Rend dhe Ligj

‘Beteja’ kundër Vettingut që i hëngri kokën Bashkim Dedjes

Bashkim Dedja u diplomua për Drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1993. Menjëherë pas përfundimit të shkollës universitare, Dedja nisi punën si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës. Karriera e tij do të arrinte majat, kur në moshën 40-vjeçare do të propozohej nga presidenti i asaj kohe, Bamir Topi, si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Më pas në vitin 2012 do të propozohej si kryetar i Gjykatës Kushtetuese, duke zëvendësuar në këtë detyrë Vladimir Kriston.

Mazhoranca demokrate do ta votonte në Parlament këtë kandidaturë. Por Dedja duket se do të kishte besimin edhe të mazhorancës së re qeverisëse, asaj socialiste, e cila votoi pro dekretit të presidentit Bujar Nishani. Ai u votua për një mandat të dytë në postin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese më 126 vota pro dhe asnjë kundër, duke pasur konsensusin e demokratëve dhe të socialistëve.

Bekimi i dhënë në Parlament dukej se ishte një vlerësim për punën e tij. Por gjatë qeverisjes socialiste Gjykata Kushtetuese nuk ka ngurruar që të marrë vendime kundër ligjeve apo vendimeve të marra nga ekzekutivi i majtë që duket se ka ndikuar jo pak në konfliktin mes dy institucioneve.


Kushtetuesja rrëzoi në 2014 vendimin e qeverisë “Rama” për kompetencat e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, i cili i jepte të drejtën që mund të ndërhynte për shembjen e ndërtimeve pa leje, kur nuk vepronte inspektoratet e bashkive dhe komunave. VKM-ja u ankimua nga Partia Demokratike, e cila erdhi menjëherë, pasi qeveria shkatërroi me tritol pallatin në Ujin e Ftohtë në Vlorë, i njohur ndryshe si vjehrrit të kryedemokratit Lulzim Basha. Kjo VKM u shpall si antikushtetuese nga kjo gjykatë në mars të 2014.

Ky ishte vendimi i dytë i marrë, pas asaj që kjo Gjykatë, pas rrëzimit të aktit normativ duke e cilësuar si të papajtueshëm me Kushtetutën “Për disa ndryshime në ligjin nr. 152/2013 ‘Për nëpunësin civil’” dhe të ligjit të Kuvendit nr. 161/2013 “Për miratimin e aktit normativ nr. 5, datë 30.09.2013”.   

Gjatë qeverisjes së majtë, Gjykata Kushtetuese vijuan vendimet kundër qeverisë, kujtojmë këtu rrëzimin për nenin 4 të ligjit “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, ku parashikohej që avokatët të paguanin për kontribute shoqërore 27% të pagës së tyre, apo ai për shfuqizimin e pjesshëm të ligjit të Pronave, duke rrëzuar formulën e kompensimit për subjektet e shpronësuara.

Ndërsa jo pak bujë shkaktoi dhe se shfuqizimi i pjesshëm i vendimit, të pikës 9 të kreut II të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.970, datë 02.12.2015 “Për përcaktimin e procedurave dhe të kushteve për dhënien e licencave për tregtimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”.
Vetë kryetari Dedja do të dilte kundër vendimit të qeverisë për ndryshuar ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e KLD-së”, ku përcaktohej se nënkryetari i KLD duhej të zgjidhej njëri nga tre anëtarët e propozuar nga Parlamenti.

“Në këtë këndvështrim, në rastin konkret, ndryshimi që ka sjellë neni 7 i ligjit objekt kërkese, sipas të cilit Presidenti për zgjedhjen e zëvendëskryetarit të KLD-së duhet të kufizohet mes anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi, pra tek 3 anëtarë, ndryshon modelin kushtetues të përzgjedhjes. Mendoj se ky rregullim ligjor nuk është në pajtim me vullnetin e kushtetutëbërësit, i cili nuk ka parashikuar asnjë kufizim për këtë rast, prandaj dhe Presidenti nuk do të duhej të kufizohej në përzgjedhjen e zëvendëskryetarit”, do të shprehej Dedja në mendimin e tij si pakicë, pasi anëtarët e tjerë e rrëzuan kërkesën e presidentit Nishani për të shfuqizuar një ligj të tillë.

Anëtarët e fundit të Gjykatës Kushtetuese

Vettingu beteja që i kushtoi Gjykatës Kushtetuese?
Gjykata Kushtetuese do të bëhej objekt i sulmeve të politikës dhe të ndërkombëtarëve për sa i përket ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Padia e paraqitur nga ana e Unionit të Gjyqtarëve dhe më pas nga Partia Demokratike, për ligjin që u votua vetëm me votat e së majtës, solli një vendim të Gjykatës për pezullimin e zbatimit të ligjit.

Ky ligj i Vettingut mbrohej shumë nga ndërkombëtarët, madje ambasadori i SHBA-së, Donald Lu do të deklarohej se PD ishte një parti politike kundër reformës në drejtësi. Pezullimi i ligjit u ankimua nga PS-ja po në Gjykatën Kushtetuese. Shqyrtimi i kësaj nisme ndodhi në një moment të paprecedentë, pasi të pranishëm ishin edhe dy ambasadorët Donald Lu i SHBA dhe Romana Vlahutin e BE-së.

Pavarësisht kësaj, Gjykata vendosi mospranimin e kërkesës së mazhorancës, duke bërë të ditur njëherësh publike se ky institucion do t’i drejtohej për dhënie mendimi Komisionit të Venecias.

“Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian respektojnë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar Ligjin e Vetingut dhe pezulluar zbatimin e tij. Gjykata Kushtetuese ka thënë se do t’ia referojë ligjin Komisionit të Venecias. Nxisim që ky referim të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur për të parandaluar vonesa. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian mbeten të përkushtuar ndaj zbatimit të plotë të reformës së gjyqësorit”, ishte reagimi i Donald Lu. Ndërsa ky vendim shkaktoi përplasje jo të vogla politike, ku mazhoranca akuzonte këtë institucion që po ndikohej nga opozita në këtë vendim. Më 28 tetor Gjykata do të niste kërkesën dhe në dhjetor 2016 do të dilte edhe Opinioni i Komisionit të Venecias që i jepte “Ok” ligjit për vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa topi iu rikthye në fushën e Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të merrte vendim.

Në përgjigje të akuzave se Kushtetuesja po vonon Vettingun, Dedja u shpreh: “Sa më shpejt do marrim një vendim për ligjin e Vettingut. Akuzohet Gjykata Kushtetuese se po e vonon, por po respektojmë procedurat. Ne nuk e kemi luksin te prononcohemi për rastet që kemi në shqyrtim”.   

Ndërsa për këtë çështje do të ndërhynte edhe kryeministri Edi Rama, i cili do t’i kërkonte Gjykatës Kushtetuese të jepte vendimin, pasi Venecia u shpreh për këtë çështje. “Tanimë Opinioni i Komisionit të Venecias mbi Ligjin e Vetingut, është në tryezën e Gjykatës Kushtetuese. I qartë dhe pa asnjë ekuivok!” shkruante zoti Rama në Facebook.

Kryeministri vlerëson se “Ligji i Vetingut është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës sonë dhe tashmë i takon Gjykatës Kushtetuese t’i hapë rrugë një orë e më parë zbatimit të tij”. Sipas zotit Rama “Populli i Shqipërisë ka 26 vjet që kërkon dhe pret nga Drejtësia të jetë e lirë, e drejtë dhe e barabartë për të gjithë; sepse Shqipëria ka 26 vjet që kërkon dhe pret të negociojë anëtarësimin në Bashkimin Europian; sepse nuk ka më asnjë ditë për të humbur më tutje qoftë për të larguar nga Pallati i Drejtësisë, përmes Ligjit të Vettingut, gjykatësit e prokurorët e korruptuar dhe qoftë për të afruar më shpejt, përmes fillimit të negociatave, Shqipërinë me Shtëpinë e Europës së Bashkuar!”, do të shkruante kryeministri Rama në rrjetet sociale.

Vetë kryeministri do të ngrinte dyshime se kjo Gjykatë mund ta zvarriste këtë çështje. “Nuk do të jetë e lehtë, madje kam shumë frikë, pasi do të jetë më shumë e vështirë që Gjykata Kushtetuese mos e pengojë ligjin dhe të mos e cenojë ligjin në pikën ku, ligji i cenuar të bëhet mbrojtje për gjykatësit e korruptuar dhe të bëhet pengesë për integrimin e Shqipërisë. Kush ka, një mendje të kthjellët e kupton se kush mund t’ia bënte atdheut! Jua them unë, ata që kanë tmerr nga Vetingu!” shtoi ai.

Rama solli si shembull ligjin e pronave. “Rekomandimi i Venecias për ligjin e pronave nuk mjaftoi për Gjykatën Kushtetuese, pasi sërish ndërhyri” kujtoi ai.

Vettingu shihej si një nga kushtet për procesin e integrimit në BE për çeljen e negociatave. Më 11 nëntor pas rekomandimit për çeljen e negociatave kryeministri do të kërkonte sërish që Gjykata Kushtetuese të çlironte procesin e Vettingut. “Shqipëria vend i respektuar për reformat dhe i mirëpritur në tryezën e negociatave për anëtarësim. Gjykata Kushtetuese të çlirojë sa më parë Ligjin për Vettingun e Gjykatësve e Prokurorëve dhe të nisë puna për zbatimin e tij”, do të shkruante Rama.

Gjykata Kushtetuese në 22 Dhjetor të vitit 2016 mori vendimin për kërkesën e PD për Vettingun. Kërkesa e PD u rrëzua me 6 vota kundër dhe vetëm 2 pro. Dedja ishte pro, por Gani Dizdari dhe Besnik Ymeri ishin gjyqtarët që votuan kundër.


Por edhe pse u mor një vendim i tillë, një debat do të zhvillohej në lidhje për vonesat e zbardhjes së argumenteve. Një gjë e tillë u bë më janar të vitit 2017 dhe pas botimit në Fletoren Zyrtare, ai hyri në fuqi.
Ndërkaq pas këtij vendimi u vu re edhe një krisje e këtij institucioni me ndërkombëtarët. Kështu dy ambasadorët Donald Lu i SHBA dhe Romana Vlahutin e BE, nuk morën pjesë në konferencën e organizuar nga Gjykata Kushtetuese me rastin e 25-vjetorit të këtij institucioni.

Dedja e kaloi me sukses fazën e parë të filtrit të Vettingut, ndërkaq vendimi i KPK-së do të ankimohej vetëm pas ankesës së bërë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili i kërkoi Komisionierit Publik që ta ankimonte. Procesi i ankimimit ndaj Bashkim Dedjes si për ironi të fati zgjati në kohë, një zvarritje e ngjashme me atë të shqyrtimit të ligjit për Vettingun nga Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj ka dalë shpeshherë kundër qeverisë, por duket se Dedja u rrëzua më tepër sa i përket qëndrimeve që mbajti institucioni që ia drejtonte në lidhje me ligjin e Vettingut. Ky qëndrim dogji jo vetëm atë, por thuajse të gjithë anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese.

Disa nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese kundër qeverisë

Vendimi i datës 3.3.2016 “Ligji i Procedurave Tatimore”.

Vendimi nr. 9, datë 26.2.2016, “Ndryshimet në Kodin Penal”.

Vendimi nr. 43, datë 26.6.2015, “Byroja Kombëtare e Hetimit”.

Vendimi nr. 30, datë 16.5.2015, Komisioni për “Serverin e Tatimeve”.

Vendimi nr. 57, datë 23.7.2015, Komisioni për “Drogën me avion”.

Vendimi nr. 38, datë 12.6.2015, Komisioni për “Rekrutimet në Administratë”.

Vendimi nr. 64, datë 23.9.2015, Kompetencat e Presidentit.

Vendimi nr. 5, datë 05.2.2014, Statusi i Nëpunësit Civil.

Vendimi nr. 57, datë 5.12.2014, regjistrimi i numrave IMEI.

Vendimi nr. 25, datë 28.4.2014 për Kompetencat e INUK.

Shfuqizimi i ndryshimeve të ligjit nr. 101/2014 për KLD.

Vendimi nr. 7, datë 24.2.2016, për rastin “Kokëdhima”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë