Ngjarje

‘Beteja për 20 përqindëshin’ / Libri që hedh dyshime për censin dhe debati i studiuesve nëse ka një plan për greqizimin e jugut

Nga Gazeta Si - Ndërkohë që prej 3 javësh ka nisur Censi i popullsisë në vendin tonë, studiuesi Ardit Bido hap debat e polemika mbi saktësinë e censusit, duke pohuar që mund të ketë deklarime të rreme etnike që deformojnë të dhënat.

Gjatë promovimit të librit “Beteja për 20 përqindëshin. Fluiditeti etnik, statistikat demografike dhe implikimet politike në Himarë dhe Konispol”, Bido paralajmëron për një plan grek për greqizimin e bashkive Himarë dhe Konispol, përmes vetëdeklarimit të rremë të mbi 20% të banorëve si grekë.

Për herë të parë, studiuesi Ardit Bido paraqet të dhënat e kombësisë nga regjistri i gjendjes civile, si dhe numrin minimal dhe maksimal të atyre që kanë kombësi shqiptare në regjistër, por vetëidentifikohen grekë, por që nuk i kalojnë 15% në asnjë prej dy bashkive.

“Spuntoja ishte në fakt për të evidentuar atë çfarë ne nuk kemi evidentuar në botimet historike. Në Shqipëri kemi plot popullsi me identitet fluid, duke nisur nga gollobordasit, maqedonasit, boshnjakët e Shqipërisë së Mesme. U përqendrova në dy bashki, Himarë dhe Konispol, pasi këtu ndikimi politik është i dukshëm. Libri ndahet në tri pjesë konceptuale. Në libër jepen statistika mbi njerëz që ndihen shqiptarë dhe deklarohen grekë për shkak të trysnive. Kam tentuar që ta shpreh edhe vizualisht në libër përmes hartave, të cilat e tregojnë qartazi këtë”, u shpreh studiuesi Ardit Bido.

Libri "Beteja për 20 përqindëshin"

Për studiuesin dhe gazetarin Aleksandër Çipa ky libër sjell një nga investimet më të shkëlqyera të çështjeve statistikore, të cilat janë një debat i hapur në kohën e postkomunizmit.

“Demokracia duket sikur e humbi betejën me memorien institucionale. Në fakt këtë sfidë kombëtare po e sjell në mënyrë vetjake studiuesi Ardit Bido”, shprehet Çipa, i cili ishte edhe moderator në këtë promovim libri.

Bido debatoi me studiues të ndryshëm të pranishëm në promovim, duke theksuar se edhe në 2011 ka pasur shtrembërim të censusit.

“Implikimet politike janë të bazuara në fakte. Në 2011 kemi pasur një vetëdeklarim të rremë në Konispol. Ky prodhim në statistika në analizën që del implikimi politik do të na prodhonte ligjin e ri të pakicave. Një realitet i çuditshëm, që të tejkalohet 20 përqindëshi, pasi kjo nuk bazohet në asnjë lloj qasje shkencore. Është një histori që po ndodh, sepse ka ndodhur në 2011. Në këtë libër unë sjell vetëm pjesën shkencore, kam shmangur pjesën historike dhe pjesën se çfarë duhet të bëjë shteti shqiptar”, u shpreh më tej Bido.

Botimi është bilingual pasi studiuesi ka pasur kurajën që ta sjellë edhe në gjuhën e polemikave, por jo të mbajë njëanshmëri. “Nuk është një libër antigrek. Është një pasqyrë objektive e një situate ekzistuese”, vijon më tej Bido.

Historiani dhe ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo vlerëson faktin që për herë të parë parashtrohet koncepti i fluiditetit identitar.

“Koncepti i fluiditetit identitar, një koncept shkencor në Shqipëri na vjen nga Ardit Bido dhe është për t’u marrë në konsideratë. Disa çështje të minoriteteve në Shqipëri duhet t’i gjykojmë mbi bazën e këtij koncepti, sepse në asnjë vend të rajonit nuk mund të gjesh komponentë demografikë krejt të pastër. Këto statistika do të ngjallin interes të madh në qarqet shkencore edhe jashtë Shqipërisë, nuk duhet të trembemi nga debatet shkencore. Duhet ta zhvillojmë më tej gjininë e debatit shkencor”, u shpreh historiani Paskal Milo.

Historiani Irakli Koçollari u shpreh se me këtë libër hidhet një hap i madh në temat nacionale, pasi sipas tij se “deri tani nuk ka asnjë studiues të vetëm që të jetë marrë me çështje nacionale, të origjinës së kombit tonë, të identitetit nacional. Ne si popull nuk kemi abuzuar me të tjerët, ndërsa të huajt herë pas here po”.

Milo vijon më tej se duhet të ngremë debate shkencore, por jo të rrëshqasim në shinat e politikës.

“Duhet të pranojmë këtë realitet shekullor që atje ka ekzistuar. Shqipërisë nuk i vjen asnjë gjë e keqe që tre fshatra në bashki të Himarës flasin greqisht, dhe nuk duhet të trembemi të pranojmë një realitet historik të prekshëm, nëse ne do të vazhdojmë ta mohojmë këtë realitet historik, që këtu nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi ndërtuar një bazë iluzore, po qe se do vazhdojmë të tjerrim histori të paqena justifikuese, të dikurshme se çfarë janë himariotët çfarë është gjuha e tyre, neve u kemi futur kryq të gjithë atyre kërkesave objektive shkencore që kërkohen sot edhe në procesin e integrimit evropian”, u shpreh më tej Milo, ndërsa shton se “duhet të kritikojmë ligjin që e bëri Shqipërinë me 9 minoritete, kemi krijuar një kakofoni sepse nuk kemi ndjekur kritere shkencore, nuk duhet të trembemi nga minoritetet, ndërkohë që jemi demokraci”.

Studiuesit vënë re se ka patur mungesë bashkëpunimi me trupën akademike lidhur me censusin e popullsisë.

“Kur ka nisur diskutimi i censusit ka një mungesë të bashkëpunimit me trupën akademike shkencore shqiptare të fushave të ndryshme, jo vetëm statistikat. Problemi i identitetit nacional të individit dhe gjithë popullit nuk ka një formulë apo përcaktim brenda një kornize të saktë që të jetë e gjithëpranuar. Shpresoj dalja e librit të Bidos do t’i jap mundësi hapjes së një debati të mirëfilltë shkencor”, u shpreh studiuesi dhe profesori Fatmir Mema.

Bido ndër të tjera thotë se vetëdeklarimi i rremë i mbi 20% të banorëve si grekë, do të bënte që nga Qafë Bota në Llogara të duhet të ngrihej flamuri grek krahas atij shqiptar në institucionet shtetërore dhe greqishtja të bëhej gjuhë e dytë zyrtare me tabela e shkolla dygjuhëshe duke prodhuar një varësi afatgjatë të Shqipërisë nga Athina zyrtare.

Ai analizon se si shteti grek ka një zhvendosje graduale nga viti 1991 në vitin 2012 me kahun e tezave të qarqeve nacionaliste që pretendojnë “Vorio Epirin”, përmes mekanizmave si shtetësitë, pensionet dhe personazheve influentë si Fredi Beleri dhe kryepeshkopi Anastas Janullatos, duke e zhvilluar këtë strategji për Censusin 2023.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë