Ngjarje

Bien telefonatat te 127-ta, çfarë rekomandon urgjenca në shtëpi dhe cili është shqetësimi në izolim

“Alo, kam temperaturë 37 e gjysëm dhe ndihem si i lodhur... ”, - pyet një qytetar në numrin e Qëndrës Kombëtare të Urgjencës, 127. Linja u kap shumë shpejt. Vetë-izolimi, si pasojë e masave të rrepta të qeverisë, ka filluar të ketë efektet e para. Kjo është një ndër 4000 telefonatat që vijnë në një ditë, duke e përgjysmuar numrin e thirrjeve, (nga rreth 8000) që ishin javës së kaluar...

… “Mund të marrësh një paracetomol dhe telefono sërish nëse do kesh simptoma të tjera” , - vjen përgjigja nga ana tjetër e receptorit. Në Tiranë ka një zinxhir të shkruar se si veprohet në këto raste. Gjithcka fillon me një telefonatë, si rruga më e shpejtë. Qëndra Kombëtare e Urgjencës/ Tel 127 është pika lidhëse e gjithë këtij procesi. Nëse personi që telefonon radhit disa shqetësime nga më të ndryshmet, fillon faza e dytë; Urgjencat.

Një ditë me urgjencat

Në Tiranë funksionojnë 9 ekipe urgjencash. Gjashtë ekipe kanë në përbërje një mjek dhe një infermier ndërsa tre ekipe të tjera vetëm  infermierë. Një ndër 9 ekipet që ka Urgjenca sot në Tiranë (të ndara sipas zonave) niset drejt një banese, pas telefonatës që ka marrë nga 127. Rrugës, ata marrin informacion më të zgjeruar duke kontaktuar direkt me personin që ka telefonuar në urgjencë. Të pajisur me doreza dhe maska kirurgjikale, ekipi mjekësor futet në shtëpi dhe personit të të interesuar i mat temperaturën dhe tensionin. Nëse temperatura është 37 e gjysëm deri 38 gradë mjeku të rekomandon pirjen e një paracetomoli. Nëse rezulton i ftohur apo me simptoma të tjera, atëherë ekipi të orienton tek mjeku i familjes për trajtim më të specializuar. Kështu funksionon në parim. Për rastet kur dyshohet për koronavirus nisur nga pyetësori paraprak mes atij që ka telefonuar dhe Qëndrës Kombëtare të Urgjencës, situata ndryshon. Pas informacionit që kanë marrë nga 127, mjeku dhe infermieri nuk futen në shtëpi pa veshur uniformën e vecantë. Më pas, bëhet transporti i qytetarit të dyshuar si i prekur tek Infektivi.  Në Tiranë, numri i vizitave nëpër shtëpi nga ekipet e urgjencës (nga një zonë e caktuar) shkon deri në 15 gjatë një harku kohor prej 12 orësh. Kur qytetari shkon tek mjeku i familjes dhe ky i fundit vëren se ka përballë një pacient që dyshohet se është i infektuar me koronavirus, atëherë ai (mjeku) duhet të kontaktojë mjekun infeksionist si dhe Qendrën Kombëtare të Urgjencës/ Tel 127. Rrugë tjetër nuk rekomandohet. Pra, që vetë qytetari të veshë këpucët e të buajë tek dera e Infektivit, apo të marrë ilace pa u konsultuar më parë me mjekun specialist.  

C’po ndodh nëpër shtëpi?

Të kontaktuar nga gazeta “Si” ekipe të emergjencës shprehen se fenomeni më i shpeshtë që po vënë re gjatë vizitave nëpër shtëpi këto kohë është paniku, ankthi i shtuar, apo edhe trembja nga situata.

Kjo sipas tyre nuk po vërehet vetëm tek moshat e treta, por edhe tek të rinjtë. Koronaviruset konsiderihen në fakt një familje e madhe virusesh që shkaktojnë sëmundje nga më të lehtat deri tek ato tepër të rënda. Ato ngjasojnë shumë me gripin dhe shoqërohen me kollë, ftohje ethe, dhe njerëzit shpesh herë e kanë të vështirë të bëjnë dallimin.  Sic shpjegon ISHP, ashtu si sëmundjet e tjera të rrugëve të frymëmarrjes, infeksioni i ri nga COVID-19 mund të shkaktojë simptoma të lehta si ftohje, dhimbje fyti, kollë dhe ethe, ose simptoma më të rënda si pneumoni dhe vështirësi në frymëmarrje. Rrallëherë mund të jetë fatale. Rrezikshmëria e sëmundjes sipas ISHP-së rritet me moshën: njerëzit mbi 40 vjeç duket se janë më të prekshëm se ata nën 40 vjeç. Njerëzit me sistem imunitar të dobësuar dhe ata që vuajnë nga diabeti, sëmundjet e zemrës dhe mushkërive janë gjithashtu më të prekshëm ndaj komplikacioneve të rënda të COVID-19. Se sa po kuptohet kjo në popullatë vështirë të thuhet. Vetë-izolimi në kohën më të madhe në shtëpi dhe “bombardimi”  me informacione dhe situata të krijuara nga përhapja e këtij virusi jo vetëm në Shqipëri, por edhe botë po sjell jo pak efekte tek njerëzit.

Si të shmangni stresin?

ISHP ka një kapitull të tërë se cilat janë masat që duhet të merren më shëndetin mendor gjatë shpërthimit të Covid-09. Fillimisht, ky insitut sugjeron që personat e infektuar si “raste me COVID-19”, të mos trajtohen si “viktima” ose “të sëmurë”. Ata janë “persona që kanë COVID-19”, “persona që trajtohen për COVID-19 ”, apo “persona që janë duke u rikuperuar nga COVID-19 ”.

“Shmangni shikimin, leximin ose dëgjimin e lajmeve që ju bëjnë të ndiheni në ankth ose shqetësim; kërkoni informacion kryesisht për të ndërmarrë hapa praktikë për të përgatitur planet tuaja dhe për të mbrojtur veten e të dashurit tuaj. Kërkoni përditësime të informacionit në kohë të veçanta gjatë ditës, një ose dy herë. Edicione lajmesh të papritura por edhe kur janë thuajse të vazhdueshme lidhur me shpërthimin e epidemisë mund të krijojnë një gjendje shqetësimi. Merrni faktet. Mblidhni informacione në intervale të rregullta, nga faqja e internetit e OBSH-së dhe platformat e autoriteteve lokale shëndetësore, në mënyrë që t’ju ndihmojnë të dalloni faktet nga thashethemet…”, - thuhet në disa nga rregullat bazë të ISHP-së. Instituti sugjeron gjithashtu që cdo person i prekur duhet të amplifikojë zërat, historitë dhe imazhet pozitive të personave të infektuar nga COVID-19 që e kanë marrë veten ose kush ka mbështetur një person të afërt në këtë situatë dhe janë të gatshëm të ndajnë përvojën e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë