Ekonomi

Borxhi në nivel rekord në 20 vjet, ekonomia tkurret fort

Borxhi i përgjithshëm i vendit për vitin 2020 pritet të kalojë 80% të Prodhim të Brendshëm Bruto.

Ky është niveli më i lartë historik që prej të paktën nga viti 2000 ku borxhi ishte asokohe sa 61,11% të PBB-së.

Në buxhetin e rishikuar për të tretën herë këtë vit, si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19, qeveria ka menduar ta çojë defiçitin në vlerën e 1 mld eurove, ose sa 8,4% e PBB-së. Krahasuar me parashikimin fillestar të buxhetit në nëntor të 2019-s, deficiti parashikohej të ishte sa 2,2 % e PBB-së.

Pasojë e menjëhershme e borxhit publik është rritja e shpenzimeve qeveritare. Si rezultat, më pak buxhet mbetet për nevoja të tjera.

Referuar dokumentit të rishikuar të buxhetit 2020, qeveria ka rritur shpenzimet kapitale, të cilat pritet të jenë sa 5,6% e PBB-së ose 87,837 mln lekë. Krahasuar me projektibuxhetin fillestar, shpenzimet kapitale priteshin sa 4,6% e PBB-së ose 81,639 mln lekë.

Në të njëjtën kohë edhe shpenzimet korente kanë pësuar rritje. Ato pritet të jenë 441,498 mln lekë ose sa 27.9 % e PBB-së, teksa në buxhetin fillestar parashikoheshin 446,035 mln lekë ose 24.9% e PBB-së.

Në dokumentin e ndryshimit të buxhetit, qeveria ka rritur me 90 milionë euro nga shpenzimet e saj fondin për rindërtimin e banesave që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit. Qeveria ka vendosur të shpjerë në 275 milionë euro në total shpenzimet për rindërtimin, nga 160 milionë që programoheshin në fillim të vitit. 24 milionë euro kanë hyrë në buxhet si grante dhe donacione që shtete dhe organizata ndërkombëtare dhanë në formë solidariteti me ngjarjen gjatë konferencës së donatorëve në muajin shkurt.

Në fakt, jo të gjithë donacionet qenë në para. Turqia dhe Emiratet e Bashkuara do të financojnë ndërtimin e banesave në disa bashki të prekura. Megjithatë, shumica e donacioneve të premtuara nga vendet partnere për rindërtimin nuk janë disbursuar ende.115 milionë euro të Komisionit Europian ende nuk janë bërë aktive, ndërsa Kuvendi ende nuk ka ratifikuar asnjë marrëveshje huaje me institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat do të ofronin në total 885 milionë euro kredi të buta. Në konferencën e donatorëve në shkurt të këtij viti, Shqipërisë iu premtuan 1 miliard e 150 milionë euro, 295 milionë prej të cilave grante.

Fondet për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë rriten me 7.6 miliardë lekë, ndërsa për Shëndetësinë dhe Mbrojtjen Sociale rriten me vetëm 1.3 miliardë lekë.

Po ashtu, edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ka një rritje të shpenzimeve me 3 miliardë lekë. Ndërkohë, dikasteri me rritjen më të madhe të fondeve është Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ku pjesa më e madhe e buxhetit të shtuar prej 9.2 miliardë lekësh do të shkojë për të subvencionuar skemën e pensioneve, pagesat e papunësisë dhe programin e strehimit.

Në buxhetin e rishikuar qeveria parashikon të grumbullojë në total të ardhura sa 28,2% e PBB-së nga 28,4% të parashikuara në fillim të vitit ose rreth 350 milionë euro më pak.

Ndërkohë që ekonomia pritet të tkurret me 5,7%, një pritje më negative se sa edhe parashikimet e bëra nga institucionet financiare ndërkombëtare. Ndërsa në buxhetin fillestar, me gjithë ngjarjen e tërmetit të 26 nëntorit, qeveria do të parashikonte një rritje prej 4,1%.

Pritet që në fund të vitit, stoku i borxhit publik të arrijë në 1,27 trilionë lekë. Ndërkohë që ende nuk është bërë publik Plani afatmesëm i Rimëkëmbjes Ekonomike për të kuptuar këllqet e qeverisë për të financuar borxhin e rëndë, që sipas opozitës, është akoma edhe më i lartë se ç’deklarohet sepse janë fshehur projektet PPP.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë