Ekspozite

Bienalja e Akuarelit/ “Natyra e qetë” e 310 artistëve i jep kuptim jetës në kohë pandemie

Nga Luljeta Nelallari - Ngjyra shpërthyese e të hapura, shumë lule, skena të gëzueshme e një magji penelatash të ndryshme të ngjallin një emocion të veçantë sapo futesh në hollin e Muzeut Historik Kombëtar.

Nën një frymë optimiste dhe plot ngjyra, një paralelizëm me kohën e zymtë të Covid-19, Bienalja Ndërkombëtare e Akuarelit ka çelur edicionin e katërt në kryeqytet me temën “Natyra e qetë”.  

310 artistë nga 58 vende të botës, duke filluar nga vendet fqinje si Kosova, Italia, Greqia, Gjermania, Serbia, e duke vazhduar me vende të largëta si Australia, USA, Kanada, Kina, Rusia, Koreja e Jugut, El Salvador, Costa Ricca, e deri në Afrikën e largët kanë sjellë punimet e tyre në Bienale.

Kuratori i ekspozitës, piktori i njohur Helidon Haliti, shprehet për Gazetën “Si” se përpos pandemisë ky event me rëndësi kaq të veçantë arriti të organizohej dhe tema “Natyra e qetë” është përzgjedhur për të kremtuar bukurinë e jetës.

Kuratori i Bienales së Akuarelit, Helidon Haliti

“Vjet pasi filloi pandemia, kishte një heshtje totale dhe një anulim të aktiviteteve kulturore dhe ishte një moment shumë i trishtë për ne të Shoqatës dhe unë vendosa që të bëj një ekspozitë personale me veprat që ata kishin nisur në mënyrë që të mos e anuloja. Por pandemia nuk kishte vetëm të këqijat e saj, por kishte dhe shumë të mira që duhet t’i rrëmbenim. Një ndër të mirat ishte që njerëzit rrinin në shpi dhe prandaj zgjodhëm temën ‘Still life’, (Natyra e qetë) sepse bëmë që shumë artistë të bënin diçka rreth kësaj fjale të thjeshtë, por në të vërtetë ka një perceptim shumë të thellë në këtë kohë të vështirë nga pandemia”, shprehet kuratori Helidon Haliti për Gazetën “Si”, ndërsa thekson se “pandemia na ndryshoi dhe na bëri të pikturojmë në kushtet e shtëpisë, ne ishim mësuar të pikturonim jashtë”.

Bashkëorganizatorja Ormira Lulani thekson gjithashtu për Gazetën “Si” se ngjyrat e ngrohta ishin kryefjala e kësaj Bienaleje dhe se të gjithë artistët u solidarizuan në këtë kremtim të së bukurës e jetës.

Piktorja Ormira Lulani 

“Ne menduam që duhet ta bënim patjetër këtë Bienale, pasi ka shumë lule dhe shumë ngjyra dhe kjo ishte ajo risia që të sillnim sa më shumë ngjyra, sa më shumë nuhatje, meqenëse ishim gjithmonë të bllokuar. Rreth 310 artistë iu përgjigjën thirrjes sonë, por edhe artistë, të cilët nuk punonin akuarelin më përpara, gjithsekush e bëri atë natyrën e qetë thjesht si një shenjë solidariteti, mbase, për të qenë prezent në këtë Bienale”, shprehet piktorja Ormira Lulani, prezente me punime në këtë Bienale.

Haliti shprehet se këtë vit risia negative ishte mungesa e artistëve të huaj, pasi vitet e shkuara është kthyer gati-gati në një festë në Shqipëri.

“Risia negative është se nuk ka artistë të huaj që të vijnë për shkak të bllokimeve, ndërkohë që vitet e tjera ka pasur edhe demonstrime live, ka qenë një gërshetim i meditimit artistik dhe pjesës interaktive ku artistët pikturonin dhe i ndiqje penel pas peneli”, i thotë piktori Haliti Gazetës “Si”.

Por, i pranishëm në këtë edicion të veçantë të Bienales është Presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare të Akuarelit (WS), Atanur Dogan, së bashku me të shoqen piktore, prezencë të cilën në këtë kohë pandemie Haliti e cilëson si një moment që i ngroh të gjithë.

Piktorja Asuman Dogan, e shoqja e Atanur Dongan, presidentit të Shoqatës Globale të Akuarelistëve shprehet se është e lumtur që është pjesë e kësaj ekspozite dhe e vlerëson artin shqiptar.

“Unë jam me origjinë nga Turqia dhe këtu në Shqipëri kam ndjerë shumë ngrohtësi për shkak se kemi kulturë të  ngjashme. Kam parë në Shqipëri njerëz shumë punëtorë dhe vepra shumë të bukura arti, prandaj do doja të falënderoja të gjithë ata që kanë ndihmuar në organizimin e ekspozitës. Jemi të lumtur dhe krenarë që kemi mbledhur bashkë shumë artistë dhe po ju japim atyre mundësi për të treguar veten dhe punët e tyre”, shprehet për Gazetën “Si” artistja Asuman Dogan, e shoqja e Atanur Dongan, president i Shoqatës Globale të Akuarelistëve.

Sa i përket impaktit në përgjithësi nga artistët e huaj, kuratori thotë se ndjekshmëria online ka qenë e madhe si dhe vë re një interes të madh të studentëve shqiptarë për këtë ekspozitë.

“Unë mendoj që ka pasur më shumë impakt sesa vitet e tjera, sepse ndiqej më shumë se 90% online, kam parë kërkesat e artistëve të huaj për të parë punët e tyre, sigurisht që ky është një netëork shumë i madh”, thotë Haliti, ndërsa thekson që në këtë medium “prezenca e studentëve shqiptarë është e madhe”.

Haliti e mbyll se kjo bienale është si një lloj “virusi pozitiv” për të sjellë një hapje më të madhe të artit.

“Ne jemi munduar që publikut t’i japim momente shumë optimiste dhe kjo ekspozitë ka qenë si një buqetë e parë. Sigurisht që mesazhet që marrim janë të jashtëzakonshme, jam i bindur që do pasohet me aktivitete të tjera, pra është një lloj virusi pozitiv, kjo është shenjë e mirë për të treguar një hapje drejt artit. Këtu është rasti për të mësuar, për t’u krahasuar për t’u ndier mirë”, përfundon Haliti.

Bienalja në këtë edicion të katërt përmban emra të mjeshtërve botërorë, emra të njohur të akuarelit, si Alvaro Castagne, (Uruguai) Sanislaw Zoladz (Suedi), Jose – Luis Corella (Spanjë), Eftim G. Risto (Greqi), Atanur Doga (Kanada), Hong Shan (Kinë), You Mee Park (Kore), Olga Litvinenko (Rusi), etj, por dhe artistë nga Shqipëria si piktori i njohur Skënder Kamberi, Ronald Runaj dhe emra të tjerë, që përfaqësohen me punët e tyre.

Bienalja është bërë e mundur falë bashkëpunimit të Shoqatës Kulturore VIZart, Shoqatës së Akuarelistëve shqiptarë (IWQS Albania), si dhe me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Kulturës.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datë 24 mars 2021 në Muzeun Historik Kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë