Futboll

Botërori i çudive!

Është vetëm dita e pestë, por ky Botëror, që nisi me çudinë e madhe spanjolle duke shkarkuar trajnerin vetëm 24 orë para fërshëllimës së parë të nisjes së kompeticionit, vazhdon të na habisë.

Na habiti Rusia me atë goleadë ndaj Arabisë Saudite. E vazhdoi më pas Ronaldo me atë tregolësh ndaj Spanjës në barazimin 3-3. Islanda me portierin producent filmash horror dhe trajnerin dentist ngriti “murin mbrojtës” viking përballë Argjentinës dhe arriti të shënojë golin e parë e të marrë pikën e parë në ndeshjen e parë në historinë e saj në një Kupë Bote.

Messi humbet penalltinë në ndeshjen ndaj Islandës

Çuditë vazhduan me deklaratat jashtë fushe, si ajo e një deputetje ruse që këshillonte vajzat vendase që të shmangnin marrëdhëniet seksuale me tifozët e huaj, sidomos me ata më ngjyrë. Aq debat shkaktoi kjo deklaratë, sa u desh ndërhyrja e Vladimir Putinit.

“Gjithkush është i lirë të bëjë çfarë të dojë, të bëjë zgjedhjen e vet. Edhe vajzat ruse e kanë këtë liri”, deklaroi ai.

E duke iu rikthyer fushës së lojës, në ditën e katërt zbrisnin në fushë dy pretendentët e kuotuar nga bastet si favoritët e mëdhenj për të fituar trofeun, Gjermania dhe Brazili. E para luante kundër Meksikës në Moskë. Deri para ndeshjes, historia kishte treguar se kur vjen puna për fazën në grupe të Botërorit, gjermanët nuk të falin dhe s’e kanë me qejf ta diskutojnë kalimin për në ndeshje të fundit.

Meksikanët festojnë fitoren 0-1 ndaj Gjermanisë në Luzhniki Stadium, Moskë

Por, në fushë gjërat shkuan ndryshe. Lozano gjeti rrugën e rrjetës për meksikanët në minutën e 35 duke shkaktuar mirëfilli një tërmet në vendlindje. Instituti gjeofizik meksikan raportoi një lëkundje të lehtë të tokës në sekondat që pasuan golin. Fillimisht u mendua se bëhej fjalë për një tërmet natyror, por kur autoritetet e patën të pamundur që të lokalizonin epiqendrën e tij u bindën se epiqendra ishte e gjithë Meksika.

Në mbrëmje luante Brazili, me bindjen që të mos bënte gabimin e Gjermanisë pak orë më parë. Përballë kishte Zvicrën e plot katër shqiptarëve. Xhaka, Xhemaili, Shaqiri dhe Behrami nisën ndeshjen nga minuta e parë. Të fundit i ishte lënë detyra e vështirë për të neutralizuar Nejmarin, detyrë që e realizoi në perfeksion deri në minutat e fundit.

Behrami arriti që të neutralizojë Nejmarin, edhe duke ndërhyrë ashpër ndonjëherë

Asi i brazilianëve u përpoq të ishte lideri i skuadrës së tij në fushë, por nuk ja doli mbanë. Coutinho shënoi për brazilianët në pjesën e parë, ndërsa Zuber barazoi gjithçka pesë minuta pasi kishte nisur e dyta. Minutat në vazhdim nuk patën ndryshim rezultati dhe çudinë e radhës nga Botërori e bën Zvicra.

Dita e pestë nisi me një vendim surprizë nga Kroacia. Kroatëve, që në ndeshjen e parë mposhtën Nigerinë me rezultatin 2-0 do t’u duhet që ta vazhdojnë aventurën e tyre pa sulmuesin e Milanit, Nikola Kaliniç. Gjithçka ka nisur fill pas ndeshjes me Nigerinë, kur sulmuesi ka refuzuar që të zbresë në fushë 10 minutat e fundit të takimit, duke iu kundërvënë trajnerin Zlatko Daliç. “Jo, nuk hyj! Duhej të luaja që në fillim”, i ka thënë ai.

Trajneri dhe federata kanë shqyrtuar sjelljen e lojtarit, që në Kombëtare mbërrinte pas një sezoni zhgënjyes me Milanin. Janë dashur dy ditë që të dilet me një vendim dhe ai është ekstrem; përjashtimi.

Vendimi është i ashpër, por është mirëkuptuar si nga tifozët kroatë ashtu edhe nga pjesa tjetër e ekipit. Pikërisht para këtij ekipi, Kaliniç vendosi vetveten, edhe pse e dinte mirë që në Botëror mbërrinte pas një sezoni zhgënjyes të kaluar jashtë forme dhe me dëmtime të shumta që e shoqëruan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë