Njerez

Birësimi në Shqipëri, prindërit kërkojnë fëmijë 1-2 vjeç

Nga Sorgena Leka - Birësimi është një nga vendimet më të vështira për t’u marrë e duket se vitet e fundit ka pasur një interes në ulje kërkesash për birësim. Por ky interes është “zgjuar” vitin e kaluar që në muajt e parë.

Imelda Tola, punonjëse sociale në Komitetin Shqiptar të birësimeve thotë për Gazetasi.al se në 5-së vitet e fundit krahasuar me vitet e mëparshme numri i birësimeve ka qenë në zbritje. Kjo ka ardhur si pasojë e numrit më të pakët të fëmijëve të deklaruar të braktisur me një vendim gjykate.

Në vitin 2018 ka pasur 37 birësime, në vitin 2019-2020 janë bërë nga 26 birësime ndërsa në vitin 2021 janë bërë 19 birësime.  

“Evidente është rritja e numrit të birësimeve për këtë vit, krahasuar edhe me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, thotë Tola e cila shton se referuar statistikave për periudhat janar–maj 2021 dhe janar-maj 2022 rezulton që, për vitin 2021 janë realizuar 3 birësime (2 vendase+1 me pëlqim), ndërsa për vitin 2022 janë realizuar 18 birësime (12vendase+ 1 me pelqim5 ndërvendase) deri më tani.

Tola thotë se kërkesa për të birësuar fëmije ka nga të gjitha grupmoshat, edhe ato që janë 60 vjeç, por grupmosha që ka birësuar më tepër është 35-45 vjeç.

Ajo tregon se, kur i drejtohen Komitetit të Birësimeve, prindërit birësues në kërkesë vendosin si kritere kryesore gjininë dhe moshën e fëmijës që ata dëshirojnë të presin në familje.

Gjithsesi, pavarësisht kërkesës së tyre, jo gjithmonë u prezantohet një fëmijë i gjinisë që dëshirojnë.

“Edhe pse të gjithë dëshirojnë një fëmijë në moshë sa më të vogël, është vlerësimi i specialistit punonjës social, specialistit të shkencave sociale, psikologut si dhe vendimi i Bordit Drejtues që miratojnë se cila moshë fëmije i përshtatet çiftit në fjalë”. 

Si fillim, prindërit, sidomos të rinjtë kërkojnë një fëmijë sa më të vogël në moshë dhe grupmosha “e preferuar” është 1-2 vjeç.

Tole thotë për Gazetasi.al se në listën e Komitetit qëndrojnë prej vitesh një numër prej 25 fëmijësh, për të cilët nuk është e bërë e mundur të gjendet një familje birësuese brenda apo jashtë vendit.

Kryesisht nuk arrihet që të gjendet një familje për fëmijët të cilët janë në moshë të madhe.

“Sa me e madhe të jetë mosha e fëmijës, aq më pak mundësi ka që ti gjendet një familje”.

Gjithashtu në listë gjenden fëmijë me sëmundje të rënda shëndetësore (epilepsi, sindromë down, distrofi muskulare, paralyze cerebrale, zhvillim neuro-psikik të vonuar etj). 

Mundësia dhe shpresa e vetme për këto fëmijë është bashkëpunimi që Komiteti ka me Agjencitë Ndërmjetësuese të Huaja apo Autoritetet Qëndrore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë