Politike

“Bindja” drejtohet me Bord, Astrit Patozi koordinator

Partia e re “Bindja Demokratike” dorëzoi paradite në Gjykatën e Tiranës të gjithë dokumentacionin e regjistrimit si parti politike.
Grupi nismëtar i partisë së re depozitoi sot në Gjykatë rreth 4.000 firma mbështetësish për t’u regjistruar. Vendimi ka ardhur pas takimit të një grupi të madh nismëtarësh mbrëmjen e kaluar, ku u përcaktuan edhe hapat e parë të kësaj partie.
Nismëtarët kanë vendosur të mandatojnë një bord të përkohshëm, i cili do të përfaqësojë partinë.
Anëtarë të këtij bordi do të jenë:
Arben Skënderi, Valbona Mezini, Fabian Topollaj, Astrit Patozi, Andi Përmeti dhe Leonard Olli, ndërsa koordinator i këtij bordi do të jetë Astrit Patozi.
Po ashtu sot, “Bindja Demokratike” ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për pjesëmarrje në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Mbrëmë pas takimit 3-orësh, Astrit Patozi u tregua fjalëpakë me gazetarët.

“Faleminderit shumë për këtë vëmendje kaq të madhe. Ju kërkoj ndjesë që nuk jua shuaj dot kërshërinë. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur por asgjë për të treguar sot”, u shpreh Patozi. Ndërkohë deputetja Rudina Hajdari, e cila u përfol edhe si kryetare, vendosi të heqë dorë nga angazhimi i drejtpërdrejtë në këtë forcë të re politike.
Përmes një postimi në “Twitter”, Hajdari i uroi suksese forcës së re politike, duke bërë të qartë se ajo nuk do të ketë lidhje me këtë grupim të ri, pasi do të jetë e fokusuar në drejtimin e Grupit Parlamentar.
“Duke u uruar suksese përpjekjeve të çdokujt për demokratizimin e vendit dëshiroj të theksoj se pavarësisht lajmit që u përhap nuk kam asnjë lidhje dhe në vazhdim do të fokusohem tek puna dhe objektivat Grupit Parlamentar Demokrat”, shprehet deputetja Hajdari në “Twitter”.


Më Shumë