Politike

Bllokimi i Kuvendit, BE: Me shumë rëndësi dialogu politik gjithëpërfshirës

Delegacioni i BE në Tiranë ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Kuvend.

Përmes një reagimi në ‘Facebook’, BE rikujton misionin e parlamentit, në funksion të rolit të tij.

“Pas zhvillimeve të fundit në Parlamentin e Shqipërisë, Bashkimi Evropian rikujton se një Parlament funksional që ushtron një rol efektiv mbikëqyrës dhe legjislativ është një shtyllë qendrore e procesit të anëtarësimit në BE. Dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në parlament është shumë i rëndësishëm dhe në interes të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në reagimin e Delegacionit të BE-së.

Dje pasdite Ambasada e Shteteve të Bashkuara u shpreh “e shqetësuar për zhvillimet e fundit në parlamentin e Shqipërisë”. Në përgjigje të interesit të Zërit të Amerikës, për një koment mbi këto zhvillime, të cilat prej disa javësh kanë bërë të pamundur aktivitetin normal të organit ligjvënës të vendit, ambasada amerikane vë në dukje se “një parlament funksional dhe dialogu midis përfaqësuesve të tij, janë me rëndësi kritike për t'u ofruar shërbime dhe hartuar ligje në interes të popullit shqiptar". Ambasada nënvizon më tej se “mosfunksionimi i përsëritur i vërejtur gjatë muajve të fundit nuk është në interes të Shqipërisë”.

Në të njëjtën ditë ka reaguar edhe ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë.

“Ambasada Britanike në Tiranë shpreh shqetësimin lidhur me zhvillimet më të fundit në Parlamentin e Shqipërisë. Një parlament që funksionon dhe dialogu konstruktiv mes përfaqësuesve të zgjedhur janë thelbësorë për të garantuar legjislacionin dhe shërbimet në mënyrë efektive. U bëjmë thirrje shumicës dhe opozitës të punojnë së bashku për të garantuar që parlamenti të mund të ushtrojë rolin e tij mbikëqyrës dhe të veprojë në interesin e të gjithë qytetarëve”.

Pas ambasadës së SHBA në Tiranë dhe asaj të Britanisë së Madhe, për situatën bllokuese të punimeve të Kuvendit ka reaguar edhe  ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner.

“Po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në Kuvendin e Shqipërisë.

Qytetarët/et e Shqipërisë presin me të drejtë nga parlamenti i tyre që të jetë një forum, ku anëtarët e të cilit të mund të prezantojnë dhe diskutojnë hapur propozime të ndryshme politike. Ky shkëmbim duhet të zhvillohet në paqe dhe të drejtohet nga rregullat, që i ka përcaktuar vetë parlamenti.

Ndaj u bëj thirrje anëtarëve të shumicës dhe opozitës në Kuvend që të bashkëpunojnë, me qëllim që të garantojnë, që parlamenti të plotësojë rolin e tij thelbësor kushtetues: kontrollin e ekzekutivit dhe ligjvënien në interes të qytetarëve/eve të përfaqësuar përmes deputetëve“.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë