përpunuar produktin vendas.

Ajo që po ndodh në këto momente me ullirin i ka të dyja aspektet edhe informalitetin, edhe me faktin se nuk grumbullohet dhe ka ngelur nëpër pemë. Kam një propozim që lidhet me kafshët, kryesisht mëshqerrat e mbarsura. Cili është problemi? Po e humbim numrin e lopëve vit për vit. Për të dhënë një stimul, duhet të përjashtojmë nga TVSH mëshqerrat e mbarsura. Ato vijnë në muajin e 7 në Shqipëri, i nënshtrohen një vlerë të shtuar në doganë. Janë të mbarsura apo jo, do pjellin apo jo…do kthehet pas, dhe së dyti paguajnë një çmim tjetër TVSH.

TVSH e llogaritur mbi të, dhe garancia, është kosto e madhe për gjithsecilin nga këta importues për një mëshqerrë. Mëshqerra pasi hyn në territorin e Shqipërisë, jep një viç dhe më pas 9 muajsh jep një viç të dytë. Në harkun e në vitit e gjysmë s’kemi vetëm një mëshqerrë, por dy”, - tha Braçe në komision.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj iu përgjigj Braçes se kjo është çështje politikash dhe jo çështje fiskale e kështu propozimi duhet t’i shkojë MInistrisë së Bujqësisë.

Ironikisht, Braçe tha se MBZHR-në, e thërret MFE dhe jo ai pasi ata jenë ekspertët që i nxjerrin lopët më tepër.

Deputeti demokrat, Arbi Agalliu ra dakord me propozimin e deputetit Braçe duke thënë se për shkak të politikave fiskale në sektorin bujqësor, prodhuesëve të bulmetit në vend iu del disa herë më lirë që lëndën e parë ta importojnë, dhe kompani të mëdha kanë nisur të importojnë qumësht nga vendet e tjera.

“Ulja në mënyrë të konsiderueshme e numrit të lopëve, deleve, etj, vjen nga mungesa e njerëzve dhe të nxitur nga politikat fiskale e më gjerë që mbulojnë këtë sektor. Prodhuesit e bulmetit sot, iu del disa herë më lirë që lëndën e parë ta importojnë, dhe kompani të mëdha kanë nisur të importojnë qumësht nga vendet e tjera.. Kështu që për ta ruajtur këtë sektor, të shikohet skema e TVSH, minimalisht rikthim në skemën 20/20. Nuk ka fermer që të themi me mirë sot. Për forcën punëtore dhe mungesa e mbështetjes”, - u shpreh Agalliu në komision.

Propozimi i Braçes, u rrëzua nga anëtarët e komisionit të cilët më pas vijuan me miratimin e ndryshimeve në buxhetin e shtetit 2023.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë