Politike

PD, Tabaku: Borxhi 93%, nëse përfshijmë borxhin e fshehur të PPP-ve

Vendimi i ri i qeverisë për të rishikuar buxhetin për herë të dytë brenda 6 muajve, sipas Partisë Demokratike, tregon shpalljen e falimentit të qeverisë “Rama”.

“Akti normativ i miratuar nga qeveria vulos rënien ekonomike të vendit, që sipas Bankës Botërore pritet të jetë me 9% të prodhimit kombëtar. Është akti që bën shqiptarët më të varfër, që zyrtarizon shkurtimin e mijëra vendeve të punës dhe që paralajmëron se në xhepat e qytetarëve do të ketë më pak të ardhura dhe më shumë borxhe.

Vetë qeveria pranon se mbledhja e të ardhurave nga tatimet, nga doganat, të ardhurat nga tatim fitimi, të ardhurat personale dhe nga TVSH, do të bien në mënyrë drastike, rreth 549 milionë euro. 

Të tre këto grupe të ardhurash janë të lidhura ngushtësisht me sipërmarrjen, me punësimin dhe me konsumin e qytetarëve. Akti normativ tregon se këto tre elementë janë në kolaps”, tha Jorida Tabaku.

Defiçiti buxhetor, sipas saj, pritet të jetë në rastin më të mirë 1 mld euro, por ka zëra brenda qeverisë që do të rritet edhe deri në 1.5 miliardë.

“Kjo do të thotë se qeveria do të vazhdojë të shkurtojë edhe më shumë krahun e shpenzimeve. Ky është një precedent i rrezikshëm, që ndodh në Shqipëri mbas 20 vitesh dhe që rrezikon financat publike.

Dy janë shtyllat kryesore të vendimit të qeverisë për rishikimin e buxhetit: nga një anë varfëron qytetarët. Nuk ka asnjë shpresë për rritje pagash, pensionesh, për shpërblime apo bonuse të tjera, nuk ka asnjë shans për një paketë që ndihmon vërtet biznesin për të mos falimentuar. Nga ana tjetër, qeveria do të vazhdojë të paguajë miliona euro për koncesionet dhe PPP-të, miliona euro për inceneratorët, miliona euro për tenderat pa garë”, tha ajo. 

“Politikani që erdhi në pushtet duke mallkuar kundërshtarin për një borxh atëherë të kujdesshëm, sot ka vendosur të heqë kufirin ligjor të marrjes së borxhit, duke mos pasur më asnjë kufizim në marrjen e tij.  Sipas përllogaritjeve të qeverisë, borxhi publik është 80% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, por borxhi real është shumë më i lartë. Ai shkon 11 miliardë euro ose 93% e prodhimit kombëtar, nëse qeveria do të përfshinte aty edhe borxhin e fshehur të PPP-ve.

Me Edi Ramën ka vetëm krizë ekonomike, ka vetëm varfëri.  Në shtatë vjet shqiptarët janë rrjepur dhe vjedhur nga një qeveri e papërgjegjshme, e cila nuk ka investuar në shërbim të tyre, por ka shpërdoruar para për interesin personal.

Rezultati i kësaj politike kundër interesit publik është arka bosh e shtetit dhe mijëra shqiptarë që kanë humbur vendet e punës.

Sot Edi Rama dhe qeveria e tij janë një rrezik kombëtar. Kanë nxjerrë në shitje çdo gjë për t’u pasuruar vetë dhe tani po marrin borxh të shfrenuar për të mbajtur në këmbë një pushtet të kalbur nga korrupsionit”, shtoi Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë