Lajme

Botohen në Itali pesë drama të Jeton Nezirajt

Libri “Il volo sopra il teatro del Kosovo / 5 plays” që përfshin 5 drama të dramaturgut kosovar Jeton Neziraj, është botuar këto ditë në Itali, nga shtëpia e njohur e botimeve teatrore Editoria & Spettacolo. Pesë dramat e Nezirajt, të përfshira në këtë botim janë: “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, përkthyer nga Kamela Guza, “Lufta në kohën e dashurisë”, përkthyer nga Valbona Malaj, “Border Ballkan”, përkthyer nga Liljana Cuka Maksuti, “Peer Gynti nga Kosova”, përkthyer nga Valbona Xibri dhe “Një shfaqje teatri me katër aktorë…”, përkthyer nga Liljana Cuka Maksuti.

Kopertina e botimit

Për “Il volo sopra il teatro del Kosovo / 5 plays”, një parathënie të zgjeruar ka shkruar edhe historiania dhe shkrimtarja e njohur italio-amerikane, Anna Di Lellio.
Më herët në Itali, nën kujdesin artistik të Anna Maria Montevredi-it dhe të Monica Genesin-it, është botuar edhe drama tjetër e Nezirajt, “Shembja e kullës së Ajfelit”.
Dramat e Nezirajt, të prodhuara nga Qendra Multimedia dhe me regji të Blerta Nezirajt, janë prezentuar tashmë disa herë në Itali, në festivale e teatro të ndryshme. Së fundi, në teatrin e famshëm “Piccolo Teatro di Milano” është prezantuar shfaqja “Një shfaqje teatri me katër aktorë…”. Ndërkohë që, kuruar dhe nën drejtimin artistik të Anna Maria Monteverdi, televizioni publik italian RAI, para dy vitesh ka shfaqur edhe një dokumentar mbi punën e Jeton Nezirajt dhe të Qendrës Multimedia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë