Ekspozite

Betoni, si Muzë në Ballkan

Andrija Mutnjakovic. Biblioteka Kombëtare dhe Universiteti i Kosovës, 1971-82. Prishtinë, Kosovë, pamje nga jashtë. Foto: Valentin Jeck, për MoMa, 2016.

Jason Farago/ New York Times - Disa do të mbeten disi të vagullt rreth shtatë shteteve në qoshkun e poshtëm  në të djathtë të Europës, në lindje të Italisë dhe në veri të Greqisë. Një rikujtim i shpejtë: Sllovenia është vendlindja e filozofit hipster Slavoj Zizek dhe e Zonjës së parë të Amerikës; Kroacia, finalistja e Kupës së Botës me bluzat e dallueshme si kuti shahu, i shtyn pushuesit drejt brigjeve të Adriatikut; jahtet europianë lundrojnë edhe pak më në jug, drejt të voglit Mal të Zi, i cili para pak kohësh kishte momentin e tij në lajme; Beogradi, kryeqyteti i Serbisë, është përmirësim muzeor; Sarajeva, në zemër të Bosnjes, është një nyjë e kafe-kulturës; Maqedonia ka zgjidhur më në fund debatin mbi emrin dhe po troket në dyert e Bashkimit Europian dhe Kosova është shtëpia e të parëve të yllit më të madh të popit europian për momentin, Dua Lipës.

Ndërtesat paslufte të shtetit socialist ngrihen me ambicie dhe imagjinatë. Monumenti i Betejës së Sutjeskës, Tjentiste, Bosnje dhe Hercegovinë, Foto nga Valentin Jeck për ekspozitën “Drejt një Utopie Betoni: Arkitektura në Jugosllavi 1948-1980” në Muzeun e Artit Modern, Nju Jork. Credit: Valentin Jeck për MoMa.

Përpara vitit 1991, kur armiqësitë e vjetra dolën egër në sipërfaqe, këta shtatë shtete ishin pjesë e një republike të vetme federale –Jugosllavisë –me etni, besime fetare dhe grupe gjuhësh nën të njëjtën çati. “Drejt një Utopie  Betoni: Arkitektura në Jugosllavi , 1948-1980, një ekspozitë e re mbresëlënëse në Muzeun e Artit Modern (MoMA), na sjell pas në kohë, në këtë shtet të zhbërë socialist, arkitektura paslufte e së cilës pati të gjithë ambicien dhe imagjinatën e gjetur në ShBA, Brazil, Japoni dhe të tjera qendra të ndërtimit për kohën.

Një poster i ekspozitës për një retrospëktivë të vitit 1984 nga arkitekti Janko Konstantinov. Credit: Arkivi i Jovan Ivanovski-it

Nga Lubjana në veriperëndim drejt Shkupit në jug, qytetet e Jugosllavisë shërbyen si shprehi publike të rishpikjes politike, ndërsa monumente gjigante, abstrakte e antifashiste, shënjues të unitetit kombëtar, por gjithaq edhe të pavarësisë artistike, pikëzuan periferinë. Ky spektakël i mprehtë, vazhdimisht befasues është tamam ajo që MoMA duhet të mendojë ndërsa përgatitet të zërë  shtëpinë e saj të zgjeruar –të shohë  përtej trallisjes gjeografikisht tradicionale, të  zhytet në fusha shumë pak të studiuara dhe të vendosë në narrativën e vet,  standarde të artit dhe dizajnit të shekullit të 20-të nën presion konstruktiv.

“Drejt një Utopie Betoni” është i pari ekskursion i madh i MoMA-s për Martino Stierli-n, i cili bë shefi kurator i muzeut për arkitekturë dhe dizajn më 2015 –ë  dhe që ka bashkëpunuar me kuratorin e ftuar Vladimir Kulic si për shfaqjen, ashtu edhe për katalogun elegant (shtypur në Slloveni). Më shumë se 400 objektet e saj, së bashku me filmat dhe fotografitë e pajtuara enkas për ngjarjen, lidhen bashkë në një koleksion të rrjedhshëm ndërtesash civike dhe monumentesh publikë, edhe pse vende-vende shfaqja priret  në Jugonostalgji dhe chic-un socialist. Tejet rrallë mes shfaqjeve arkitekturore, është gjithashtu kënaqësi ta kundrosh, me skica, plan-projekte dhe dokumente historike, por edhe me modele të ndërtuara rishtas dhe filmime me dron nga lart të xhamive boshnjake dhe resorteve kroate.

Hotel Adriatik II në Opatija, Kroaci, skicuar nga arkitektu Branko Znidarec.CreditValentin Jeck për MoMa, Nju Jork

Jugosllavia u farkëtua nga rrënojat e Luftës së Parë Botërore dhe u bë një shtet socialist me një parti pas Luftës së Dytë Botërore. Por ja ku është pika kritike: Nuk ishte pas Perdes së Hekurt. Më 1948-ën, Josip Broz Tito prishi marrëdhëniet me udhëheqjen  sovjetike dhe e orientoi Jugosllavinë drejt një statusi hibrid unikal,  që refuzonte si stalinizmin ashtu edhe demokracinë liberale. Më vonë, Jugosllavia mori drejtimin e Lëvizjes së paangazhuar, samiti i parë i së cilës u mbajt në Beograd më 1961-shin. “Drejt një Utopie Betoni” nis atje. Janë tre filma të edituar që kremtojnë ngritjen e Beogradit të Ri, një zgjatim i stilit brazilian i kryeqytetit federal të Jugosllavisë me projekte brutaliste në shkallë të gjerë si Kulla Genex, një çift ngrehinash të larta prej betoni nga një urë në qiell me një restorant rrotullues. Akti baraspeshues  i vendit mes Lindjes dhe Perëndimit, mes lirisë dhe autoritarizmit, i luajtur në arkitekturën e një individualiteti të guximshëm, edhe pse mishëronte ambiciet kolektive që jugosllavët e quanin “standardi socialist.”

Në Sheshin e Revolucionit në Lubjanë (sot i emërtuar Sheshi i Republikës) arkitekti slloven Edvard Ravnikar ndërtoi dy kulla të guximshme për zyra shtrirja prej betoni e të cilave të sjell ndërmend Le Corbusier and Breuer, por gozhdët e stërmëdha dekorative të të cilave shkojnë më pas në kohë , te pararendësit vjenezë. Biblioteka Kombëtare dhe Universiteti i Kosovës, ndërtuar në Prishtinë nga Andrija Mutnjakovic dhe ende në përdorim, është një ngjitje e çmendur e kubave të betonit mbuluar në majë nga 99 kupola gjysmë sferike, frymëzuar nga arkitektura islamike po aq sa edhe eksperimentet gjeodezike të Buckminster Fuller –it.

Një vizatim në perspektivë i vitit 1960 i një ndërtese apartamentesh, skicuar nga Ivan Vitic, në rrugën Laginjina në Zagreb, Kroaci.Credit: Arkiva e Ivan Vitic, Akademia kroate e Shkencave dhe Arteve.

Ashtu siç shkruan z.Stierli në katalog, kultura dinamike e të ndërtuarit në vend, njoftuar me sa mundej prej diskursit arkitekturor të Perëndimit dhe parimeve ekonomike të Socializmit, ishte “ e mundur vetëm në kushtet unike gjeopolitike në të cilat e gjeti veten Jugosllavia gjatë Luftës së Ftohtë. “Arkitektët jugosllavë udhëtuan në panaire ndërkombëtarë të tillë si ‘Expo 58’ në Bruksel, ku dijetari kroat Vjenceslav Richter mahniti turmat me pavijonin shumëkatësh të xhamtë, lehtësia e të cilit binte qartazi ndesh me fqinjët e tij të stilit sovjetik. Pozicioni asnjanës i Jugosllavisë u dha gjithashtu arkitektëve një mundësi  për projekte ndërkombëtarë ndërtimi. Kjo shfaqje përfshin dokumente mbresëlënës në shkallë të gjerë të veprave infrastrukturore nigeriane, disa të projektuara nga Milica Steric, një nga të paktat gra në listën e parë të arkitektëve europianë paslufte.

Ambiciet ishin më madhështoret në Beogradin e ri dhe në Shkup, kryeqytetin maqedonas, i cili ishte rrafshuar nga një tërmet i vitit 1963, i cili vrau më shumë se 1 mijë njerëz. Arkitektët vendas e rindërtuan qytetin me kolegë nga të dy anët e Perdes së Hekurt, përfshi edhe arkitektët japonezë si Kenzo Tange, i cili po eksploronte aftësitë shprehëse të ndërtesave të betonit në një gjuhë që ata e quanin Metabolizëm.

Vetëm pak prej planeve të tyre më të guximshëm u realizuan, por ato që ishin – si Qendra e Telekomunikacionit të Janko Konstantinov-it me shtrirjet e tij me vrima dhe pikëzim betoni – shprehnin një vetëbesim me vrull drejt së ardhmes me asnjë prej shtypjeve etatiste,  të cilat ende i kemi në mendje në stereotipat tanë të kohës së Luftës së Ftohtë për “Europën Lindore”.

Pavijoni i arkitektit kroat Vjenceslav Richter ’për Expo 58 , në Bruksel. Credit: Arkivat e Jugosllavisë

Ekspozita paraqet këtë ndërtesë shkupjane jo vetëm me planet arkivore dhe vizatimet, por gjithashtu me një model bashkëkohor dhe dy fotografi të mëdha të blera së fundi për rastin.

Janë shkrepur gjatë natës nga artisti Valentin Jeck, me ndriçim dramatik që thekson sipërfaqen e njollosur të ndërtesës dhe xhamin e verdhë. Z. Jeck ka prodhuar më shumë se dhjetëra fotografi për shfaqjen dhe katalogun e saj; disa kanë një gravitet mbresëlënës siç janë pamjet hijerënda të bibliotekës së Prishtinës dhe elegantes Xhami e Bardhë në Visoko, Bosnje.

Pak si shumë, megjithatë, bien në sentimentalizmat brutaliste me beton të mbushur me grafiti dhe qiej të zymtë me re që shkojnë në skajet e një pornoje rrënojash.

Në të vërtetë, me të gjithë shkëlqimin e vet “Drejt një Utopie Beton” mund të bëhet pak sentumentaliste në shumë vende; utopitë në fund të fundit, nuk ekzistojnë vërtet. Jugosllavia ishte më liberalja mes republikave socialiste dhe një vend më i thjeshtë për të qenë një artist i pavarur apo arkitekt sesa në Bashkimin Sovjetik, Rumani, Shqipëri apo edhe në Gjermaninë Lindore.

Në mes të viteve ’60, Tito hoqi dorë nga ekonomia e komanduar dhe prezantoi një Socializëm tregu që i dha jetë dizajnëve të përballueshme ekonomisht të shtëpive, si televizioni Minirama, skajet e rrumbullakosura të së cilës ishin të veshura me plastikë në ngjyrë portokalli. Një montazh fitues i viteve ’60 qep skena filmike të Jugosllavisë me festa dhe histori dashurie në kullat e reja që ngrihen në qytete dhe në bregdet

Monumenti i Kryengritjes së Popullit të Kordunit dhe Banijes, Petrova Gora, Kroaci, fotografuar më 2016-ën. Credit: Valentin Jeck për MoMa, Nju Jork.

Por nuk ishte parajsë. Titoja udhëhiqte një organizatë policore sekrete të frikshme. Tensionet etnike, gjuhësore dhe fetare nuk u zhdukën kurrë plotësisht. Librat në atë bibliotekë madhështore të Prishtinës censuroheshin; po ashtu edhe vepra në Muzeun e Artit Bashkëkohor të Beogradit, i ekspozuar si model këtu.

Në MoMA mund të shohësh një prezantim fotosh të resorteve në plazh në bregdetin e bukur të Kroacisë, nga arkitektët vendas si edhe nga Edward Durell Stone, i cili ka skicuar ndërtesën e parë të MoMA-s. Ajo që nuk mund të shihet është ishulli që strehon të burgosurit politikë në breg.

Një nga fokuset kryesorë të Jugonostalgjisë sot janë qindra spomenikët apo monumentet përkujtimorë, shumica të ndërtuar për të përkujtuar fitoren mbi Fashizmin dhe për të nderuar një milionë jugosllavët e vrarë në Luftën e Dytë Botërore. Në dallim me gjigantizmin e Realizmit Socialist gjetiu në Lindje (mendo për “Mëmëdheu Thërret” gruaja shpatare prej 85 metrash që ngrihet mbi Volgograd, Rusi), këta spomenikë betoni synonin të unifikonin Jugosllavinë multi-etnike përmes abstraksionit futurist.

Një monument boshnjak dramatizon një rrethim duke përdorur blloqe betoni të grupuara përreth një cilindri të zbrazët. Një tjetër, që ka fotografuar z.Jeck nën një shtresë dëbore, përfshin dy shirita gradash që skajohen bashkë e më pas ndahen veçmas.

Për mirë apo keq shfaqja mbyllet me vitet 1980: përpara Lojërave Olimpike Dimërore të 1984-ësdhe përpara shpërbërjes së vendit që tërhoqi vëmendjen e botës drejt Sarajevës për arsye shumë më të ashpra. E megjithatë, “Drejt një Utopie Betoni” ofron një konkluzion të zhdrejtë përmes një fragmenti “Një Vrimë në Kokë” , një film dokumentar i vitit 2016 nga regjisori sllovak Robert Kirchhoff. Shihen tre burra në dëborë pranë këtyre relikteve socialiste në Kroaci një lule gjigante betoni në sitin e një kampi shfarosës drejtuar nga fashistët ku dhjetëra mijëra serbë, hebrenj dhe romë humbën jetët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Burrat ecin drejt monumentit, duke folur mbi tmerret që ngrihen kur një grup e konsideron një tjetër më pak se njerëzor. Por ndoshta ata nuk po flasin rreth Luftës së Dytë Botërore. Mbase ata po flasin rreth masakrave që do të vijnë, të njerëzve të cilët një personazh i quan “Pa asnjë vlerë edhe për t’u numëruar.”

Kalova një copë herë duke vështruar hartën këtu, të bërë më 1975-ën, që tregon me qindra kësisoj monumentesh antifashiste, të shpërndarë barabar përqark kufijve, për të cilët hartografi nuk pati idenë se do të ngriheshin sërish. Nga një lumë në lindjen e Bosnjës gjeta një shënjues spomeniku në formën e një kubi të gjerë dhe me emrin e një qyteze malore aty pranë: Srebrenica, vendi i masakrës më të tmerrshme në Europë,  qysh prej Luftës së Dytë Botërore. Toka nën këto kulla betoni është e njomur me gjak dhe ndoshta nuk është çudi që futbollistët e Kroacisë nuk patën shumë mbështetje nga fqinjët. Por përpara luftërave dhe ndarjeve, ishte një ardhme madhështore përpara, e shkrirë në xham dhe beton.

*Përktheu:Suadela Balliu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë