Drejtësia

Edhe 10 ditë të tjera pa gjyqe, masa disiplinore për avokatët që thyen bojkotin

Gazeta Si - Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë ka vendosur sërish bojkotim pa afat për seancat gjyqësore në të gjithë vendin kundër hartës së re gjyqësore.

Për masat e sigurisë, këshilli ka vendosur bojkot të paktën deri në 10 ditët e ardhshme.

Këtu përjashtohen vetëm seancat me të mitur, që sipas vendimit të Këshillit të Përgjithshëm, nuk duhen braktisur.

Në përshkallëzimin e bojkotit, këshilli vendosi të hedhë për diskutim mbajtjen e protestave nga avokatët para Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Ndërkohë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë kërkon masa ndëshkimore për avokatët që thyen bojkotin e vendosur në kundërshtim të hartës së re gjyqësore.

Kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, tha se do të kërkojë ndjekje disiplinore për ata kolegë që kanë marrë pjesë në seanca, duke shkelur vendimin.

Haxhia theksoi se disponon edhe emrat e avokatëve që kanë thyer këtë bojkot në gjykatat e vendit.

“I kam bërë prezent me emra konkret avokatët, me çështje konkrete, ditë dhe orë konkrete që ata kanë marrë pjesë në këto seanca në kundërshtim me vendimin e Këshillit të Përgjithshëm. Lidhur me këto, sot unë kam bërë përcjelljet e këtyre materialeve për fillimin e procedimit disiplinor në Komunitetin disiplinor“, - u shpreh Haxhia në një deklaratë për mediat.

Prej javësh, avokatët në të gjithë vendin kanë bojkotuar seancat gjyqësore, pasi kundërshtojnë ndryshimet e bëra në hartën gjyqësore.

Por bojkoti është thyer nga avokatë të ndryshëm në Gjykatat e Tiranës, Shkodrës dhe Durrësit, të cilët kanë dalë kundër këtij vendimi.

Disa ditë më parë, Shoqata e Avokatëve Penalistë, i bëri thirrje ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja të reagojë dhe ndërmjetësojë për të zgjidhur këtë situatë.

Avokati i Sajmir Vishaj tha se ministria duhet të ndërhyjë si negociatore për t’i dhnë fund edhe bojkotit pa afat të vendosur për seancat gjyqësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë