Politike

Blinken në Tiranë, Salianji: Pasuri e shtuar, por duhet të bëjmë detyrat tona, që të vërtetojmë mbështetjen për SHBA

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji që i është bashkuar grupit tjetër të PD-së së Rithemelimit komentoi përmes një deklarate vizitën e  pritshme të Blinken në Tiranë.

Salianji nënvizon ndër radhë se kjo vizitë është pasuri e shtuar e traditës pro amerikane

“Eshtë mirë për Shqipërinë e për shqiptaret, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal i Zi e kudo, sa herë një zyrtar i lartë amerikan viziton Tiranën.

Duhet të jemi krenar për aleancën që kemi me SHBA, për këtë pozicionim në anën e drejtë të historisë , kjo mbi të gjitha vjen nga sentimenti e orientimi i shoqërisë, i njerëzve i kombit që ka rrokur në masë dërrmuese vlerat perëndimore. Raporti special e i ngrohtë që kemi me SHBA është në radhe të parë meritë e qytetarëve, më tej e politikanëve.

Ka qenë lajm i mire për ne kur erdhi Colin Powell, Madeleine Albright, John Carry, Hillary Clinton, dhe ngjarje kulminante vizita e George Bush, ku u pohua ajo që ndodhi pak më vonë, pavarësia e Kosovës.

Mbërritja e Antony Blinken pasuron këtë traditë të çmuar, dhe e veçon Tiranën tonë si qendër e rëndësishme në rajon, e pikë kyçe e partneriterit strategjik”, shkruan Salianji.

Por, Salianji nënvizon gjithashtu marrëdhënia reciproke mes dy vendeve nuk duhet marrë asnjëherë si e mirëqenë.   

“Ato duhen ushqyer vazhdimisht. Ajo që lypset ne të bëjmë në këtë drejtim është jo e lehtë. Më së pari, kemi detyrën ta ngremë Shqipërinë në stadin e një vendi normal demokratik, ku respektohen të drejtat e njeriut, ku luftohet korrupsioni, ku mbahen zgjedhje të lira e të ndershme, ku pushtetet janë të ndara e ku qeveria kontrollohet e jep llogari. Në këtë mënyrë ne tregohemi në të vërtetë pro-amerikanë dhe meritojmë mbështetjen e shtetit më të rëndësishëm të globit”, shkruan ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë