Treg

Birra e vendit e pret komardaren e shpëtimit nga turistët e huaj

Industria shqiptare e prodhimit të birrës ka disa vite që ka hyrë në një trajektore agonie dhe ende nuk po ngre krye teksa operatorët e huaj po fitojnë terren duke tkurrur konsumin e birrave vendase.

Ndonëse sipas të dhënave të doganave,për katërmujorin e parë të vitit prodhimi vendas i birrës u rrit me 27% në krahasim me një vit më parë, aktorët kryesorë në treg pohojnë për gazetën “SI” se influenca e vazhdueshme e Covid-19 në turizmin shqiptar po shkakton “depresionin” e birrave të prodhuara në Shqipëri.

“Turistët e huaj përgjithësisht kanë prirjen që të konsumojnë birrat shqiptare. Goditja nga pandemia bëri që marzhi i shitjeve në vitin 2020 të ulej deri në 50%. Për fatin tonë të keq, influenca e vazhdueshme e Covid-19 po vijon të tkurr tregun pasi turistët që po vizitojnë Shqipërinë janë shumë të paktë, sidomos krahasuar me nivelin e 2019.

Sforcimet e vazhdueshme tonat nuk japin shumë rezultat për sa kohë kemi mungesë të turistëve.”-tha për gazetën “SI” Stefan Pinguli, drejtuesi i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës vendase, njëkohësisht dhe administrator i birrës “Stela”.

Karantina e goditi ndjeshëm industrinë e birrës ku prodhimi vendas shqiptar u prek më tepër, pasi një pjesë e destinuar për shitje nuk u ambalazhua në periudhën  e karantinës, duke dalë jashtë afateve të konsumimit.

Stefan Pinguli pohoi për gazetasi.al se prodhimi filloi të rikuperohej vetëm në muajt e parë të këtij viti kur qeveria hapi gradualisht restorantet, kafenetë dhe hotelet por konsumi nuk i është rikthyer ende normalitetit të para krizës.

Luan Bregasi, kryetari i këshillit drejtues të birra “Tirana” është më optimist për konsumin e birrës vendase gjatë këtij sezoni turistik i cili parashikon se shitjet e birrës do të stabilizohen ku ndër birrat e importit do të ketë më shumë shitje Heineken dhe Amstel.

Një tjetër aspekt që ka kohë që po ndikon në tkurrjen e këtij prodhimi vendas është importi i birrave të huaja në Shqipëri.

Luan Bregasi,  pohon gjithashtu që importuesit po fitojnë terren në Shqipëri jo vetëm për shkak të konkurrencës së pandershme por edhe prej kostove shumë të larta të prodhimit të birrave vendase.

“Kostoja e lartë e prodhimit është problemi kryesor që prek industrinë vendase dhe që e bëjnë atë aspak konkurruese. Çmimi i lartë i energjisë elektrike, çmimi i lartë i naftës, kostot e larta të kredive bankare, kostoja e lartë e ujit, akcizat e larta, janë të gjithë elementë që e bëjnë prodhimin vendas të vuaj.

Kompanitë e importit janë me kapacitete të larta prodhimi dhe për shkak të përfitimit nga ekonomia e shkallës, produkti i tyre del me kosto më të ulët të prodhimit për njësi.”-shton gjithashtu Stefan Pinguli, dukshëm duke ngritur të njëjtën problematikë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, nga viti 2015 deri më 2020, pesha e importeve ndaj totalit të tregut është rritur nga 48% deri në 60%.

Vetëm në mujin mars të këtij viti, importet e birrës janë rritur ndjeshëm me 46% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Eurolab Internacional Grup”, një importuese e 22 markave të birrave të huaja parashikon se humbja e vitit 2020 do të rikuperohet deri në vitin 2024 por megjithatë pohon se shitjet gjatë këtyre muajve të vitit 2021 janë përmirësuar ndjeshëm, ndërsa birra Peja parashikon se shitjet do të rikuperohen deri në vitin 2020.

“Një tjetër aspekt që na ul pikë ne prodhuesve vendas është lëvizja e paktë marketuese dhe mbështetja e paktë nga shteti.

Birra Peja, që është një birrë që importohet, po bën një marketing të jashtëzakonshëm që po i jep shumë pikë në tregun shqiptar.

Edhe shitësit, në momentin që vijnë turistët e huaj, anagazhohen pikërsisht për të shitur birrat e huaja sepse kanë interesat e këtyre në këtë mes, gjë që po e tkurr shumë prodhimin e birrës vendase.

Emigrantët shqiptarë, kur kthehen gjatë sezonit të verës, ne i llogarisim si konsumatorë të huaj dhe përgjithësisht kanë tendencën të konsumojnë birrat e huaja kjo për një arsye kryesore që mbizotëron ndër të tjera. Në momentin që ata kanë ikur nga Shqipëria për të jetuar jashtë, kanë ikur me idenë që birra vendase nuk është e mirë.

Dhe kështu, ata kthehen me po të njëjtën ide duke zgjedhur të konsumojnë më mirë birrat e huaja.”-ngre një tjetër problematikë Stefan Pinguli për gazetën “SI.”

Euro është në nivel të ulët dhe kjo sipas aktorëve të tregut është një faktor favorizues për birrat e importit duke i bërë ata që të dalin me çmime promocionale tani gjatë sezonit turistik të verës.

Armando Xoxa, menaxher i përgjithshëm i shitjeve në Birrën Korça, thotë se zhvlerësimi i monedhës euro ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e kostove të birrave të importit dhe sipas tij kjo shkakton problem në stabilitetin e tregut.

Shqipëria është ndër vendet me konsumin më të ulët të alkoolit për frymë ku sipas të dhënave të përpunuara nga portali Our World in Data dhe të publikuara nga Banka Botërore, konsumi mesatar për frymë për popullatën mbi moshën 15-vjeçare në Shqipëri është 6.6 litra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë