Njerez

Beteja e përditshme kundër trafikimit seksual në SHBA

“Dakota e Veriut ishte vendi ku një nxënëse 17-vjeçare e shkollës së mesme u gjet duke kryer favore seksuale kundër vullnetit të saj dhe detyrohej të nxirrte 2000 dollarë fitime në një natë,” thotë Windie Lazenko, një punonjës sociale dhe e mbijetuar nga trafikimi seksual. Nga viti 2009 deri në vitin 2015, kur çmimet e naftës u rritën dhe pati shumë përparime teknologjike, pati një mori meshkujsh që u zhvendosën në Dakotën e Veriut për të punuar. Fluksi i burrave krijoi një kërkesë të madhe për prostituta. Qendrat sociale tregojnë se në një moment, ky vend kishte disbalancë të lartë gjinore dhe një grua duhet të përmbushte kërkesat e 20 burrave në ditë. Lazenko tregon se në atë kohë të gjitha gratë e këtij vendi nuk do të anashkalonin hyrjen në rrjetin e prostitucionit. Sipas saj, ishte një infektim shoqëror që i preku të gjithë.
Trafikimi seksual nuk është një problem vetëm në Dakotën e Veriut dhe SHBA. Të gjithë vendet e industrializuara vuajnë nga ky fenomen. Disa kohë më parë mediet britanike dhanë alarmin, pasi një pjesë e madhe e qyteteve ushtron trafikimin seksual me vajza të reja që janë kryesisht emigrante.
“Mungesa e të dhënave të qarta e bën më të vështirë përshkrimin dhe parandalimin e ngjarjeve të trafikimit seksual,” thotë Bethany Gilot, drejtoreshë në departamentin e parandalimit të trafikimit të Fëmijëve dhe Familjeve në Florida.

Windie Lazenko duke folur me një vajzë që kryen favore seksuale për të fituar para.

Gilot e krahason trafikimin seksual sot me dhunën në familje 30 vjet më parë, ku njerëzit duhet të kuptonin se ky problem ekzistonte më herët se dikush të fliste për të.
“Njerëzit thjesht nuk duan të dinë se kjo gjë po ndodh në vendin e tyre,” shton ajo.
Sipas statistikave të Departamentit të Drejtësisë në SHBA, nga viti 2012 rreth një e katërta e viktimave janë të bardha, një e katërta janë latine dhe rreth 40% afrikano-amerikane.
Lazenko ka punuar me secilën prej tyre dhe çdo rast përfaqëson një jetë nëpërmjet dhunës dhe kërcënimeve. Trafikimi seksual është një formë skllavërie moderne që lulëzon në masë të madhe sepse viktimat e saj janë të braktisur nga shoqëria, të varur nga droga dhe për shkak të veprimeve të tyre prostitucioni shpesh cilësohet si një krim që nuk shkakton viktima, por kjo nuk është e vërtetë sepse ka shumë vajza të reja të cilat kanë vdekur në rrugët e qyteteve vetëm nga dhuna fizike që kanë përjetuar.
“Gjëja më e keqe që njerëzit bëjnë për probleme si këto, është që pretendojmë se nuk ndodhin. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që ne të jemi të ndershëm për atë që ndodh në komunitetet tona,” thotë Gilot
Windi Lazenko e njeh realitetin shumë mirë. Në moshën 13-vjeçare ajo u largua nga jeta abuzive në Kaliforni dhe shkoi në SHBA për të punuar pranë një çifti, të cilët në fillim dukeshin shumë miqësorë. Çifti e strehoi atë në këmbim që të kryente punët e shtëpisë që, shumë shpejt u kthyen në favore seksuale. Kur Lazenko ishte 16 vjeç ata i bënë një tatuazh dhe e detyruan të kërcente në një klub striptistesh. Askush në klub nuk pyeti për praninë e një vajze të mitur, as për tatuazhin. Menjëherë pas kësaj çifti filloi të fitonte para duke e detyruar atë të shkonte me të gjithë miqtë e tyre. Lazenko, e cila kishte braktisur shkollën, ishte aq e lidhur me çiftin se ajo nuk e kuptonte se çfarë po bënte gabim.
Deri në momentin, kur banda kërkoi që ajo të fillonte rekrutimin e vajzave të tjera, Lazenko kuptoi se ajo nuk donte që dikush tjetër të kalonte atë që ajo kishte përjetuar, kështu që ajo u arratis.
“Edhe atëherë unë nuk e kuptoja se po trafikohesha. Nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte me mua,” thotë ajo.

Pas një periudhe reflektimi dhe rikuperimi, Lazenko filloi të punojë me organizatat kundër trafikimit, duke mësuar si t’u shërbejë viktimave të trafikimit seksual.
Sipas saj, situata ishte shumë e rëndë. Tutorët kishin kolonizuar dy klube ilegale striptistesh dhe shumicën e hoteleve, ndërkohë që shteti nuk e kishte idenë se çfarë po ndodhte.
“Të gjithë mendonin se gratë ishin atje sepse kështu kishin zgjedhur,” shprehet Lazenko.
Lazenko përfundoi duke punuar në një organizatë që strehonte gratë e dhunuara dhe viktimat e trafikimit seksual. Ajo u mësoi vajzave të reja që të kontrollonin veten dhe të mos binin pre e mashtrimeve të shumta që hasnin gjatë ditës.
Sot Lazenko vazhdon të shpenzojë shumicën e kohës në rrugë duke parë ngjarje të ndryshme prostitucioni dhe duke dëgjuar historinë e shumë vajzave dhe grave të dhunuara. Ajo ka dëshmuar para ligjvënësve shtetërorë dhe ka shërbyer si dëshmitare-eksperte në rastet e trafikimit seksual në qytete të ndryshme.
“Ne duhet të vazhdojmë të flasim për trafikimin e seksit, përndryshe kjo epidemi do të mbetet e fshehur,” shprehet ajo. Lazenko po përpiqet të bëjë për gratë e trafikuara atë që dikush duhet të kishte bërë për të në moshën 15-vjeçare, edhe pse kjo çështje është vërtetë një sfidë e madhe tani që trafikantët janë të kudo gjendur.
“Ju nuk i keni trafikantët vetëm në shtetin tuaj, por i keni në telefonin dhe kompjuterin tuaj,” thotë ajo.

Windie Lazanko duke biseduar me Jen, një nga vajzat që ka punuar si prostitutë

Jen, njëra prej vajzave të trafikuara, tregoi se u njoh me një djalë nga interneti përpara shumë kohësh. Ai e bindi të shkonin në vendlindjen e tij në mënyrë që të krijonin një jetë të rregullt dhe të fitonin më shumë para. Kur arritën atje, ai filloi ta rrihte dhe e detyronte të kryenin marrëdhënie seksuale me të gjithë shokët e tij. Ajo ishte 17 vjeç në atë kohë. “Gjërat thjesht dolën jashtë kontrollit. Unë isha një vajzë e vogël nga Long Island që mori disa vendime të gabuara,” thotë ajo.

Trafikantet përdorin shumë taktika për të destabilizuar viktimat e tyre, nga privimi i gjumit dhe ushqimit, deri te ushtrimi i dhunës dhe varësia ndaj drogës. Trafikimi seksual është një epidemi e kudo gjendur nga cila është tepër e vështirë që shoqëria t’i shpëtojë. Kjo është arsyeja se shumë të mbijetuara nga trafikimi seksual, janë punonjëse të organizatave sociale, të cilat kombinojnë përvojën e tyre personale me terapi të përshtatura për gratë që kanë kaluar traumën e trafikimit. /TIME/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë