Politike

Bojkot Parlamentit-Opozita e ndarë

Bledar Hoti- Parlamenti pritet të mblidhet për këtë sesion të ri dhe përballja kryesore do të jetë për çështjen e dekreteve të ministrave të rinj të qeverisë Rama.
Partia Demokratike ka hedhur idenë e mosmarrjes pjesë në Parlament edhe për këtë sesion të ri kuvendor. Paralajmërimi u dha nga nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, i cili deklaroi disa ditë më parë se partia më e madhe e opozitës është për bojkot të Parlamentit.
“Pozicioni ynë është i qartë. Nuk mund të kthehemi në një Parlament me hajdutë dhe kriminelë. Largimi i Edi Ramës është problemi i parë”, tha Paloka.
Edhe pse demokratët kanë bërë të ditur se vendimi do të merret pas konsultimeve me koalicionin opozitar, ky paralajmërim duket se nuk ka një konsensus mes aleatëve të PD-së. Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, ka dalë kundër idesë së bojkotit të Parlamentit.
“Prezenca jonë në Parlament nuk ka të bëjë me mënyrën si sillet mazhoranca, prezenca jonë në Parlament ka të bëjë me marrëdhënien që duhet të krijojë me qytetarët shqiptarë. Kjo është bindja ime”, shprehet Mediu.
Lëvizja Socialiste për Integrim ndan mendimin se opozita nuk ka bojkotuar Parlamentin, por se ka pasur një marrëdhënie të kushtëzuar në raport me këtë institucion.
“Ne nuk kemi thënë ndonjëherë se nuk do të hyjmë në Parlament, por kemi deklaruar se kemi marrëdhënie të kushtëzuara. Dhe kur është e tillë, për çështje të caktuara kemi marrë pjesë në Parlament dhe për çështje të tjera kur e gjykonim se situata është e patolerueshme në Parlament ne kemi vendosur që të mos marrim pjesë në seancat plenare. Vendimi që është në fuqi është marrëdhënie e kushtëzuar me Parlamentin. Bojkoti edhe kushtëzimi i Parlamentit janë dy qëndrime të tyre”, deklaroi për Gazetën “Si” Petrit Vasili, kreu i grupit parlamentar të LSI-së.

Petrit Vasili, kreu i grupit të LSI


Ai thekson se aktualisht po e njëjta marrëdhënieje qëndron në fuqi me Parlamentin, duke shtuar se ende nuk ka një vendim të ri nga koalicioni i opozitës.

• Opozita shpëton mandatet, thyen bojkotin për studentët e Vettingun

Ndërsa kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka për Gazetën “Si” shprehet se duhet të ketë në qëndrim të qartë të opozitës sa i përket prezencës ose jo në Parlament, duke shtuar e koalicioni i së djathtës nuk duhet të jetë si një garniturë në tempullin e demokracisë.

Nard Ndoka, kreu i PDK-së


“Opozita normalisht duhet të jetë në Parlament për faktin se aty është vendi i debateve dhe alternativave politike, por në këto kushte ku realisht ndodhet Kuvendi i Shqipërisë ku mazhoranca nuk ka dëshirë për konsensus dhe dialog politik si për pastrimin e politikës nga elementët kriminalë, ashtu si dhe për reformën zgjedhore nuk besoj se është momenti që opozita t’i kthehet Parlamentit thjesht si një shtojcë numrash”, shprehet Ndoka për Gazetën “Si”.
Kryedemokristiani ndan mendimin se opozita në vendimmarrjen e saj duhet të ketë në konsideratë dy opsione për qëndrimin që duhet të mbajë përpara nisjen së sesionit kuvendor.
“Në këto kushte është një vendimmarrje e opozitës së bashkuar tashmë për të qenë të qartë në hapat që do të marrim në ardhmen ose do t’i kthehemi Parlamentit duke mos e lënë kryeministrin për të keqpërdorur tribunën e Parlamentit, sikur të jetë tribunë e PS-së, duke vazhduar një luftën politike ballë për ballë me këtë mazhorancë. Ose e kundërta, opozita duhet t’u paraprijë protestave popullore, që do të jenë besoj edhe momenti final për ta ndaluar mazhorancën dhe kryeministrin në aventurën e vet politike”, thekson Ndoka.

Agron Duka dhe Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka shprehet se është koha për të mos marrë vendime gjysmake nga ana e opozitës, por për të qenë pjesë e institucioneve, duke nënkuptuar përfshirjen në jetën parlamentare dhe paraqitjen e fryme të re në përbërjen e opozitës, duke ofruar alternativa konkrete.

“Mbyllja e bojkotit në fund të muajt dhjetor ishte prova se forma të tilla të aksionit politik, nëse nuk kanë një strategji të mirëfilltë dhe një mbështetje ndërkombëtare, nuk janë të dobishme. Është momenti që opozita të zhvilloj betejën nga komisionet dhe nga foltorja e Parlamentit.

Nuk është më koha për gjysmë akte, pasi problemet janë të shumta dhe zëri i opozitës është i domosdoshëm aty ku zhvillohet politika, brenda institucioneve. Sigurisht opozita parlamentare është e dekurajuar prej faktit se, duke i pasur numrat, mazhoranca nuk angazhohet në debate të mirëfillta politike, diçka që në kemi parë edhe në të shkuarën”, shprehet Duka për Gazetën “SI”, duke shtuar ky do të jetë edhe qëndrimi i tij që do të mbajë në takimin me Bashën së bashku me aleatët.


Gjithsesi opozita pritet të marrë një vendim final në tryezën e pritshme që do të ketë me drejtuesit kryesorë të partive aleate PD, LSI, PR, PDK, PAA dhe LZHK.
Opozita ndërkohë akoma nuk ka vendosur se cili do të jetë qëndrimi sa i përket reformës zgjedhore. Partia Socialiste ka paraqitur një draft me ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe është në pritje të konsensusit me Partinë Demokratike për këtë çështje.
Kur jemi afro 6 muaj përpara zgjedhje lokale të 30 qershorit, ndryshimet në Kodin Zgjedhor duken akoma larg, pasi palët janë larg konsensusit.

Drafti i futur në axhendën e Parlamentit cilësohet si njëanshëm nga ana e demokratëve, të cilët shprehen se ai nuk ka kaluar më parë në komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore. Ndërsa aleatët janë të paqartë nëse PD-ja do të mbrojë interesat e tyre me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, apo miratojë këto ndryshime, duke pasur një “pakt” të heshtur me PS-në për sa i përket reformës zgjedhore.
Vitin e kaluar, opozita mbajti qëndrim të kushtëzuar, duke e përkthyer si bojkot ndaj Parlamentit. Që nga korriku i vitit 2018 opozita nuk mori pjesë në seancat parlamentare. Ky kushtëzim mori fund vetëm në dhjetor të vitit të kaluar, kur u opozita mori pjesë në seancat e fundit parlamentare. Ky akt u komentua si një vendim për mos djegien e mandateve të deputetëve të opozitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë