Shendet

Bie vaksinimi për fruth, rubeolë e shyta, ISHP: Ndryshon strategjia e programit kombëtar, do të rinisin fushatat e ndërgjegjësimit

Nga Gazeta Si - Në vitin 1998 Shqipëria deklaronte se kishte zhdukur sëmundjen infektive të fruthit, falë vaksinimit masiv që nisi tek fëmijët 1-5 vjeç. Mbulimi me vaksina ishte në shifra të kënaqshme falë punës rigoroze të respektimit të kalendarit të vaksinimit nga prindër e pediatër.

Vaksina MMR siç njihet ndryshe vaksina trivalente Fruth, Rubeol dhe Parotit, është një vaksinë e kombinuar kundër tre sëmundjeve infektive e cila aplikohet në moshën 1 dhe 5 vjeç.

Por, me shfaqjen e sëmundjes së autizmit dhe lajmeve të qarkulluara në internet për lidhjen mes vaksinës dhe sëmundjes, pati një hezitim nga prindërit për të kryer këtë lloj vaksine.

Ky refuzim ka ekspozuar moshat pediatrike ndaj infektimit me fruth dhe prej vitit 2016, në vendin tonë numërohen vit pas viti raste të reja.

Për këtë arsye, prej vitit 2018, Shqipëria nuk është më një vend i sigurt pa fruth, por ka statusin e vendit të rriskuar nga sëmundjet infektive, fruth e rubeolë.

Të pyetur zyrtarisht nga Gazetasi.al, Instituti i Shëndetit Publik pranon se ka rënie të numrit të të vaksinuarve me vaksinën e MMR.

Sipas të dhënave zyrtare të ISHP, rënia më e madhe u vu re gjatë 3 viteve të pandemisë e sidomos në vitin 2022 ku u vu re një rënie drastike e mbulimit me vaksina, kryesisht në qytetet e mëdha përfshi Tiranën.

“Gjatë tre viteve të Covid-19 dhe sidomos gjatë vitit 2022 patëm një ulje të vaksinimit në krahasim me vitet e mëparshme, sidomos në lidhje me aplikimin e vaksinës në moshën 1 vjeç deri nën 90% kryesisht në Tiranë dhe në disa bashki të vendit. Po ashtu një rënie e mbulesës me vaksina vihet re edhe gjatë vaksinimit me dozën e dytë në moshën 5- vjeç”, thonë burimet zyrtare të ISHP për Gazetasi.al

Refuzimi nis me shtyrje të vaksinës

Fenomeni që po vihet re gjithnjë e më shumë në vendin tonë për vaksinën trivalente është shtyrja në kohë e kryerjes së saj.

Nëse më herët, prindërit ishin të gatshëm të respektonin kalendarin e vaksinimit, ku  vaksina MMR e njohur si vaksina më e rëndësishme por dhe jo pak pa pasoja tek fëmijët e vegjël, siç është temperaturw e lartë që mund të ketë në 3 ditët e para, duhet të aplikohet në moshën 1 vjeç.

Sipas ISHP, po vihet re gjithnjë e më shpesh se prindërit kanë tendencë ta shtyjnë vaksinën dhe të aplikojnë dozën e parë të kësaj vaksine tek fëmijët mbi 15 muaj deri ne 20-24 muajsh.

ISHP thotë se kjo tendencë vihet re në disa qytete si: Tiranë, Durrës, Elbasan etj.

Kjo ka detyruar ekspertët e shëndetit publik t’i rikthehen edhe njëherë strategjisë së vaksinimit duke futur në program fushatat ndërgjegjësuese.

“Departamenti i Sëmundjeve Infektive dhe programi i vaksinimit ka përgatitur një plan të aktiviteteve për të ndërgjegjësuar prindërit, komunitetet, çerdhet, kopshtet, shkollat dhe personelin shëndetësor në lidhje me rëndësinë e vaksinimit ndaj Fruthit, Rubeolës dhe Parotitit viral (shytave) dhe po e zbaton atë”, thotë ISHP.

Vaksina trivalente MMR, për çfarë shërben ajo?

Kjo nuk është një vaksinë që duhet bërë në mënyrë të detyruar, por Ministria e Shëndetësisë e këshillon dhe madje ofron falas për fëmijët në çdo qendër shëndetësore përkatëse. Është e rëndësishme që fëmija të marrë këtë vaksinë sepse duhet të mbrohet nga sëmundja e fruthit, shytave dhe rubeolës.

Fruthi është një sëmundje infektive që prek sistemin e frymëmarrjes, e cila mund të shkaktojë komplikacione si: polmoniti dhe encefaliti.

Shytat shkaktohet nga një virus që prek gjëndrat e pështymës që ndodhen poshtë veshëve. Kjo sëmundje në rastet më të rënda mund të shkaktojë probleme me dëgjimin, inflamacione në pankreas si edhe në testikuj.

Ndwrsa rubeola prek zakonisht moshën shkollore. Shoqërohet me temperaturë të lartë dhe njolla.

Ku dhe kur duhet bërë vaksina MMR?

Vaksina trivalente mund të bëhet pranë çdo qendre shëndetësore por edhe në spitalet private përkatëse. Kjo është një vaksinë që merret e ndarë në dy doza, të cilat injektohen përkatësisht në moshën 1 dhe 5 vjeçare tek fëmija. Në disa raste nënat preferojnë t’ia bëjnë fëmijës këtë vaksinë në periudhën 12-15 mujore si edhe 5-6 vjeçare. Në rastet më të veçanta, kur mjeku e shikon të domosdoshme marrjen e dozës së dytë, kërkon të bëhet më herët injektimi, por pa tejkaluar limitin 28 ditor nga marrja e dozës së parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë