Futboll

Bomba e merkatos ndodhi! Ronaldo vishet bardhezi

“Ishte shumë bukur të luaja për Real Madrid. Falenderoj tifozët që më kanë mbështetur në këtë periudhë”. Këto ishin fjalët e para të Cristiano Ronaldos që zbehu festën e tifozëve madrilenë në fund të finales së Ligës së Kampionëve me Liverpulin, ku skuadra spanjolle bëri historinë duke fituar trofeun për të tretin vit radhazi.

Pak e besonin në ato momente se një largim do të ndodhte. Një ditë më vonë, kur gjërat u ftohën pak dhe festa kishte përfunduar, asi portugez u shpreh i penduar për momentin e zgjedhur për të bërë këtë deklaratë, por jo për përmbajtjen e saj.

“Ndoshta nuk ishte momenti i duhur për ta bërë atë deklaratë, por isha i ndershëm dhe nuk jam penduar për ato që thashë. Më shumë do të flas në ditët në vijim”, tha ai.

Kjo këmbëngulje shtoi zërat se rrugëtimit të përbashkët Ronaldo-Real i kishte ardhur fundi. Portugezi nuk kishte bërë të ditur destinacionin, por thjesht kishte shprehur dëshirën për të ndryshuar ambient. Lajmet e para që qarkulluan u nisën me hamendësimet për një rikthim tek Manchester United, po një aventurë tek PSG e sheikëve.

Andrea Agnelli

Pak ditë më vonë doli në qarkullim lajmi se Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli dhe Ronaldo ishin në kontakt të vazhdueshëm telefonik që pas finales së Ligës së Kampionëve dhe asaj deklarate të portugezit.

Sa më shumë kalonin ditët, aq më shumë shtoheshin zërat, por skeptikët dhe ata që nuk e besonin një transfertë të tillë mbeteshin ende më të shumtë në numër. Vëmendja u shkëput me nisjen e Kupës së Botës, ku Ronaldo ishte me Portugalinë e tij. Pas eleminimit nga Uruguaji në fazën e 1/8 zhurma e transfertës rinisi. Mediat në Spanjë dhe Itali flisnin për një akord paraprak mes Ronaldos dhe Juventusit.

Bëhej fjalë për 30 milionë euro për katër sezone për portugezin, por mbetej për t’u bindur Reali. Më shumë se sa shifra që do të arkëtonte nga shitja, Perez kërkonte që të shpëtonte krenarinë e Reali dhe shitjen e kushtëzoi me një deklaratë që portugezi duhej të bënte para tifozëve për t’u thënë atyre arsyet se përse po largohej.

Vetë Ronaldo kishte udhëtuar drejt ishujve grekë për të pushuar. Aty e kishte të qartë se çfarë do të bënte, por priste që Juventusi dhe Reali të gjenin gjuhën e përbashkët. Me akordin e marrë nga Real, Andrea Agnelli fluturon me çarterin e vet drejt Greqisë. Takon atje agjentin Jorge Mendes dhe vetë lojtarin për të sqaruar detajet e fundit. Gjithçka shkoi mirë dhe pa zbritur Agnelli ende mirë në Itali, në mediat sportive ndërkombëtare doli lajmi se Ronaldo nga sezoni i ardhshëm do të veshë fanellën e Juventusit.

Për të gjithë ata që ende nuk e besonin, vetë Reali i Madridit shoi dilemat. Përmes një deklarate për shtyp, madrilenët konfirmuan dëshirën e Ronaldos për t’u larguar dhe konfirmuan shitjen e tij tek Juventusi.

Shifra e rënë dakort mes dy klubeve përflitet se është 120 milionë euro, që do të derdhën në arkat e spanjollëve.

Asi portugez ndodhet ende në Greqi ku po shijon pushimet, por sipas mediave italiane pritet që brenda kësaj jave të paraqitet në Torino për të nënshkruar kontratën katërvjeçare dhe për t’u prezantuar para tifozëve në “Allianz Stadium”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë