Sport

Botërori i Katarit, gjendet zgjidhja për pirjen e alkoolit

Botërori i Katarit në vitin 2022 do të jetë një nga më të veçantët në gjithë historinë. Ai do të luhet si rrallë herë në dimër dhe një pjesë e mirë e stadiumeve që po ndërtohen për të pritur këto ndeshje, pas vitit 2022 do të çmontohen. Por që kur u vendos për ta organizuar kampionatin botëror në Katar, një nga dilemat më të mëdha për organizatorët dhe FIFA-n ishte prirja e alkoolit. Dihet që vendet ku organizohet ky kompeticion botëror kthehet edhe në një arenë masive për pirjen e alkoolit dhe feste për tifozë nga e gjithë bota. Por në Katar është e ndaluar me ligj pirja e alkoolit në vende publike.

Ka pasur shumë akuza dhe shqetësime të ngritura nga federata për këtë gjendje, për mënyrën se si do të gjendet zgjidhja për këtë çështje. Por ashtu siç kanë gjetur zgjidhje inovative për të mposhtur temperaturat e larta, apo për të ndërtuar stadiumet, në Katar kanë gjetur zgjidhjen edhe për këtë problem. Ministri i Katarit për sportin ka hartuar disa projekte që do të ndihmonin tifozët nga e gjithë bota për të konsumuar alkool, por pa rënë ndesh me traditat e këtij vendi.

Në çdo stadium të Katarit do të ketë vende të përshtatura, ku alkooli mund të pihet lirshëm. “Në hotelet apo në disa restorante të tonat mund të pihet alkool lirshëm. Ne kemi disa tradita dhe norma tona që ne nuk kemi ndërmend që t’i thyejmë. Por gjithashtu edhe FIFA ka rregullat e saj, për të cilat ne jemi të bindur që do mund t’i plotësojmë. Kemi punuar në këto vite dhe do të vazhdojmë në të ardhmen për krijimin e disa zonave të caktuara ku tifozët që do të vijnë në Katar të mund të pinë alkool pa rënë ndesh me ligjet tona”, - tha Salah bin Ghanem bin Nasser Al Ali, ministër i sporteve në Katar.

Bëhet fjalë për zona të qartësuara e veçuara në stadiume dhe qytetet organizatore, ku tifozët mund të pinë alkool. Ajo që ka mbetur për t’u përcaktuar është veçimi i këtyre zonave, pasi janë disa propozime që këto zona të jenë të rrethuara, por ka edhe mendime të kundërta që kërkojnë vetëm shënjimin e këtyre zonave pa i rrethuar ato. Gjithsesi Katari do duhet t’i kapërcejë sa më shpejt këto pengesa, pasi viti 2022 po vjen shpejt dhe tifozët alkooldashës do të vërshojnë në këtë vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë