Biznes

Blu Panorama 16 orë vonesë. Por ja një alternativë tjetër kompensimi!

Sabina Veizaj - Gëzojnë edhe shqiptarët se kanë shërbim ajror low-cost, por shpesh ky shërbim të del për hundësh me gjiithë biletën e kripur që paguan.

Kompania e ashtu quajtur low-cost Blu Panorama të hënën ka pasur për çdo fluturim të sajën një vonesë me të paktën 3 orë. Fluturimi drejt Milanos me çmim bilete 350 euro vajtje-ardhje u vonua 16 orë sipas pasagjerëvë që prisnin për t'u nisur drejt qytetit italian.

Sipas disa prej agjencive të udhëtimit në kryeqytet që Gazeta “Si” ka pyetur, kompania Blu Panorama deri më sot nuk ka kompensuar asnjë pasagjer për çështje vonesash në fluturim.

Meqënëse dje, vonesa ishte tej limiteve dhe në radhët e pasagjerëve ka pasur njerëz të medias, në aeoport ka mbërritur drejtori i Aviacionit Civil, Krislen Keri, i cili ndihmoi pasagjerët të plotësonin formularin e dëmshpërblimit.

Sipas disa pasagjerëve, kompania ka deklaruar që do t'i kompensojë, por vetë pasagjerët u shprehën skeptikë nisur nga rastet precedente.

Sipas udhëzuesit për të drejtat e pasagjerit të nxjerrë nga Aviacioni Civil, pasagjerëve në raste të tilla u lind e drejta për t'u kërkuar linjave ajrore telefonata, pije freskuese, ushqime, strehim e transport për në vendin e strehimit, nëse vonesa është: 

Për 2 orë ose më shumë në rastin e fluturimeve prej 1500 km ose më pak

Për 3 orë ose më shumë në rastin e të gjitha fluturimeve brenda Europës prej më shumë se 1500 km dhe të gjitha fluturimet e tjera ndërmjet 1500 dhe 3500 km

Për 4 orë ose më shumë në rastin e të gjitha fluturimeve që nuk mbulohen nga (1) ose (2)

Nëse kompania ajrore bën shkeljet e mësipërme pasagjerët kanë të drejtën e përkujdesjes falas:

Ushqim dhe pije freskuese

Dy telefonata, mesazh me teleks ose faks, ose e-mail

Akomodim në hotel në rastet kur qëndrimi për një ose më shumë netë është i nevojshëm ose një qëndrim shtesë nga ai që mendonte pasagjeri është i nevojshëm

Transporti ndërmjet aeroportit dhe vendit të akomodimit (hotel ose të tjera)

Kur vonesa është mbi 5 orë, pasagjerët kanë të drejtën e rimbursimit brenda 7 ditëve, të vlerës së plotë të biletës me çmimin e blerjes, për pjesën ose pjesët e udhëtimit të pakryer dhe për pjesën ose pjesët pothuajse të realizuara, nëse fluturimi nuk i shërben më ndonjë qëllimi lidhur me planin fillestar të udhëtimit.

E drejta  e kompensimit:

250 euro për të gjitha fluturimet prej 1500 km ose më pak;

400 euro për të gjitha fluturimet brenda Europës më shumë se 1500 km, dhe për të gjitha fluturimet e tjera ndërmjet 1500 dhe 3500 km;

600 euro për të gjitha fluturimet që nuk janë parashikuar sipas (1) dhe (2);

Nëse kompania ajrore, ka ofruar një linjë tjetër për në destinacionin final me anë të një fluturimi alternativ, koha e mbërritjes të së cilës nuk e tejkalon kohën e mbërritjes së planifikuar, ai mund të zvogëlojë kompensimin e parashikuar më sipër në masën 50%.

Alternativa tjetër

Logoja e kompanisë

Probleme me dëmshpërblimin kanë edhe kompanitë amerikane dhe kanadeze. Ndërsa të drejtat e pasagjerëve funksionojnë më mirë në Europë sipas kompanisë Airhelp.

Airhelp është një kompani angleze e cila është në shërbim të udhëtarvë brenda dhe jashtë Bashkimit Europian, të cilët hasin probleme gjatë udhëtimeve të tyre; vonesa, anulime udhëtimesh, humbje bagazhesh, etj.

Sipas AirHelp të gjithë pasagjerët që hasin avarira në pritje të fluturimit kanë të drejtë të dinë se si të veprojnë në rast se rastet precedente me kompanitë e fluturimit kanë dështuar në zgjidhjen e problematikave!

https://airhlp.co/fb-rights është linku për të ndjekur gjithë hapat për t'u kompensuar sipas rastit.

Por pasagjerët duhet të kenë parasysh që në rast se i drejtohen Airhelp për zgjidhje dhe gjejnë zgjidhje, kompania mban taksën përkatëse në raport me shumën e rimbursuar.

Rimbursimet variojnë nga 250 EUR, me taksë shërbimi 63 EUR përfshirë TVSH-në deri në 2000 euro me taksë 500 euro përfshirë TVSH-në.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë