Menaxhim

BQE: 1.3 milionë refugjatë ukrainas mund t’i bashkohen forcës punëtore të eurozonës

Deri në 1.3 milionë njerëz, refugjatë që ikin nga lufta në Ukrainë mund të përfundojnë duke rritur fuqinë punëtore aktive të eurozonës, parashikon Banka Qendrore Europiane.

Llogaritjet tregojnë për një rritje prej 0.2% deri në 0.8% gjatë periudhës afatmesme, që korrespondon me 0.3 dhe 1.3 milionë punëtorë.

“Rritja e ofertës së punës që rezulton nga fluksi i refugjatëve ukrainas mund të lehtësojë disi shtrëngimin e vërejtur në tregun e punës në eurozonë”, shkroi studiuesi Vasco Botelho. “Nëse ata mund të gjejnë punë pa një proces të gjatë integrimi, refugjatët ukrainas mund të ndihmojnë tregun që t’i përgjigjet kërkesës aktuale për fuqi punëtore dhe të adresojë përkeqësimin e mungesës së aftësive.”

Përveç viktimave njerëzore të pushtimit rus të Ukrainës, pasojat e luftës kanë shkaktuar dëme të qëndrueshme në ekonominë e eurozonës. BQE parashikon se do të rritet vetëm 2.8% këtë vit.

Rajoni tashmë po luftonte me një popullsi që plaket me shpejtësi, e cila ka zvogëluar forcën aktive të punës. Oferta e pamjaftueshme e fuqisë punëtore është një sfidë e rëndësishme për kompanitë, me 27% të bizneseve që përmendin punën si një faktor kyç që kufizon prodhimin në një studim të fundit të Komisionit Europian.

Raporti i BQE supozon se refugjatët ukrainas do të jenë në gjendje të integrohen në tregun e punës më shpejt se valët e mëparshme të refugjatëve nga Siria për shkak të afërsisë më të madhe kulturore të vendit dhe reagimit të shpejtë të Bashkimit Europian për t’i ndihmuar ata.

Megjithatë, ai paralajmëroi se nivelet e larta të pasigurisë që rrethon rrjedhën e ardhshme të luftës e bëjnë më të vështirë vlerësimin e saktë dhe sasior të ndikimit eventual.

Burimi: Bloomberg


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë