Art dhe Kulture

Bienalja e Muzikës Klasike vazhdon rrugëtimin në Durrës

Bienalja “Netët e Muzikës Klasike” mbërrin në edicionin e 10-të në qytetin e Durrësit. Ky event tradicional që nisi mbrëmjen e 1 gushtit dhe do të vijojë të argëtojë artdashësit deri më 10 gusht, organizohet nga violinisti me famë ndërkombëtare, Florian Vlashi. Edicioni që po mbahet në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” sjell një shkrirje të muzikës dhe pikturës dhe vjen nën titullin “Në kopshtet sekrete të muzikës dhe pikturës”.

Vepra e jashtëzakonshme dhe enigmatike “El jardin de las delicias” 1505 e Hieronymus Bosch (El Bosco) është origjina e titullit të Edicionit të X të Bienales Netët e Muzikës Klasike, Durrës 2021. Madje edhe struktura e festivalit, e njëjta si përherë në Netët e tij sipas epokave muzikore, është e organizuar mbi tre pjesët e Triptikut të El Bosco-s: I Kopshti i Edenit, II Kopshti i Kënaqësive, III Ferri muzikor. Është fillimi dhe fundi njerëzor, që nga Parajsa tek Ferri; kurrë një vepër arti ka mundur të përfshijë brenda saj një dimension të tillë. Mbi bazën e numrit të përkryer 3 (Fillimi dhe Fundi) si dhe atij biblik 7 (Net) është ndërtuar kjo shëtitje “Në kopshtet sekrete të Muzikës dhe Pikturës” ku sekreteve u afrohesh vetëm kur botën e shikon dhe e dëgjon me ndihmën e dy arteve që njeriu krijoi përpara Fjalës: Muzikën dhe Pikturën.

Gjatë Netëve të Bienales, në harmoni mes muzikës dhe projeksioneve të pikturave, tingujt e Kukuzelit, Bach, Pergolesi, Beethovenit, Granados, Strauss, Schoenberg etj. do të shkrihen me kryeveprat botërore të El Bosco, Onufri, Caravaggio, Goya, Dalí, Klimt... Në edicionin e parë të Bienales 2003, koncertet u zhvilluan në tri vende: në Muzeun Arkeologjik, në Teatrin Aleksandër Moisiu dhe në fabrikën e braktisur të Nerofumos.

“Kanë kaluar 18 vite dhe ato tre Netë me muzikë - mes antikitetit, fjalës dhe pikturës - kanë qenë korrespondenca sekrete e gjithë koncerteve tona deri më tani. Ky fill lidhës apo fuzion i arteve është firma e fshehtë e Bienales së Durrësit.

A nuk është historia e Durrësit tonë, me shkëlqimin dhe dramat 3000-vjeçare, një vepër arti e pambarim ku në kopshtet e tij shfaqet herë parajsa e herë mëkati?”, shkruan drejtori artistik i festivalit lidhur me “Netët e muzikës klasike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë