Futboll

Beteja mes “punëtorëve” dhe “milionerëve”, apokalipsi nis sot

Histori, traditë dhe rivalitet në një finale për infarkt në Kupën Libertadores. Ka shumë e shumë arsye që e bëjnë Boka Zhunior-River Plejt një event historik. E gjithë Argjentina është paralizuar, në pritje të sfidës epike, ndërsa e gjithë bota shikon me admirim. Numërimi mbrapsht për “Superclasico”-n ka nisur. Vetëm një skuadër do të jetë fituese e Kupës Libertadores dhe akti i parë luhet të shtunën në mbrëmje, në mitikun “Bombonera”.

Është e pamundur ta shpjegosh atë pasion që e bën këtë ndeshje derbin më të nxehtë në botën e futbollit. Fedarata e Argjentinës i ka bërë jehonë kësaj ndeshje me një spot të bukur, ku edhe ai që nuk e njeh kulturën dhe traditën e këtij vendi, mund ta krijojë një ide se pse Boka-River mund të konsiderohet ndeshja e shekullit, apo më mirë “apokalipsi”. Kurrë nuk ka ndodhur të ketë një ndeshje kaq të ndjerë, që të vlejë një trofe kaq prestigjioz.Një sfidë, që me shumë mundësi, nuk do të përsëritet më. Për nga historia,tradita, rivaliteti dhe motivimi do të krahasohej vetëm me një finale të mundshme Botërori mes Argjentinës dhe Brazilit.

Spoti i Federatës Argjentinase të Futbollit enkas për këtë sfidë

Disa vite më parë, “The Guardian” u fuste këtë derbi në listën e10 eventeve, ku duhet marrë pjesë të paktën një herë në jetë. Është një rivalitetqë pasurohet prej 110 vitesh, duke polarizuar ndjenjat një kombi të tërë. Një ndeshje që ka ecur sipas ngjarjeve historike të Argjentinës dhe të një popullitë mësuar ta jetojë futbollin sipas mënyrës së vet. Nga derbi i parë, i luajtur në vitin 1908 dhe “finalja” për të vendosur se cila prej dy skuadrave duhej të linte lagjen “La Boca”, ku Boka dhe Riveri u themeluan, çdo sfidë mes “punëtorëve dhe “milionerëve” ka qenë një betejë që i ka kaluar kufijtë kombëtarë. Janë 368“Superclasico” të luajtur deri tani, ndeshje zyrtare dhe miqësore, por që miqësinë fakt kanë pasur shumë pak. Përballjet në Kupën Libertadores, 24 deri tani, kanë lënë kujtime të paharruara, nga gjysmëfinalja e 2004-s me golin historik të Tevezit, deri te skandali i 2015-ës, kur ndeshja u ndërpre në fillim të pjesës së dytë, pasi u sulmuan me gaz lotsjellës lojtarët e Riverit dhe Boka humbi në tavolinë. Përballja e kësaj radhe do të jetë me kuptimin e plotë të fjalës, përcaktuese.

Shtypi botëror ka treguar interes të jashtëzakonshëm për finalen e Kupës Libertadores Boka-River, që për nga atmosfera që krijon është superiore edhe ndaj finaleve të shkuara të Championsit mes Milanit dhe Juves në 2003-shin, mes Mançester Junajtid dhe Çelsit në 2008-ën, Bajernit dhe Borusias në 2013-ën,apo Realit dhe Atletikos në 2014-ën dhe 2016-ën. Thjesht, asnjë ngjarje futbollistike në botë nuk krahasohet me “Superclasico”-n dhe për më shumë kur flitet për një finale Libertadoresi, e fundit me dy ndeshje, e para në “Bombonera”dhe e dyta në “Monumental”. Për të kuptuar më mirë rëndësinë e ndeshjes , le të përmendim disa shifra: 1080 gazetarë të akredituar nga 150 medie të 25 vendeve. Ndeshja do të transmetohet në 100 vende, ndërsa çmimi i biletave ka shkuar miliona lek.

Atmosfera që krijojnë tifozët në stadium

Dy janë personazhet kryesorë të kësaj sfide: trajneri i  Riverit, Marselo Gajardo, një “mbret” te “milionerët”,me 16 trofe të fituar si lojtar dhe trajner, dhe Karlos Tevez, idhulli i “punëtorëve”,i cili është kthyer të veshë për të tretën herë fanellën e Bokës me misionin për t’i dhuruar kësaj skuadre Libertadoresin e shtatë. Përbërja e dy skuadrave kanjë vlerë totale që i kalon 200 milionë eurot (110 Boka dhe 75 Riveri). Janë të shumtë yjet e tyre, nga Barrios e Nandez të Bokës te Martinez dhe Kuintero të Riverit. Por emrat që janë të destinuar për në klubet më të mëdha europiane janë Kristian Pavon, sulmuesi 22-vjeçar i Bokës, me një klauzolë prej 40 milionë eurosh, dhe Ezekiel Palacios, mesfushori 20-vjeçar i Riverit, për të cilin po“zihen” Barcelona dhe Reali. Të dy janë pjesë e kombëtares argjentinase dhe pritet që të bëjnë diferencën në këtë finale, ku do të jenë të pranishëme dhe shumë agjentë që i ndjekin prej kohësh.

Nga një ndeshje Boka-River e viteve të fundit

Sido që te shkojë, nuk do të jetë një “Superclasico” për zemra të dobëta. Sipas Mauricio Makrit, ish-numrit 1 të Boka Zhuniorsit, do të jetë spektakli më i madh futbollistik i 10 viteve të fundit, por do të jetë edhe një mbyllje llogarish përfundimtare. Lavdi e përhershme për ekipin që do të triumfojë dhe për këtë arsye një sfidë e një niveli të tillë kërkon marrjen e masave të jashtëzakonshme për sigurinë publike. Zënkat dhe incidentet e javës së fundit në Buenos Aires dhe qytet të tjera mes tifozëve të dy skuadrave i kanë shtyrë klubet të evitojnë praninë e tifozëve miq. Për të njëjtën arsye është përjashtuar mundësia për të vendosur ekrane gjigante në kryeqytet. Për ndeshjen e parë në “Bombonera” do të angazhohen 1300 agjentë policie dhe rreth 500 stjuardë. Sepse, “Superclasico final” rrezikon të shkaktojë një apokalips, jo vetëm në kuptimin metaforik.

Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë