Treg

Birra e vendit është futur në një tjetër betejë të humbur

Birra e vendit nuk po mundet të jetë dinjitoze në betejën me atë të importit dhe madje tanimë po shfaqet më e dobët.

 Shoqata e Prodhuesve të Birrës e gjendur në vështirësi thotë se kostot po bëhen të papërballueshme.

Stefan Pinguli, kryetari i Shoqatës i thotë me shqetësim Gazetasi.al se ndonëse kostot e lëndëve të para janë shtrenjtuar deri në 45%, birrat shqiptare po shiten vetëm 3.6% më shtrenjtë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Stefan Pinguli, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës

Rritje që sipas tij nuk mund t’i amortizojë dot kostot e rritura të prodhimit.

“Qelqi është shtrenjtuar me 70% dhe njëkohësisht edhe lëndët e tjera si elbi dhe kartoni ambalazhues janë rritur 30% secila në tregjet e huaja. Ajo që na shqetëson më shumë është sigurisht shtrenjtimi i naftës e cila përbën rreth 12-15% të kostove tona të produktit. Fuqia blerëse është goditur fort nga rritja e çmimeve dhe kjo pritet të sjellë zvogëlim mesatar të konsumit 10 deri në 15%”, tha ai për Gazetasi.al.

Një tjetër shqetësim sipas tij është edhe fakti që birrat e huaja po fitojnë treg në vend.

“Në vend po hyjnë birra të huaja, kryesisht italiane por edhe disa holandeze me çmim më të lirë se birra e prodhuar në vend. Nuk mendoj se ulja e çmimit të importit është ndikuar nga hyrja e tyre kontrabandë, por këto kompani po shesin në Shqipëri produkte me çmim më të lirë të mallit stok të pandemisë. Këta çmime të ulëta i nxisin shqiptarët që të blejnë gjithnjë e më shumë birra të tilla.

 Situata po dëmton industrinë, pasi prodhimi vendas po zëvendësohet nga birra e lirë e importit.

Kështu ne po jetojmë vetëm për mbijetesë, nuk kemi fare fitim”, shton ai mandej për Gazetasi.al.

2020-a ishte viti më i vështirë për industrinë sipas operatorëve pasi u mbivendosën dy ngjarje, të cilat e tronditën dhe e vunë në vështirësi të mëdha sektorin. Tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia që solli mbylljen e të gjitha njësive të shërbimit e një sezon turistik shumë të dobët, ishin pothuajse të papërballueshme.

Karantina e goditi ndjeshëm industrinë e birrës ku prodhimi vendas shqiptar u prek më tepër, pasi një pjesë e destinuar për shitje nuk u ambalazhua në periudhën  e karantinës, duke dalë jashtë afateve të konsumimit. Mungesa e turistëve bëri të vetën.

Pinguli nënvizon për Gazetasi.al se nëse kjo situatë do të vijojë, rendimenti i prodhimit vihet në rrezik real.

“Shteti nuk duhet të bëjë vetëm indeksimin e interesave të tij, por edhe të interesave të prodhuesve, që kanë investuar ndër vite për konsolidimin e tyre. Indeksimi i akcizës sipas inflacionit është tepër shqetësues në këtë periudhë dhe ka rritur koston e importuesve”, thotë mandej ai në vazhdën e sfidave me të cilat po haset kjo industri.

Nga 1 janari 2022, akciza për karburantet, birrën, verën, kafenë do të indeksohet çdo dy vjet, bazuar në normën e shpallur të inflacionit për dy vitet paraardhëse, me përjashtim të duhanit dhe nënprodukteve të tij.

 “Indeksimi i akcizës, sipas inflacionit, është një tjetër çudi absurde që ndodh në Shqipëri pasi mbi normën e akcizës aplikohet indeksimi i rritjes së çmimeve. Në këtë periudhë kur shumë industri të ekonomisë po vuajnë nga shtrenjtimi i lëndëve të para, politikat fiskale të shtetit duhet të ishin subvencionuese dhe mbështetëse”, thotë ai më tej.

Të njëjtat shqetësime ndan edhe Luan Bregasi, kryetari i këshillit drejtues të birra “Tirana”.

“Një tjetër aspekt që na ul pikë ne prodhuesve vendas është lëvizja e paktë marketuese dhe mbështetja e paktë nga shteti. Birra Peja, që është një birrë që importohet, po bën një marketing të jashtëzakonshëm që po i jep shumë pikë në tregun shqiptar.

Edhe shitësit, në momentin që vijnë turistët e huaj, anagazhohen pikërisht për të shitur birrat e huaja sepse kanë interesat e këtyre në këtë mes, gjë që po e tkurr shumë prodhimin e birrës vendase”, thotë ai.

Ndërsa Pinguli nuk harron të shtojë dhe mungesën e fuqisë punëtore, një krizë që nuk ka përjashtuar as këtë sektor.

“Te kostot e shtuara të prodhimit përfshihet edhe rritja e pagave të ulëta për punonjësit e fabrikës nga 10 deri në 15%. Në këtë periudhë ne kemi rritur edhe pagat e punonjësve, jo vetëm nga rritja e pagës minimale, por edhe për shkak të mungesës së punonjësve në treg. Shumë punonjës kanë emigruar drejt Europës dhe ata që kanë mbetur, nuk pranojnë të punësohen me paga të ulëta”, thotë ai duke ndarë të njëjtin shqetësim me shumë pronarë të tjerë.

Shqipëria është ndër vendet me konsumin më të ulët të alkoolit për frymë ku sipas të dhënave të përpunuara nga portali Our World in Data dhe të publikuara nga Banka Botërore, konsumi mesatar për frymë për popullatën mbi moshën 15-vjeçare në Shqipëri është 6.6 litra.

 Euro është në nivel të ulët dhe kjo sipas aktorëve të tregut është një faktor favorizues për birrat e importit duke i bërë ata që të dalin me çmime promocionale tani gjatë sezonit turistik të verës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë