Treg

BQE mund të ngadalësojë blerjen e obligacioneve që nga qershori

Banka Qendrore Europiane mund të zvogëlojë programin e saj të blerjes së obligacioneve emergjente që në muajin e ardhshëm nëse ekonomia e Eurozonës nuk përkeqësohet, sipas anëtarit të Këshillit Drejtues, Martins Kazaks.

Kazaks, i cili gjithashtu drejton bankën qendrore të Letonisë, tha se premtimi i BQE për të mbajtur kushtet e financimit të favorshme mbetet thelbësor për të përcaktuar se sa mbështetje ka nevojë blloku i 19 vendeve.

Ndërsa rendimentet nominale të obligacioneve kanë shënuar rritje më të larta javët e fundit, ato të rregulluara për inflacionin kanë qëndruar të ulëta që kur zyrtarët vendosën në mars të rritnin përkohësisht ritmin e programit të tyre të blerjes emergjente pandemike.

"Nëse kushtet financiare mbeten të favorshme, në qershor mund të vendosim të blejmë më pak," tha Kazaks në një intervistë.

Kazaks, një nga 25 politikëbërësit në Këshillin Drejtues, theksoi se ekonomia do të ketë nevojë për stimuj të rëndësishëm monetarë. Kjo po mundësohet nga blerjet e obligacioneve emergjente, normat negative të interesit dhe huatë afatgjata të synuara që mbajnë lirshëm kushtet e kreditit të bankave për kompanitë dhe familjet.

Argumenti i tij sugjeron që rritjet e mëtejshme të normave të interesit të tregut në javët dhe muajt e ardhshëm nuk kanë nevojë për më shumë mbështetje të BQE-së. Ai tha se stimuli masiv fiskal i SHBA –së paraqet rreziqe të mëdha për perspektivën ekonomike.

“A do të reagojmë ndaj të gjitha rritjeve të normave të interesit? Jo, sepse normat e interesit në një moment do të duhet të rriten, "tha ai. "Ne shikojmë një varg të gjerë të variablave, dhe rëndësia e tyre mund të ndryshojë me kalimin e kohës për shkak të shumë faktorëve, një nga ata është faza e rimëkëmbjes."

Në mars, BQE parashikoi rritje prej 4% këtë vit. Hartuesit e politikave,përfshirë kryekonomistin Philip Lane, e quajnë akoma realiste, edhe pas një rënieje më të madhe se sa pritej në tremujorin e parë, pasi blloku më në fund ka filluar  të rritë ritmin e vaksinimeve kundër Covid-19.

Parashikimet e reja në qershor do të ofrojnë një pasqyrë të re mbi sa kohë do të duhet të shërohet ekonomia . Normat e inflacionit janë rritur në të gjithë Eurozonën muajt e fundit, megjithëse politikëbërësit thonë se rritjet kryesisht pasqyrojnë faktorë të përkohshëm dhe kalimtarë.

BQE parashikon që rritja e çmimeve të konsumit do të jetë mesatarisht vetëm 1.4% në 2023, shumë poshtë qëllimit të saj prej pak nën 2%.

Kazaks tha se zhvillimet ekonomike mund të lejojnë që BQE të përfundojë programin pa përdorur tërë shumën prej 1.85 trilionë euro (2.2 trilionë dollarë).

"Madhësia e paketës nuk është një e vërtetë absolute. Nëse ekonomia performon mirë, ka shumë të ngjarë që nuk do të kemi nevojë të shpenzojmë gjithçka."

Në të njëjtën kohë, është ‘e parakohshme’ të flasësh për një dalje nga programi pandemik mes pasigurisë e cila është ende mjaft e lartë.  Politika monetare do të mbetet shumë akomoduese. Nëse është e nevojshme, ne gjithashtu mund të krijojmë instrumente të rinj.”-tha ai.

Burimi: Bloomberg


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë