Drejtësia

Bojkoti i seancave, Shoqata e Avokatëve Penalistë: Situatë e rëndë, ministri Manja të negociojë

Gazeta Si - Shoqata e Avokatëve Penalistë, i bën thirrje ministrit të Drejtësisë të reagojë lidhur me kërkesën e avokatëve për hartën e re gjyqësore dhe të ndërmjetësojë për të zgjidhur këtë situatë.

Avokati i Sajmir Vishaj thotë se ministria duhet të ndërhyjë si negociatore për t’i dhnë fund edhe bojkotit pa afat të vendosur për seancat gjyqësore.

Ndërsa theksoi se gjendja është alarmante, Vishaj shtoi se masat e sigurisë janë emergjente dhe as qeveria nuk duhet të heshtë.

“Në asnjë vend të botës avokatët bojkotojnë masat e sigurisë. Është një situatë shumë e rëndë dhe njëra nga palët duhet të ulet. Duhet të bëhet negociator përmes Dhomës së Avokatisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor për të ç’tensionuar situatën. Ai i kupton pasojat që do të vijnë nga mospjesëmarrja e avokatëve në masa sigurie”, - u shpreh Vishaj, duke iu drejtuar ministrit Ulsi Manja.

Sipas Vishajt, "ministri është profesionist dhe e kupton shumë mirë çfarë do të thotë moszhvillimi i seancave pa praninë e avokatëve, ndaj besoj se do të jetë ai faktor mes dhomës së avokatëve dhe KLGJ. Unë kam pasur mendim kundër për masat e sigurimit. Janë emergjente dhe qeveria nuk duhet të heshtë sepse gjendja është alarmante".

Më herët Vishaj  është shprehur kundër hartës së re gjyqësore, por nuk mendon se bojkoti i seancave gjyqësore i jep zgjidhje problemit.

Një ditë më parë, të gjitha Dhomat Kombëtare të Avokatisë nisën bojkotin pa afat të seancave në shenjë kundërshtimi ndaj hartës së re gjyqësore.

Megjithatë, ka pasur edhe nga ata avokatë që kanë thyer bojkotin. Në Gjykatën e Tiranës të enjten (30 qershor 2022) janë zhvilluar pesë seanca për masat e sigurisë me praninë e avokatëve. Ata kanë thënë se nuk ishin në dijeni të vendimit për bojkot.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë