Bota

Biden shpall ekipin e tij, rikthehet John Kerry, në krye të Sigurisë vjen i pari me prejardhje latine

Presidenti i zgjedhur në Shtetet e Bashkuara, Joe Biden, do të emërojë këshilltarin e tij të vjetër dhe diplomatin veteran, Anthony Blinken, si Sekretar të Shtetit, njoftoi ekipi i tranzicionit, më 23 nëntor.

Jake Sullivan, një këshilltar i vjetër i Bidenit dhe ish-Sekretares së Shtetit dhe ish-kandidates presidenciale, Hillary Clinton, do të bëhet këshilltar i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Ish-sekretari i Shtetit, John Kerry, do të emërohet i dërguar i posaçëm presidencial për çështjet e klimës dhe do të jetë pjesë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Linda Thomas-Greenfield do të bëhet ambasadore në Kombet e Bashkuara dhe Avril Haines do të zërë postin e drejtores së Inteligjencës Kombëtare, duke u bërë gruaja e parë në atë pozitë.

Alejandro Mayorkas do të emërohet kreu i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, personi i parë me prejardhje latine që udhëheq me këtë pozitë, nga e cila mbikëqyr agjencitë kryesore të zbatimit të ligjit dhe imigracionit.

Të gjitha detyrat duhet të konfirmohen nga Senati. Ndërkohë, Biden pritet t’i shpallë nominalisht ditën e martë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë