Politike

Besnik Muçi nuk e njeh shkarkimin nga Vettingu: Jam anëtar i Gjykatës Kushtetuese

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar ish-prokurorin Besnik Muçi, aktualisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese i zgjedhur një muaj më parë nga Presidenti Ilir Meta.
Vendimi u shpall nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit i përbërë nga Sokol Çomo, Ardian Hajdari, Albana Shtylla, Rezarta Shulce dhe Natasha Mulaj .
Relatori i çështjes, Sokol Çomo iu referua gjatë shpalljes së vendimit kërkesës së komisionerit publik që kërkoi shkarkimin e Muçit.
“Me vendimin numër 58, KPK vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit Besnik Muçi.
Por komisioneri Dariel Sina ushtroi ankim”, tha trupa e vettingut. Komisioneri publik nuk krijon bindjen se Muçi arrin nivel të besueshëm të pasurive, kujtoi KPA.
Trupa e vettingut arrin në përfundimin se apartamenti në rrugën “Ali Visha” në vlerë 1. 9 milionë lekë nuk justifikohet mbi ligjshmërinë, por edhe huatë e marra nga xhaxhai, motra e vëllai.
Në konkluzion trupi gjykues çmon se subjekti është në kushtet e pamjaftueshmërisë sa i takon kësaj pasurie. Problemi tjetër që u soll në vëmendje ishte pronat e familjes së bashkëshortes që ka përfituar toka bujqësore në Pogradec, KPA kujtoi se Besnik Muçi nuk ka deklaruar këtë pasuri. KPA theksoi se subjekti edhe në këtë pikë gjendet në rrethana pamjaftueshmërie. Edhe për mosmbulimin e të ardhurave për pesë vite, KPA theksoi se Besnik Muci nuk mund të mbulonte me të ardhurat shpenzimet dhe investimet.
Për sa i përket informacionit të DSIK për njohjen e Muçit me persona qe kane probleme KPA hodhi poshtë qëndrimin e Muçit që më herët u justifikua se nuk i dinte problemet e mikut të tij. KPA tha se fakti i problemeve të A. L dihej publikisht pasi ishin deklaruar edhe në media. Madje privilegjet - tha KPA - dhe deklarimet e pavërteta të Mucit - ka bërë që KPA të mbajë qëndrim edhe mbi sjelljen e subjektit. Shkalla e dytë e vettingut tha se Besnik Muçi ka cenuar besimin e publikut dhe ndaj duke konkluduar mbi pasuritë, faktet janë të mjaftueshme për të thënë që Besnik Muci nuk gëzon besimin e Publikut.
Sipas KPA, Besnik Muçi ka kryer deklarim të pasaktë.
Muçi kaloi shkallën e parë të procesit të Vettingut, por vendimi i tij u ankimua nga Komisioneri Publik me rekomandimin e ekspertëve ndërkombëtarë.
Pasuria dhe huadhënia nga një biznesmen ishin disa nga kontestimet ndaj anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
KPA bën të ditur se subjekti i rivlerësimit paraqiti kundërshtimet e tij mbi secilin prej shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të dhënë në gusht të vitit 2018.

Muçi: Kam humbur statusin e prokurorit, jam anëtar i Gjykatës Kushtetuese

Menjëherë pas dhënies së vendimit, Besnik Muçi në një dalje për mediat është shprehur se vendimi nuk është i drejtë.
Sipas tij, KPA nuk mund të shkarkojë një anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

Besnik Muçi pas dhënies së vendimit

“Vendimi i Kolegjit të Apelit nuk ka efekt mbi mua. Në momentin që kam bërë detyrën dhe kam bërë betimin, kam humbur statusin e prokurorit dhe Kolegji nuk ka pasur më kompetencë të shqyrtojë dosjen time. Neni 130 i Kushtetutës thotë që në momentin që kam bërë betimin e kam humbur statusin e prokurorit. Gent Ibrahimi ka detyrimin ligjor të konstatonte mbarimin e mandatit tim si prokuror. Mbarimin e mandatit tim e thotë Kushtetuta, e konstaton Gjykata Kushtetuese me ndryshimet e fundit”, është shprehur Muçi.
Gjatë fjalës së tij, duke shpjeguar vendimin e KPA, tha që mëkati që ka bërë ishte se para dy vitesh aplikoi për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.

“Më thoni kush është ai qytetar shqiptar, pasuria e të cilit mos ketë probleme të natyrës së qindra mijërave lekë, unë e kam thënë jam bërë vet prokuror, kam konkurruar dhe kam ushtruar 17 vjet profesionin me përkushtim, korrektesë duke zbatuar ligjin pa asnjë masë disiplinore dhe mëkati i vetëm është që para dy vjetësh, aplikova për anëtar të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh për mediat ai.
Ai ndër të tjera tha se “Mëkatin tjetër e bëri zoti Dvorani që më listoi i treti në listë, për vakancat e Presidencës dhe Kuvendit, ndërsa mëkati tjetër është i Presidentit Meta që e zgjodhi në Gjykatën Kushtetuese”.
Ndërkohë, menjëherë ka reaguar edhe presidenca. Zëdhënësi i presidentit Meta e cilëson të turpshëm vendimin, për të cilin thotë se ka “zero surprizë nga vettingu i Partisë”.
“ZERO SURPRIZË nga vettingu i Partisë. Pas dështimit të rrëmbimit flagrant të Gjykatës Kushtetuese, rikthehet skenari për bllokimin e këtij institucioni nga të njëjtët aktorë që e bllokuan për tre vjet. TURP! TURP! TURP!”, shkruan zëdhënësi i presidentit në “Facebook”.

https://www.facebook.com/blushited/posts/10157730658702760

Besnik Muçi, i pari anëtar i Gjykatës Kushtetuese

Besnik Muçi u betua më 18 tetor përpara presidentit Ilir Meta si anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë mënyrë, Muçi u bë i pari gjyqtar në këtë detyrë pas shkrirjes që pësoi ky institucion nga zbatimi i ligjit të Vettingut.
Ceremonia e betimit u krye në prani të ambasadorëve të akredituar në vendin tonë, ambasadori i BE-së, i Gjermanisë, e Francës dhe Italisë. I pranishëm ka qenë edhe përfaqësuesi i ambasadës së SHBA-ve.
Gjyqtari Muçi, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, u betua duke u zotuar se: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë!”
Në fund pas betimit, presidenti Meta i dorëzoi Muçit edhe dekretin e emërimit si anëtari i parë i Gjykatës Kushtetuese.
Më 16 tetor, presidenti Ilir Meta vendosi që të dekretojë emërimin si anëtar të Gjykatës Kushtetuese të prokurorit Besnik Muçi, pavarësisht se ai ende nuk i kishte mbyllur hesapet me vettingun.
Në tryezën e kreut të shtetit qëndronin dy lista me nga tre kandidatë për dy vende vakante në Gjykatën Kushtetuese, funksionimi i së cilës tashmë është kusht për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit. Për vakancën e dytë ku kandidatë ishin; Arta Vorpsi, Elsa Toska e Besnik Muçi, kreu i shtetit zgjodhi emrin e fundit për anëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë